38-vjeçarja shqiptare vret 3 vajzat: Shmanga të ardhmen e tyre të dëshpëruar

 “I vrava unë për të shmangur të ardhmen e dëshpëruar që i priste përpara”. Kështu u tha karabinierëve 38-vjeçarja shqiptare Edlira Dobrushi, e cila vrau mëngjesin e sotëm me thikën e kuzhinës tre vajzat e saj të mitura: Sidnin 3 vjeç, Kesin 10-vjeçare dhe vajzën më të madhe Simonën, vetëm 13 vjeç.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e tyre, në periferi të Lecco-s në Itali. Autoritetet italiane u njoftuan për krimin nga fqinjët e familjes shqiptare, të cilët kishin dëgjuar thirrjet e vajzave për ndihmë, teksa përpiqeshin t’i shmangeshin përpjekjeve të nënës së tyre për t’i qëlluar me thikë.

Kur mbërritën në apartamentin e vogël ku jetonte gruaja e divorcuar, karabinierët u përballën me një skenë horror, pasi gjithçka ishte mbuluar në gjak, ndërsa 38-vjeçarja, me plagë në duar e qafë, në gjendje shoku, ishte shtrirë përpara portës së banesës.

Ndërkohë vajzat e mitura u gjetën pajetë në një krevat, ku i kishte vendosur gruaja, pasi kishte kryer krimin.

Sipas mediave në Itali, babai i vogëlusheve, Bashkim Dobrushi ishte nisur një ditë më parë për në Shqipëri. Ai u njoftua për ngjarjen e rëndë nga policia shqiptare, sapo zbriti nga trageti në portin e Durrësit. Çifti ishte divorcuar formalisht që në muajin shtator, ndërsa ligjërisht kishin firmosur ndarjen në muajin shkurt.

Bashkim Dobrushi jetonte prej 15 vitesh në shtetin fqinj, ku punonte në një ndërmarrje metalesh dhe u kishte rrëfyer kolegëve se ishte divorcuar nga e shoqja, për shkak të krizave të depresionit që ajo kishte shfaqur kohët e fundit.

Bashkim Dobrushi kishte kërkuar dy javë leje për të vizituar nënën e tij në Kukës, të cilës do t’i shpjegonte arsyet e ndarjes nga e Edlira.(BW)

Lajme të ngjashme

Back to top button