Shkolla e Lubetenit jashtë listës së investimeve të MASH-it

Komuna e Butelit si dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), si duket nuk e shohin të nevojshme zgjerimin e shkollës fillore “Liman Kaba” në Lubeten, pasi që ajo nuk ndodhet në listën e shkollave të cilat do të rindërtohet.

Banorët e fshatit si dhe vetë drejtori i kësaj shkolle, Xhezmi Abdyrramani bëjnë të ditur se nxënësit mësojnë në kushte të mjerueshme, ku katër paralele ndjekin mësimin në podrum.

“E kemi njoftuar MASH-in, e kemi njoftuar komunën për gjendjen tonë, disa herë kemi dorëzuar kërkesë me shkrim për zgjerimin e objektit, por ende nuk kemi marrë përgjigje. Na thonë se do bëhet po ka disa vite që i kemi dëgjuar këto fjalë, dhe asgjë nuk bëhet”, tha për Portalb, Abdyrramani.

Ai shtoi se përderisa MASH-i dhe Komuna e Butelit shqyrtojnë projektin për zgjerimin e kësaj shkolle, nxënësit vazhdojnë të ndjekin mësimin në kushte tejet të mjerueshme të cilat nuk plotësojnë kushtet për zhvillimin e mësimit.

Zëdhënësi i MASH-it, Goran Galevski bën të ditur se MASH-i ka projekt për sanimin, rindërtimin dhe ndërtimin e shkollave fillore dhe të mesme, i cili është ende në proces e sipër.

“Në ueb faqen tonë mund të gjeni të dhënat e projektit për sanimin, rindërtimin dhe ndërtimin e shkollave fillore dhe të mesme, i cili është ende në zhvillim e sipër, në disa shkolla kanë përfunduar punimet, në disa tjera është duke u punuar ende”, tha Galevski.

Mirëpo në listën e këtyre shkollave për të cilat janë ndarë mjete financiare, shkolla e Lubetenit nuk bën pjesë.

Nga komuna e Butelit bëjnë me dije se momentalisht nuk kanë fonde për ndërtimin apo rindërtim të ndonjë shkolle.

“Faza për ndërtimin e objekteve shkollore në këtë fshat është në fazën e detajizimit urban dhe së shpejti pritet të përfundojë, mirëpo ne jemi duke ndërtuar shkollën ‘Zhivko Brajkovski ‘ në lagjen e Butelit e cila parashikohet të përfundojë në shtator të këtij viti. Komuna fatkeqësisht nuk ka kapacitet që të ndërtojë dy objekte shkollore në të njëjtën kohë”, tha, Snezhana Klinçarova, zëdhënëse e komunës së Butelit.

Ndërkaq në kuadër të këtij projekti MASH ka ndarë mjete për sanimin dhe rindërtimin e shkollave fillore “Aco Shopov”, “Goce Dellçev”, “Kliment Ohridski”, “Panajot Ginovski” dhe “Petar Zdravkovski-Penko” në komunën e Butelit.

Lajme të ngjashme

Back to top button