Ahmeti: Qëndrimi i PDSH-së për të legjitimuar presidentin do të dështojë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim  Ali Ahmeti, është takuar sot në selinë e partisë në Tetovë me Ambasadorin Britanik në Maqedoni, Kristofer Ivon.

Ambasadori Britanik shprehu interesim rreth zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni, proceset integruese të vendit në NATO dhe BE si dhe zgjedhjen e çështjes së emrit.

Londra mbetet mbështetëse e aspiratave të Maqedonisë dhe të rajonit për integrim të tërësishëm në strukturat e NATO-së dhe Bashkimit Evropian.

Kryetari Ahmeti njoftoi Ambasadorin Britanik për vendimin e BDI rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare i cili u soll vetëm pas analizave të hollësishme të rrethanave në vendet e Bashkimit Evropian si dhe në rajon dhe është në funksion të lehtësimit të procesit integrues të Maqedonisë.

Në lidhje me zgjedhjet Presidenciale, Kryetari Ahmeti ritheksoi rëndësinë e idesë së BDI për President konsenzual dhe nënvizoi se BDI do të kontestojë legjitimitetin e një Presidenti të zgjedhur pa votat e shqiptarëve, pa marrë parasysh a do të jetë fituesi nga VMRO DPMNE ose LSDM.

Pozita e BDI-së në lidhje me zgjedhjet presidenciale është shumë e qartë dhe nuk do të cenohet nga vendimi i PDSH-së për të propozuar një kandidati shqiptar për President. Ky vendim i opozitës shqiptare do të mbetet një përpjekje e dështuar në funksion të dhënies së legjitimitetit për procesin zgjedhor presidencial. Populli shqiptar me mospjesëmarrjen e vet në zgjedhjet presidenciale do ti përgjigjet këtij veprimi jo të sinqertë dhe që është në funksion të lëndimit të konceptit për konsensualitet i cili është në dobi të shqiptarëve dhe të të gjithë qytetarëve.

Kryetari Ahmeti kërkoi mbështetjen e Londrës dhe të aleatëve tjerë në përpjekjet për ta integruar vendin në NATO dhe Bashkimin Evropian me ç ‘rast theksoi që ky proces do të jetë i rëndësisë parësore në mandatin e ri të Bashkimit Demokratik për Integrim pas zgjedhjeve parlamentare.
— 

Lajme të ngjashme

Back to top button