Maqedoni, gratë vazhdojnë të mos përfillen në skenën politike

Në këtë ditë të 8 Marsit ku historikisht në vitin 1909 në SHBA me nismën e Partisë Socialiste të Amerikës u shënua dita për të drejtat e grave për barazi ekonomike, politike dhe sociale me gjininë mashkullore, gratë në Maqedoni vazhdojnë të kenë qëndrimin se përcaktimi i numrave në listat zgjedhore për përfshirje të gruas në to, paraqet një shkelje dhe mostrajtim i mirëfilltë i rolit dhe të drejtës së gruas në politikë, shkruan Portalb.mk.

Mevlude Gjureci nga Lëvizja Besa, vlerëson se përfaqësimi i saktë i femrës në politikë nuk duhet të nënkuptojë se femrat nuk duhet të ndërmarrin iniciativë për përfaqësim të drejtë të saj. Ajo gjithashtu vlerëson se gruaja në politikë ka pasur vështirësi prej më të ndryshmeve por sipas saj fajtor kanë qenë krerët partiak.

“Nuk mendoj se realisht përfaqësohen me numra të saktë femrat në politikë dhe pse ka mundësi të jetë edhe më mirë. Por e jona është që ne vet të kyçemi dhe të tregohemi të forta në lidhje me përfaqësimin e drejtë. Kyçja e gruas në politikë paraqet një domethënie të madhe dhe nuk duhet të shihet si pengesë. Por un mendoj se gruaja duhet të jetë një rol i rëndësishëm politik, ka mundësi përmirësimi në këtë drejtim. Edhe në rast se deri më sot ka pasur probleme, duhet të theksohet se më së shumti për problemet e grave politike në Maqedoni ndikim kanë pasur vetë krerët partiak të cilëve u kanë përkitur ato. Kështu ata kanë ndikuar që mos të mbrohet e drejta e gruas në politik. Por gjithmonë duhet ditur se në çfarë partie je atë pozitë femra do ta ketë edhe në politikë”, u shpreh Gjureci.

Kurse Gjylymsere Kasapi deputete nga radhët e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë vlerëson se afirmimi i gruas në politikë dhe në të gjitha sferat tjera jetësore në Maqedoni do të arrihet vetëm nëpërmjet arsimimit të saj, por ajo qëndron me mendimin se përfshirja e gruas e në politikë krahas asaj që duhet të përfshihet me numër, duhet të jetë edhe cilësor.

“Ka dekada të tëra që jam aktive në çështjen e afirmimit të gruas në shoqërinë tonë. Por kam vlerësuar se femra të drejtat dhe pozitën në shoqëri mund ta arrijë vetëm nëpërmjet arsimit duke e zhvilluar kështu që të bëhet e guximshme, e pavarur dhe të dobishme. Mendoj se me ligjin e përfshirjes së gruas në Parlamentin e Maqedonisë, ne kemi arritur që të përfaqësohemi me 40% kështu kemi arritur që edhe femra shqiptare të jetë pjesë e këtij institucioni. Por duhet të theksoj se numri i përfshirjes së grave në politikë krahas asaj që duhet të jetë i lartë duhet të jetë edhe kualitativ. Duhet të theksoj se edhe pse tërë jetën punova për afirmimin e gruas shqiptare, sërish mua më afirmoi një mashkull me përkatësi kombëtare maqedonase”, u shpreh për Portalb Gjylymsere Kasapi.

Ndërsa Arta Toçi nga Lëvizja për Reforma PDSH pozitën e gruas në politikë e sheh të përcaktuar nga vetë gratë dhe se lufta për të drejtat e saja dita ditës po merr trajta të ndryshme.

“Roli i gruas në politikë dhe në përgjithësi ka qenë aspiratë e kamotshme e femrave për arritje të barabarta. Kjo luftë vazhdon edhe më tej por që çdo ditë merr trajta të ndryshme. Roli i gruas në politikë ka bërë që të bëjë ndryshime në jetë duke përfshirë këtu: arsimin, shkencën, kulturën dhe artin. Por femra shqiptare duhet të pasqyrojë me një realitet në politikë dhe është koha që pozita dhe cilësitë e femrës që ajo i posedon të ndryshojnë. Por për pozitën e femrës në politikë fillimisht përgjegjëse është femra. Kështu ne duhet të kemi kërkesa të pandalshme që ajo të merr pozitën që e meriton”, u shpreh Toçi.

Krahas asaj që frenat për pozitën e gruas në politikë janë në duar të grave, Toçi nuk mohon se për tu futur ajo në politikë është bërë sakrificë e madhe dhe se përqindja për përfaqësim të saj në kuptimin tjetër paraqet edhe vetë anashkalim të saj, pasi që sipas saj, femra duhet të vlerësohet për intelektin dhe humanitetin që ajo e posedon, e jo për gjininë që i përket.

“Vet fakti që femra përfaqësohet me përqindje në lista zgjedhore është dëshmi se femra nuk është e barabartë në politikë. Për futjen në politikë femra gjithmonë bën sakrifica më të mëdha dhe kjo duhet të respektohet. Duhet të luftojmë që përqindja e përfshirjes së gruas në politik të mos ekzistojnë aspak por kriteri për futjen e femrave në politik duhet të mos jetë gjinia por vetitë intelektuale dhe humane të  saj. Me këto vlera femra po dëshmon se po jep vlera humane edhe politikës”, u shpreh Arta Toçi.

Por Teuta Arifi nga Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se kohëve të fundit ka pasur ndryshime në aspekt pozitiv për sa i përket rolit të gruas në politikë por ajo vlerëson se porcesi politik nuk është proces i lehtë dhe se krahas kësaj gratë gjatë veprimtarisë së tyre politike janë përballur fillimisht edhe me paragjykime që kanë vënë në dyshim kapacitetin intelektual të saj.

“Kohëve të fundit ka pasur ndryshime pozitive për sa i përket numrit të grave, qoftë në Parlament, qoftë në këshillat komunal. Por normalisht procesi politik nuk është proces i lehtë i zakonisht sjellë turbulencë në Maqedoni ku demokracia nuk është komplet e formuar. Por gratë në politikë fillimisht përballen me paragjykime duke vë në dyshim kapacitetin e tyre për të qëndruar në një pozitë. Gratë gjatë këtyre viteve kanë dëshmuar se kanë mundësi që t’i realizojnë gjërat të cilat ua kanë besuar qytetarët”, tha Arifi

Krahas kësaj Teuta Arifi përfaqësimin e gruas në politik të paraparë me ligj e sheh fillimisht si mundësi sigurimi të numrave dhe më pas si mundësi shprehjeje e kapaciteteve të tyre.

“Ligji për përfshirjen e gruas në politik fillimisht siguron numër të grave në politikë unë mendoj se kjo nuk mjafton për arsye se grave duhet tu jepet më shumë hapësirë për të shprehur mundësitë e tyre. Por mendoj se me ndryshimin e shoqërisë edhe roli i gruas do të ndryshojë për të mirë”, u shpreh Teuta Arifi.

Ndryshe, të dhënat statistikore flasin se në Maqedoni nga numri i përgjithshëm i popullatës, 49,9 për qind janë gra dhe se ato jetojnë 3,9 vjet më gjatë se burrat.

Lidhur me burrat më i madh është numri i grave të diplomuara, gjegjësisht 57,1 për qind, si dhe numri i grave magjistre 58,6 për qind. Sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistikë, në vitin 2015 ka pasur edhe 143 gra doktor shkencash.

Gjithsej janë punësuar 282.078 gra, 76,3 % prej së cilave janë punësuar në kompani me pronësi private. Mbi 95 për qind e grave janë punësuar me orar të plotë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button