Fuqia e lirë punëtore, përparësi ose dobësi?

Shpallje për punësime në kompanitë e huaja. Jepen rroga prej tetë mijë denarë e më lartë, varësisht nga angazhimi dhe përgatitja profesionale. Rrogat, të cilat sipas ligjit, punëdhënësit e huaj duhet t’i publikojnë në shpalljet për punësim, e hapën dilemën se rrogat e ulëta a janë përparësi ose dobësi për ekonominë. Gjykuar sipas deklaratave të funksionarëve qeveritarë, fuqia e lirë punëtore është njëri nga argumentet me të cilat pushteti dëshiron t’i tërheqë investitorët e huaj. Nga ana tjetër, analizat tregojnë se edhe më tej jazi ndërmjet rrogave të ulëta dhe atyre të lartë është akoma i madh. Hulumtimi i fundit “Pasuria dhe varfëria në Maqedoni” tregon se rroga më e lartë neto është për 245 herë më e madhe se sa rroga mesatare në vend. 

Cilat rroga janë më të larta, cilat rriten e cilat zvogëlohen? 
Qeveria nuk deshi t’i komentojë rrogat e subvencionuara të cilat i ofrojnë investitorët e huaj në Zonat e lira ekonomike. Me fillimin e këtij viti, një pjesë e kompanive publikuan shpallje për punësim ku ofrohej rrogë prej 8.800 denarësh, sa është rroga minimale e caktuar me ligj. Kështu, “Krombert dhe Shubert” nga Manastiri kërkonte punëtore për 8.800 denarë ndrësa Xhonson Kontrolls ofroi rrogë prej 9.000 deri në 15.000 denarë, por për kuadro me arsim të lartë. Kompania “Kemet Elektroniks”, e cila punon në zonën industriale të Shkupit ofronte 20 mijë denarë. Përfaqësues qeveritarë refuzuan ta komentojnë lartësinë e rrogës që e ofrojnë të huajt, me arsyetimin se bëhet fjalë për kompani private. Një pjesë e kompanive informuan se shumat në shpallje nuk kanë qenë të sakta. Ekspertët përkujtojnë se bëhet fjalë për rroga, për të cilat kontributet, gjegjësisht të dhënat janë obligim i shtetit, gjegjësisht i qytetarëve dhe i firmave që janë të obliguar tatimorë dhe që e mbushin buxhetin. Mu fuqia e lirë punëtore promovohet si një nga atutë kryesore para investitorëve të huaj.  
“Maqedonia tepër reklamohet si vend me fuqi të lirë punëtore. Ajo që është me rëndësi është se investitorët në Zonat e lira ekonomike në një periudhë të caktuar kohore nuk paguajnë kontribute dhe të dhëna të tjera për rrogat e të punësuarve, që do të thotë se shteti në këtë mënyrë jo vetëm që nuk mund të presë të hyra, por ka të dala për t’i mbuluar këto shpenzime. Në vend që të përkrahë modele të këtilla të benificioneve, politikat qeveritare duhet të shkojnë në drejtim të përkrahjes të organizatave sindikale që do të luftojnë jo për çfarëdo lloj rroge, por për rrogë më të lartë” – vlerëson profesor Savevski. 
Në ndërkohë, statistika shënon rritje të butë të rrogës mesatare neto, ndërsa te rroga reale – rënie. Kështu, me përfundimin e vitit 2013, rroga mesatare neto për një vit ose për vitin 2013 në krahasim me vitin 2012 është rritur për 1,2% ndërsa rroga reale neto është zvogëluar për 1,6%. Sipas ekonomistëve, është rroga mesatare ajo që e pasqyron realitetin, por ajo nuk matet.
“Rroga mesatare neto të cilën e mat Enti shtetëror i statistikës është rezultat i shumës së të gjitha rrogave dhe pastaj llogaritet mesatarja. Matematikisht, kjo është kështu. Por, rroga mesatare neto nuk e pasqyron gjendjen me rrogat e të punësuarve. Analiza jonë “Pasuria dhe varfëria në Maqedoni” tregon se vetëm 15 përqind e të punësuarve marrin rroga më të larta se sa mesatarja, ndërsa 72 përqind janë nën mesataren. Sipas disa hulumtimeve, rroga mesatare, e cila sipas meje duhet të jetë reper, në vend sillet ndërmjet 16.000 deri në  17.000 denarër”- thotë profesori Savevski. 
Sipas statistikës zyrtare, rroga më të larta marrin të punësuarit në veprimtaritë financiare. Rroga mesatare neto që është paguar vitin e kaluar ka qenë 37.583 denarë, por njëkohësisht në këtë sektor rritja e rrogave është e ngadalshme, gjegjësisht vitin e kalua ato janë rritur vetëm për gjysmë përqind në krahasim me vitin 2012. Sipas lartësisë të rrogave, pas bankierëve dhe të punësuarve në kompanitë e sigurimit, janë të punësuarit në sektorin e informatikës dhe të komunikimeve me rrogë mesatare prej 35.214 denarë, e pas tyre si më të paguar janë veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike, ku rroga mesatare është 27.488 denarë. Por, analiza e numrave tregon se në këtë sektor rrogat janë zvogëluar për 2,2%. 
Ja sa është rroga mesatare neto që paguhet në veprimtaritë tjera: 
Administratë publike dhe mbrojtje 25.054 denarë
Transport dhe magazinim 22.399 denarë
Tregti 19.263 denarë
Ndërtimtari 17.302 denarë
Të punësuarit në bujqësi dhe në industrinë e përpunimit të ushqimit, të cilat janë edhe më të mëdha, edhe më teh kanë rroga më të ulëta. Kështu, rroga mesatare neto që është paguar në industrinë e përpunimit të ushqimit në vitin 2013 ka qenë 15.747 denarë, ndërsa në bujqësi dhe në pylltari ka qenë 15.639 denarë.
Atë që e potencojnë ekspertët është jazi i madh ndërmjet rrogave më të ulëta dhe atyre më të larta. Kështu, në hulumtimin “Pasuria dhe varfëria në Maqedoni” shkruan:
“Ajo që rroga më e lartë neto është 245 herë më e lartë se se rroga mesatare neto, faktikisht do të thotë se ai që merr rrogë mesatare duhet të punojë 245 muaj ose pothuajse 20 vjet e 5 muaj që të fitojë vetëm një rrogë të menaxherit më të paguar në vitin 2011. Krahasimi me rrogën minimale është edhe frapant. Rroga minimale prej 8.050 denarësh, që është paraparë në shumë sektorë për vitin 2012, është 631 herë më e ulët se sa rroga më e lartë e vitit 2011. Me fjalë të tjera, punëtori që merr rrogë minimale duhet të punojë 631 muaj ose pothuajse 52 vjet e 7 muaj që të fitojë vetëm një rrogë të menaxherit më të paguar në vitin 2011”, konstatojnë përpiluesit e hulumtimit. 
Rrogat e ulëta në vend, të prezantuara si harxhim i ulët operativ për investitorët, e futën Maqedoninë në grupin e destinacioneve atraktive për investim. Sipas magazinës “Forbs”, rrogat në vend janë për 50% më të ulëta se sa ato në vendet e tjera të Evropës Lindore.

Aneta Dodevska, Portalb

  

Lajme të ngjashme

Back to top button