OSBE hesht për përmushjen e rekomandimeve të listës Zgjedhore

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR mbërriti në Shkup për të monitoruar zgjedhjet presidenciale të 13 prillit. Shefi i misionit të OSBE/ODIHR Gert Hajnrih Arens njoftoi se procesi zgjedhor do të vëzhgohet nga 11 ekspertë ku përfshihen ekspertë juridik, financiar, operativ, analitik, zgjedhor dhe për media.

Ekipi vëzhgues do të plotësohet edhe me 20 vëzhgues afat gjatë dhe mbi 300 afat shkurtër të cilët do të mbërrijnë në ditën e zgjedhjeve.

Shefi i misioni Gert Arens, njoftoi se OSBE/ODIHR vëzhgon dhe jap vlerësime mbi proceset zgjedhore por nuk ndërhyn në to.

“U takon partive politike dhe institucioneve këtu të vendosin se sa do t’i marrin parasysh vlerësimet dhe rekomandimet tona në mënyrë që të përmbushen standardet demokratike që i parashikon OSBE dhe standardet ndërkombëtare”, u shpreh Arens.

Arens gjithashtu tha se ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, përfshijnë një numër të madh të rekomandimeve të OSBE/ODIHR por me rëndësi është zbatimi i tyre në praktik.

“Zbatimi i dispozitave të Kodit Zgjedhor do të jetë në qendër të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, pasi procesi i implementimit është po aq i rëndësishëm sa ai i miratimit të ligjeve”.

Ndonëse i pyetur disa herë, Arens nuk deshi të zbardh se sa janë përmbushur rekomandimet e OSBE-së për sa i përket zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Ai tha se një pjesë e tyre janë përfshirë në Kodin zgjedhor dhe se do të vëzhgojë zbatimin e tyre në praktikë.
OSBE/ODIHR me vëmendje të veçantë do të vëzhgojë edhe përputhjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare nëse do të jenë në vijë me standardet ndërkombëtare.

Nga ana tjetër nuk do të lihen anash as listat zgjedhore, të cilat siç u shpreh Arens, shpesh herë vihet në dyshim besueshmëria e tyre për shkak të mungesës së regjistrimit të popullsisë vitet e fundit, rreth asaj se sa shtetas gjenden në vend dhe sa populli u beson këtyre listave.

Ndonëse OSBE/ODIHR nuk do mund t’i vëzhgojë zgjedhjet që do ndodhin në diasporë nëpër ambasada, ajo do të jap vlerësim në bazë të zbatimit të kornizës ligjore.

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR do të dalë me vlerësim paraprak një ditë pas ditës së zgjedhjeve ndërkaq me raport të plotë 8 javë më vonë.

Lajme të ngjashme

Back to top button