2 shpërthime me eksploziv gjatë natës, arrestohet i dyshuari i ngjarjeve

Qyteti i Fushë-Krujës është goditur sërish nga dy shpërthime me eksploziv gjatë natës së kaluar. Shpërthimi i parë ka ndodhur në një banesë në fshatin Larushkë dhe eksplozivi tjetër ishte vënë në një makinë në fshatin Arameras. Nga shpërthimet nuk raportohen persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Ndërkohë Policia e Fushë-Krujës bën me dije se ka arrestuar edhe autorin e dy shpërthimeve. Ilir Hyka, 40 vjeç është i dyshuari kryesor i dy shpërthimeve të natës së fundit në qytetin e Fushë-Krujës. Mësohet se pronari i makinës dhe ai i banesës ku Hyka ka vendosur eksplozivin kanë biznese në tokat e Hykës, duke shkaktuar kështu konflikte mes këtij të fundit dhe pronarëve. Sipas policisë konflikti për pronën është edhe shkaku i dy ngjarjeve të mbrëmshme.

Policia sqaron se në fshatin Arameras është dëmtuar një makinë e llojit “Benz ML”, në pronësi të Mereme Selës, ndërsa në fshatin Larushkë është dëmtuar një banesë. Ende nuk dihet se kush ishte shënjestra e këtyre shpërthimeve, ndërsa polica po heton mbi ngjarjet, pasi mendohet se përveç personit të arrestuar mund të këtë edhe persona të tjerë që janë pjesë e shpërthimeve me lëndë plasëse. 

Kohët e fundit qyteti i Fushë-Krujës është bërë objekt i shpërthimeve me lëndë plasëse. Dy shpërthimet e ndodhura mbrëmë e çojnë në katër numrin e shpërthimeve me eksploziv brenda një periudhe kohore prej rreth dy muajsh. 

Shpërthimi i parë u regjistrua më 20 janar, kur persona ende të paidentifikuar hodhën një sasi tritoli në ambientet e Komisariatit të Fushë-Krujës, ku fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Shpërthimi i dytë u krye para gjashtë ditësh, ku disa persona hodhën një granatë brenda murit rrethues të komisariatit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. 

Këto shpërthime kanë bërë që ministri i Brendshëm Saimir Tahiri së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, të zhvillojnë natën e 7 marsit një kontroll të befasishëm në Komisariatin e Fushë-Krujës, për të inspektuar nga afër punën e këtij komisariati./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button