E tmerrshme: Bota hesht derisa fëmijëve sirianë ju amputohen duart dhe këmbët

Mjekët sirianë janë detyruar të prisnin gjymtyrët e fëmijëve të plagosur, për shkak se nuk kanë ilaçet dhe pajisjet e nevojshme mjekësore, thuhet në një raport të organizatës humanitare Save the Children.

Organizata thotë se 10 mijë fëmijë janë vrarë gjatë luftës në Siri, se për të plagosurit nuk ka ilaçe në spitale, ndërsa sistemi mjekësor është i shkatërruar.

“Kemi pranuar një vajzë të vogël të lënduar. Nuk kemi mundur të bëjmë asgjë pos që të presim që të vdes, sepse nuk kishim pajisje e as ilaçe. As sot nuk mund ta harroj fytyrën e saj”, tha një punëtor shëndetësor i njohur si Anas, raporton Al Jazeera, transmeton Telegrafi.

 “Të sapolindurit vdesin në inkubatorë, për shkak të ndërprerjes së energjisë. Në disa raste, pacientët zgjedhin të goditen me shufra hekuri që të humbin vetëdijen, për shkak se nuk ka anestezi. Pacientët vijnë në spitale ku nuk ka punonjës të shëndetësisë, kështu që fëmijëve vet ua lidhin infuzionet”, thuhet në raport.

Janë të rrezikuara edhe jetët e foshnjave ende të palindura, ndërsa 4.3 milionë fëmijëve u duhet ndihma humanitare. Është rritur po ashtu numri i të prekurve nga meningjiti dhe poliomeliti. Në Siri kërcënohet kolapsi i tërë sistemit shëndetësor, ndërsa viruset mund të përhapen edhe në shtetet tjera. /telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button