fbpx

Xhaferi vlerëson themelimin e ushtrisë së Kosovës

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi ka qëndruar sot për një vizitë zyrtare në Prishtinë, ku ka takuar homologun e tij, zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi. 

Takimi është përqendruar në temat e aktualiteteve politike në Maqedoni dhe në Kosovë, duke përfshirë dhe çështjet e bashkëpunimit bilateral në shumë fusha. 

Xhaferi dhe Kuçi kanë riafirmuar përcaktimet e dy qeverive për të avancuar edhe më kapacitetet dhe potencialet bashkëpunuese mes dy vendeve. Me këtë rast, zv/kryeministri Xhaferi ka përshëndetur dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e ushtrisë.

 “Kishim një bisedë shumë të hapur në vazhdën e takimeve që kemi me Qeverinë e Kosovës në sferën që mbulon Kuçi por edhe në sferat e tjera, marrëveshjet që kemi nënshkruar dhe implementimin e tyre duke pasur parasysh këmbimin e përvojave, përvojat tona që nënkupton forcimin e shtetësisë së Kosovës që është në interes kombëtar por edhe regjional. 

Përshëndesim të gjitha ato të arritura, të cilat në gjykimin tim ndikojnë edhe në stabilitetin po edhe në përforcimin e institucionet të Kosovës. Përshëndesim gjithashtu vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e ushtrisë dhe kjo do të ndihmojë që institucionet e Kosovës të jenë më të qëndrueshme dhe më të respektueshme në rajon”, ka deklaruar Xhaferi. 

Ndërkohë, zëvendëskryeministri kosovar, Hajredin Kuçi, ka shprehur mbështetjen e Prishtinës zyrtare për faktorin politik shqiptar në Maqedoni, në përpjekjet për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për përfaqësimin e plotë në institucionet e shtetit. 

“Biseduam për aktualitete politikeqë zhvillohen këtu në Kosovë por edhe në Maqedoni, duke përfshirë edhe fushat e bashkëpunimit mes dy qeverive tona dhe duke parë mundësin e ngritjes së kapaciteteve tona për thellimin e bashkëpunimit. 

U theksua se bashkëpunimi është në nivelin e duhur dhe ka mundësi që qeveritë tona të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruaradhe të rrisin edhe më bashkëpunimin. Theksuam se faktori politik shqiptar e ka mbështetjen tonë në ruajtjen e identitetit kombëtar, në përforcimin e identitetit dhe në përfaqësimin e plotë në institucionet republikane. 

Unë besoj se prosperimi i shqiptarëve në Maqedoni dhe kudo është fuqizimi i faktorit shqiptar që njëkohësisht nënkupton fuqizimin e bashkëpunimit tonë por edhe fuqizimin në planin ekonomik, kulturor e kështu me radhë”, ka thënë Kuçi.

Lajme të ngjashme

Back to top button