Ndërkombëtarët të lodhur dhe ofenduar nga politikanët e Maqedonisë, priten sanksione?

Brukseli ritheksoi fuqishëm mesazhet e qarta të dërguara javën e kaluar rreth marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, për hir të paqes, stabilitetit dhe ardhmes evropiane të rajonit si një i tërë.

Kocijançiq përsëriti thirrjen drejtuar cilitdo aktori dhe qytetari, që të përmbahet nga veprimet dhe deklaratat që mund të nxisin tensione, sikurse edhe ato ndëretnike, apo që mund të minojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zannier, shprehu shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit në shtet duke ju bërë thirrje liderëve politik t’i japin fund krizës së vazhduar politike në interes të të gjithë qytetarëve.

Gjithashtu i dërguari special i ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për Evropën Juglindore dhe Turqinë, Kristian Hellbah pas takimit që realizoi me liderët e partive politike shqiptare, ka deklaruar se nuk sheh asgjë shqetësuese në Platformën e përbashkët shqiptare. Ai madje është shprehur i bindur se Ivanov duhet t’i jep mandatin shumicës parlamentare, që me këtë t’i hap rrugë formimit të qeverisë së re.

Deklaratat e ndërkombëtarëve ishin të shumta, por ende të pasuksesshme. Njohësit e çështjeve politike thonë se BE-ja do të lodhet me ne dhe nuk do të merrët më me problemet tona si dhe thonë se tani më është koha që të formohet Qeveria e re. A mund të priten sanksione?

Faktori ndërkombëtar është i lodhur dhe i ofenduar

Ish ambasadori dhe profesori universitar, Alajdin Demiri thotë për Portalb.mk se këshillat dhe deklaratat e ndërkombëtarëve fatkeqësisht po hasin në vesh të shurdhër, dhe se sjellja e politikanëve maqedonas është dëshpëruese.

“Kohën e fundit në Maqedoni kishte invazion të strukturave euroatlantike, bashkësisë evropiane, NATO-s, dhe të OSBE-së, të cilët dëshirojnë të ndihmojnë dhe të japin këshilla se si duhet të del Maqedonia nga kriza, mirëpo ato hasin në një vesh të shurdhër. Sjelljet e presidentit Ivanov dhe të qeverisë së udhëhequr, realisht nga Gruevski, por faktikisht nga Emil Dimitriev, janë dëshpëruese dhe mendoj se vizita e fundit e Mogerhinit ishte hapi i fundit që BE e bën dhe do të heq dorë për arsye se sjellja e posaçërisht Ivanovit dhe VMRO-së është një sjellje e pakuptimtë diplomatike, të cilët sillen në një mënyrë shumë arrogante ndaj faktorëve relevant të cilët dëshirojnë të ndihmojnë”, tha për Portalb, Demiri.

Ai shtoi se faktori ndërkombëtar është i lodhur dhe i ofenduar dhe nuk do të merren më me këtë situatë të sjelljes së politikanëve të Maqedonisë.

“Këtu tani lind një dyshim se as kryetari e as VMRO-ja nuk janë aq të fuqishëm që të qëndrojnë pas qëndrimeve të këtilla të prera për refuzim të çdo lloj bashkëpunimi me këto struktura, por qëndrojnë forcat tjera që janë më aktive. Prandaj faktori ndërkombëtar është i lodhur dhe i ofenduar dhe nuk do të merren më me këtë situatë të sjelljes së politikanëve të Maqedonisë”, shtoi Demiri.

Procesi zgjedhor më duhet të përfundojë

Ish ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë, Denko Maleski, thotë për Portalb.mk se deklaratat e ndërkombëtarëve deri diku janë të njëjta dhe të gjithë janë pro demokracisë andaj ky proces i stërzgjatur zgjedhor duhet të përfundojë me formimin e Qeverisë së re.

“Nuk ka dallim në mes deklaratave të përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe qëndrimeve të publikut demokratik në Maqedoni. Gjegjësisht të gjithë janë të bashkuar rreth qëndrimit se duhet të përfundojë procedura zgjedhore e cila filloi me zgjedhjet e 11 Dhjetorit dhe tani është koha që ajo të finalizohet me dhënien e mandatit të atij që ka shumicën në parlament dhe kështu të përfundojë ky proces zgjedhor. Ftohet presidenti të dorëzohet para dëshirës së shumicës dhe kërkesës së popullit në Maqedoni dhe t’ia jep mandatin partisë të deritanishme opozitare dhe tre partive shqiptare që të formojnë qeverinë. E tani se çka do të bëhet nga ajo, si do të reagojë presidenti ndaj këtij presioni të vazhdueshëm, nga brenda dhe jashtë pritet të shihet në vijim”, tha për Portalb, Maleski./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button