Maqedoni, keqpërdorimi i dygjuhësisë për krijim të frikës te maqedonasit

Aktivisti qytetar dhe gazetari, Petrit Saraçini, thotë se në këtë periudhë termi “dygjuhësi” keqpërdoret me qëllim që të krijohet frikë te maqedonasit, njofton REL në gjuhën maqedonase. Sipas Saraçinit, nuk bëhet fjalë për dygjuhësi, por për të drejtë të shqiptarëve që ta përdorin gjuhën e tyre në komunikim me institucionet e sistemit në vend dhe t’u kthehen dokumentet dhe informatat në gjuhën amë, i cili është në përdorin zyrtar në Maqedoni, transmeton Portalb.mk.

Megjithatë, nëpërmjet shembujve konkret, ai shpjegon se ligji aktual për gjuhët, jo çdo kund është përdorur ashtu siç duhet, që paraqet problem në përditshmërinë e qytetarëve shqiptarë për t’i fituar të drejtat dhe obligimet e tyre.

“Shkoni në ueb-faqen e Byrosë për Zhvillim të Arsimit, Ministrisë së Arsimit. Ajo byro duhet të ketë plan, program, udhëzime, këshilla për mësuesit që t’i ligjërojnë lëndët në mënyrë të përshtatshme. Të njëjtat programe duhet të jenë edhe në shqip, për mësuesit shqiptarë të cilët u ligjërojnë nxënësve të tyre. Në faqe dokumentet janë vetëm në gjuhën maqedonase. Ose shkoni në faqet e institucioneve ku udhëheqësit nuk janë shqiptarë, do të shihni se në ueb-faqet e tyre ose nuk ekziston gjuha shqipe, ose nëse është, megjithatë e njëjta nuk përditësohet vazhdimisht”, thotë Saraçini.

Profesoresha universitare, Besa Arifi, sqaron se ligji për gjuhët i cili është i propozuar në Platformën Shqiptare, nuk do të thotë asgjë tjetër, përveç zbatimin e amandamentit 5 të Kushtetutës, i cili jep mundësi për shfrytëzim zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet. Sipas saj, Platforma e partive shqiptare është përpjekje e fundit e partive që t’i tejkalojnë temat ndëretnike dhe ë bëjnë diçka në lidhje me përparimin e të drejtave etnike kolektive.

“Mendoj se ajo nuk e zvogëlon rëndësinë e këtyre të drejtave etnike dhe kolektive, pasi që ata janë të drejta shumë të rëndësishme të cilat i përkasin atij komuniteti etnik me Kushtetutë dhe ligje”, thotë Arifi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button