Dhuna seksuale gjatë luftës

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry dhe homologu i tij britanik William Hague po i bashkohen nismës ndërkombëtare për të ndalur dhunën seksuale në konflikte të armatosura. Përdhunimi është përdorur në mbarë botën si mjet për të mposhtur dhe demoralizuar individë dhe për të ndarë komunitete të tëra. Edhe pse shumica e viktimave janë gra, burrat mund të jenë viktima gjithashtu. Zoti Kerry dhe Hague morën pjesë në një diskutim në Uashington rreth masave për ndalimin e këtij lloj krimi, transmeton Zëri i Amerikës.

Forcat e armatosura përdorin dhunën seksuale si shpërblim lufte për ushtarët e tyre, për të terrorizuar popullatat që ata duan të mposhtin, ose për t’i detyrojnë të braktisin shtëpitë. Sekretari amerikan i shtetit John Kerry tha se kjo lloj dhune ka zgjatur shumë pa u ndëshkuar, dhe Shtetet e Bashkuara duan ta ndryshojnë këtë gjendje.

“Që sot e tutje, askush në nivelin më të lartë ushtarak ose qeveritar që ka kryesuar, ka marrë pjesë ose ka ditur për këto sulme, nuk do të marrë vizë amerikane,” tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Zoti Kerry tha se çdo ambasadë amerikane do të njoftohet për këtë vendim

“Duhet të paguhet një çmim,” tha ai.

Sekretari i Jashtëm britanik William Hague tha se gjatë viteve të fundit, dhuna seksuale në konfliktet në Bosnje, Darfur, Liberi, Guatemalë dhe shumë vende të tjera janë goxha të dokumentuara, dhe nuk mund të injorohen.

“Është një përgjegjësi morale, por edhe për parandalimin e konflikteve, për t’i ardhur në ndihmë komuniteteve që të punojnë bashkë pas konflikteve, është një çështje morale e rëndësishme e kohërave tona.”

Zoti Hague tha se ajo që ka munguar në luftën ndërkombëtare kundër kësaj lloj dhune është angazhimi i qeverive të mëdha. Ai tha se pjesëmarrja e Britanisë do të ketë ndikim sepse vendi ka një nga rrjetet më të mëdha diplomatike në botë.

Përfaqësuesja e Posaçme e OKB-së Zainab Hawa Bangura nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes së meshkujve në luftën kundër një krimi që prek më shumë gratë. Ajo tha se Kombet e Bashkuara kanë miratuar rezoluta kundër dhunës seksuale.

“Sfida është se ç’të bëjmë që qeveritë, në nivelin kombëtar, të marrin përgjegjësi për të zbatuar vendime për të cilat kanë rënë dakord me Kombet e Bashkuara.”

Zonja Bangura tha se nënshkrimi i rezolutës nga 140 vende kundër dhunës seksuale ka patur ndikim. Ajo tha se detyrimi për parandalimin e saj është tashmë pjesë e çdo negociate për një marrëveshje paqeje, transmeton Zëri i Amerikës.

Zonja Cathy Russell, ambasadorja amerikane për çështjet globale të grave tha se gjyqet e përkohshme të përdorura në Republikën Demokratike të Kongos kanë qenë më të shpejta dhe të efektshme se sa gjykatat ndërkombëtare në lidhje me ndëshkimin e njerëzve përgjegjës për dhunën seksuale gjatë kohëra lufte.

“Ka gjykatës, prokurorë kongolez që udhëtojnë nëpër Kongo dhe dëgjojnë rastet në komunitetet. Procesi zgjat dy javë dhe drejtësia vendos menjëherë,” tha zonja Rusell.

Ambasadorja për çështjet globale të grave Russell tha se është shumë e rëndësishme për viktimat që të shohin vendosjen e drejtësisë.

Zoti Kerry dhe Hague theksuan se mënyra më e mirë për të frenuar krimin është që të dënohen autorët. Britania do të organizojë në Londër në muajin qershor një konferencë të madhe ndërkombëtare për dhunën seksuale gjatë luftës.

Lajme të ngjashme

Back to top button