Shtohen kërkimet për avionin e humbur, dyshohet për terrorizëm

Drejtori i aviacionit civil në Malajzi, Azharuddin Abdul Rahman, tha se fati i avionit të humbur të “Malaysia Airlines” mbetet një mister. Zyrtarët nuk kanë përcaktuar vjedhjen e avionit, si shkak për zhdukjen e tij.

Një anije është dërguar për të hetuar një “objekt të verdhë” që u dallua në ujërat e Vietnamit.

Fluturimi MH370 i “Malaysia Airlines” u zhduk nga radario pothuajse tre ditë më parë, kur po udhëtonte për në Pekin nga Kuala Lampuri, me 239 njerëz në bord. 

Të afërmve të pasagjerëve të humbur iu është thënë që të përgatiten për më të keqen.

Në një konferencë lajmesh ditën e hënë, kreu i forcave të armatosura të “Malaysia” tha se ata ishin duke bashkëpunuar me inteligjencën kineze për të identifikuar dy pasagjerët në bordin e avionit, që po udhëtonin me pasaporta të vjedhura.

“Kërkim minutë pas minute”

Azharuddin Abdul Rahman, që drejton departamentin e aviacionit civil, tha për reporterët në Kuala Lampur: “Fatkeqësisht ne nuk kemi gjetur asgjë që të duket si objekt nga avioni, pa folur për vetë avionin.”

Ai shtoi se ata ishin duke shtuar përpjekjet për ta gjetur avionin dhe se kërkimi “do të merrte aq kohë sa të nevojitej”.  

“Ne jemi duke kërkuar çdo orë, çdo sekondë në çdo zonë të detit,” përfundoi ai. 

Tani janë vënë në lëvizje 40 anije dhe 34 avionë nga 9 vende të ndryshme, të cilat marrin pjesë në kërkimin në detin e Vietnamit dhe Malajzisë. 

Të shtunën në darkë, autoritetet vietnameze thanë se dy objekte janë parë në ujërat e Vietnamit jugor, që janë dukur si pjesë të avionit, ku bënte pjesë një derë. Por Azharuddin Abdul Rahman tha të hënën se kjo pamje nuk është verifikuar dhe mbetet ende e pakonfirmuar. 

Zyrtarët e ushtrisë malazeze thanë të shtunën se ata po e zgjeronin zonën e kërkimit për shkak të shenjave se avioni Boeing 777-200ER mund të jetë kthyer nga itinerari i programuar pak para se të zhdukej nga ekrani i radarëve. 

Hetuesit po e shohin nga të gjitha këndet, duke përfshirë një sulm të mundshëm terrorist. Agjensitë anti-terrorizmit dhe FBI-ja janë të përfshira në operacion. Fokusi ka qenë tek dy pasagjerët që hipën në avion duke përdorur pasaporta të vjedhura. Agjensia ndërkombëtare policore, Interpoli ka konfirmuar se pasagjerët po udhëtonin me pasaporta italiane të vjedhura në Tajlandë vite përpara. 

Ronald Noble, sekretari i përgjithshëm i Interpolit tha në një deklaratë se ishte herët për të spekuluar për ndonjë lidhje midis vjedhjes dhe zhdukjes së avionit, mirëpo ishte “diçka me shumë rëndësi që një pasagjer të jetë në gjendje të hipë në një avion ndërkombëtar duke përdorur një pasaportë të vjedhur të listuar në të dhënat e Interpolit.”

Pasagjerët e avionit ishin nga 14 kombësi të ndryshme. Dy të tretat ishin nga Kina, ndërsa të tjerët nga Azia, Amerika e Veriut dhe Europa. 

Reporteri i BBC për Pekinin, John Sudworth thotë se të afërmit që po presin për ndonjë lajm janë shumë të frustruar pasi nuk po marrin asnjë informacion. Ata janë ankuar se zyrtarët e qeverisë nuk i kanë vizituar familjet e tyre. Ndërkohë mbreti i Malajzisë, Abdul Halim Mu’adzam Shah shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e pasagjerëve. 

“Malaysia Airlines” është kompania kombëtare e vendit, e cila transporton 37 mijë pasagjerë çdo ditë në 80 destinacione në të gjithë botën.

Ditën e hënë, aksionet e saj ranë me një shifër rekord me 18%./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button