Lorik Cana e vendos, do martohet me Monikën

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, i jep fund beqarisë duke vendosur të martohet. Dasma është planifikuar të bëhet në muajin qershor dhe këtë gjë e ka konfirmuar edhe i ati i Lorikut, Agim Cana, në një intervistë dhënë për mediat italiane. Ndërsa mes shumë batutash e ka pranuar edhe vetë Loriku. Muaj më herët, duke folur për mediat atje, Loriku e ka bërë të ditur se është përshtatur shumë mirë me realitetin e kryeqytetit italian edhe falë njohjes me Monikën.

“Me Monikën jemi njohur prej më shumë se dy vitesh. Ajo është studente për Arkitekturë. Unë e dua shumë, jemi vërtet mirë së bashku. Asnjëherë nuk mund ta dish të ardhmen e një marrëdhënieje, por shpresojmë që lidhja jonë të vazhdojë në mënyrën më të mirë. Ajo është një vajzë spontane dhe përpiqet të përshtatet me rutinën time të futbollit. Është e vetëdijshme për nevojat e mia dhe më mbështet fort. Me kalimin e kohës të duhet të mendosh edhe për krijimin e familjes tënde. Futbollistët janë shumë të zënë në fakt, ndaj nuk mund t’i gëzojnë sa duhet avantazhet që të jep jeta. Personalisht jam i përkushtuar për të ndërtuar një të ardhme të mirë, por kurrë nuk do ta harroj dashurinë e familjes, e cila më qëndron shumë afër. Unë u rrita me gjyshen time, e cila më mësoi të gatuaj shumë gjëra. Kam qenë shumë i shëndetshëm fëmijë. I dua shumë pjatat tradicionale që gatuhen në Kosovë. Ne kemi punuar si një ekip në familje, ndaj edhe kemi bërë përpara”, ka theksuar më tej Loriku. 

I pyetur gjatë konferencës për shtyp vetëm pak ditë më parë nëse do të ndjekë shembullin e ish-kapitenëve Altin Lala dhe Erion Bogdani, të cilët po ashtu janë të martuar me italiane, Cana është përgjigjur: ”Nuk bën mirë me prish rregullin, apo jo? Jam drejt asaj rruge dhe shpresoj të jem aq i lumtur me të dashurën time, sikundër janë edhe ata”, është shprehur Loriku. 

SHOFERI I DEHUR FUTET ME MAKINË NË LOKALIN E CANËS 

Gjatë javës që kaloi, në zonën e ish-Bllokut është thyer fasada e lokalit të futbollistit të njohur, Lorik Cana. Sipas asaj që është shkruar në media, punonjësit kur kanë shkuar si zakonisht në punë, nuk kanë gjetur “pamjen e përditshme”. Lokali ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe në hyrje të tij ka pasur një grumbull të madh xhamash të thyer. Shoferi ka humbur kontrollin ndaj automjetit dhe në këtë mënyrë ka thyer fasadën prej xhami të lokalit. Në fund të vitit 2012 Cana hapi biznesin e tij, pra këtë lokal verërash franceze, në të cilin gjenden 76 lloje verërash nga vende të ndryshme të botës. Aksioner kryesor i këtij lokali është i ati i tij, Agimi./Panorama/

Lajme të ngjashme

Back to top button