Trump “tallet” me të gjithë: Letra kopje Ramës e Nishanit

Kanë qenë 6 minuta që hutuan politikën shqiptare. Në orën 15:30 të së premtes, kryeministri Edi Rama nxori letrën që i kishte ardhur nga adresa më e famshme në botë: Shtëpia e Bardhë, njofton Top Channel.

“Faleminderit Presidentit Trump për mesazhin e tij”, shkruante në fillim të statusit të Ramës në rrjetin social “Facebook”.

Mesazhi ishte një kthim protokollar diplomatik ndaj urimit që kryeministri shqiptar i çoi Donald Trumpit pas zgjedhjes. Por ndërkohë para zgjedhjes…

“Zoti e ruajttë Amerikën nga ky lloj personazhi. Udhëheqës apo njerëz nga jashtë Amerikës detyrohen të flasin dhe për më tepër që kryeministri i Shqipërisë, një vend ku ka myslimanë, me të cilët Amerika duhet të jetë krenare. Sipas Donald Trumpit, Shtëpia e Bardhë dhe administrata amerikane duhet të mbështesin Milosheviçin”, thoshte Rama në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla të realizuar në Uashington.

Kryeministri shqiptar dukej i lehtësuar nga kjo letër, që e reklamoi jo pa krenari. Por pak minuta më vonë, i njëjti tekst doli edhe nga zyra e Presidentit të Republikës.

“Kreu i shtetit mori këtë mesazh urimi nga Presidenti Donald Trump”, shkruante ndër të tjera zëdhënësja e Presidencës.

I njëjti tekst, të njëjtat fjalë. Qëllimi, i qartë. Presidenca deshi t’i tregojë kryeministrit pikërisht këtë: që ky mesazh nuk kishte asnjë vlerë, veç asaj protokollare.

Fakt është që kjo letër vërtet nuk është më shumë se kaq dhe se Donald Trump dhe administrata e tij ka zgjedhur që për momentin me Shqipërinë, raportin ta ketë të njëjtë siç e ka pasur më parë. Pavarësisht kritikëve dhe adhuruesve të tij të shumtë në Tiranë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button