Me benzinë duke fikur zjarrin maqedonas

Vendimi i presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për t’ia mohuar të drejtën liderit socialdemokrat Zoran Zaev për të krijuar qeverinë e re, ndonëse ka shumicën e nevojshme me 67 deputetë, pakkënd e ka befasuar, por shumëkënd e ka shqetësuar, shkruan publicisti maqedonas Risto Popovski në një analizë për «Al-Jazeera Balkans». «Në vend se të ruajë unitarizmin dhe sovranitetin, me të cilat e shpjegoi vendimin e tij, Ivanovi hodhi benzinë në nacionalizëm dhe tensione ndëretnike, ndërsa krizën shumëvjeçare e kulmoi, pas së cilës të gjitha opsionet janë të hapura».

Sipas Popovskit mbështetësit e ish-kryeministrit Nikola Gruevski e kanë përkrahur vendimin e Ivanovit, ndërsa vetë Gruevski me manipulime se Maqedonisë tani i kërcënohet federalizimi u ka bërë thirrje ithtarëve të tij të dalin në rrugë duke u përpjekur që kështu të pengojë largimin e tij nga pushteti dhe skena politike.

Popovski thekson se është inkurajuese që si Zaev ashtu edhe krerët e partive politike shqiptare kanë bërë thirrje për qetësi. «Gruevski është inspiruesi i drejtpërdrejtë i retorikës nacionaliste, e cila ka vërshuar rrugët, dhe i ashpërsimit të tensioneve ndërnacionale. Sapo u bë e qartë se lideri i opozitës Zaev ka siguruar shumicën në parlament dhe mund të krijojë qeverinë, Gruevski në një intervistë dhënë televizionit të përzemërt ndaj tij Sitel hapur bëri thirrje që populli të dalë në rrugë», shkruan Popovski.

Sipas analistit maqedonas skenari për protesta ishte i përgatitur paraprakisht. Nga skutat e harruara nacionaliste ka vërshuar rrugët një nacionalizëm primitiv, i cili me parulla kundër shqiptarëve mbron Nikola Gruevskin dhe jo shtetin. «Është ironike dhe absurde që protestat të cilat mohojnë të drejtat e shqiptarëve po mbahen nën sloganin ».

Pas frikës së Gruevskit mbi rrezikun që gjoja i kanoset shtetit fshihet etja për pushtet, paniku për shkak të humbjes së pushtetit të pakufizuar dhe pasiguria në lidhje me hetimet e Prokurorisë Speciale mbi krimin dhe korrupsionin në kreun e partisë së Gruevskit VMRO-DPMNE, nënvizon Popovski. /D.P

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button