fbpx

Partitë ‘helmojnë’ edhe nxënësit me politikë

Temat rreth historisë dhe lektyrave, apo kush e ka radhën të pyetet sot me notë, janë zbehur dukshëm këto ditë në mesin e gjimnazistëve. Ajo që dominon në bisedat e adoleshentëve janë temat shumë ‘madhore’ se cila parti do t’i fitojë zgjedhjet, madje cili meriton të mbështetet fuqishëm Ali Ahmeti, Menduh Thaçi apo Rufi Osmani. Nxënësit nuk ngurojnë t’i mbrojnë me fanatizëm ‘argumentet’ e tyre pa çka se shumica nuk kanë as të drejtë vote.

“Nuk kam të drejt vote, jam i ri për politikë, por më intereson politika. I ndjek të gjitha zhvillimet në vend. Kritikoj mendimet, gabimet e politikanëve”, u shpreh për Portalb, N.XH, nxënës i vitit të dytë në gjimnazin ‘Zeflush Marku’.
“Debatojmë shpesh rreth politikës, por nuk duhet të jemi të ndarë ne, të gjithë jemi nxënës. Kam të drejt vote dhe votoj”, u shpreh një nxënës tjetër i vitit të tretë në shkollën e mesme ‘Arseni Jovkov’. 

Profesori i psikologjisë sociale Vesel Memedi thekson përfshirja kaq thellë e të rinjve në politike dëshmon politizimin e skajshëm të çdo sfere të shoqërisë sonë. “Në rastin konkret politizimi ndodh nga ana e vet prindërve të cilët me qëllim apo pa qëllim kohën e kaluar në shtëpi e shfrytëzojnë vetëm për të biseduar për politikë”, thekson për Portalb, Memedi.

Fëmijët sipas Memedit, kushtëzohen përmes kushtëzimit klasik që nënkupton një kërkesë direkte që mund të bëjnë prindërit ndaj fëmijëve të tyre me qëllim që fëmija të anojë nga një subjekt të caktuar politik; apo përmes kushtëzimit instrumental, kur fëmijët në mënyrë indirekte mësojnë mbi preferencat e prindit bazuar në veprimet dhe sjelljet e tij, sikurse kur ndërron kanalin televiziv, kur paraqitet politikani i ‘padëshiruar’, shpjegon profesor Vesel Memedi.

Sipas tij partitë vetëm shfrytëzojnë “frytin” e këtij kushtëzimi që bëhet nga vet prindi.

Partitë politike madje nuk ngurojnë t’i keqpërdorin të rinjtë për përmbushjen e qëllimeve të tyre politike. “Fenomeni i keqpërdorimi të fëmijëve dhe të rinjve në ciklet zgjedhore vitet e fundit, fatkeqësisht ka mbërritur në nivelin e pranimit si diçka ‘normale’ në shoqëri”, theksojnë nga Ambasada e parë për fëmijë ‘Megjashi”.

“Fatkeqësisht niveli i tolerancës të fenomeneve të tilla gjithnjë e më shumë po rritet”, thekson për Portlab, Albulena Karaga, nga ‘Megjashi’,

“Kemi qenë dëshmitar të shfrytëzimit të fëmijëve si ‘maskotë’ të partive politike; të fëmijëve dhe të rinjve të cilët ngjisnin pllakate, posterë, të cilët shkonin në tubime politike; që ruanin shtabet në hapësira të ftohta, të pjesëmarrjes së nxënësve  me urdhër të drejtorëve nëpër tubime në qytetet e tyre apo ‘eksurzione partiake’, të të rinjve të cilët nxiteshin për vandalizëm për të thyer shtabe dhe demonstruar akte dhune etj”, shpjegon më tej Karaga.

Nga Ambasada e parë për fëmijë ‘Megjashi”, sugjerojnë se slogani ‘gjithmonë ka qenë kështu’, nuk guxon të arsyetojë dhe legjitimojë veprime që dëmtojnë fëmijët dhe të rinjtë. Partitë politike, prindërit, arsimtarët por edhe mediat duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tilla dhe të pengojnë keqpërdorimin e fëmijëve për qëllime partiake.

Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti për Portalb theksoi se sikurse gjatë proceseve të mëparshme zgjedhore, do të vëzhgojnë nga afër respektimin e të drejtave të fëmijëve. “Në të kaluarën kemi reaguar për cenim të të drejtave të fëmijëve, edhe atë kemi pasur raste ku fëmijët janë keqpërdorur në bilborde, dhe kemi kërkuar nga subjektet politike që t’i tërheqin ato. Edhe gjatë këtyre zgjedhjeve do të reagojmë për shkeljet eventuale të të drejtave të fëmijëve për interesat e ndryshme politike”, theskoi Mehmeti.

Sipas nenit 76 të Kodit zgjedhor ndalohet pjesëmarrja e të miturve në tubimet apo në reklamat e paguara politike ndërsa neni 183 parashikon gjoba prej 3000 – 5000 euro për mediat të cilët do të emitojnë apo publikojnë materiale të paguara propagandistike me përfshirjen e fëmijëve në tubimet apo reklamat e paguara politike./Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button