Vettingu, Rama: PD dhe gjyqësorin i lidh mëkati

Për kryeministrin Edi Rama, opozita e ka braktisur Parlamentin dhe ka zbritur në çadrën e protestës vetëm me një qëllim, njofton Top Channel.

“Ata nuk e duan Vettingun. Sepse lidhjet e tyre me pushtetin gjyqësor janë lidhje në mëkat. Humbja e tyre është është ekspozim përballë mëkateve. S’ka asnjë mundësi tjetër për të arsyetuar këtë mungesë kur e gjithë retorika e tyre lidhet me krimin, drogën dhe për të arsyetuar faktin që ata po humbasin mundësinë që kanë për të përzgjedhur 50% të anëtarëve të komisioneve të Vettingut. Nuk e shfrytëzojnë mundësinë që iu ka dhënë Kushtetuta. Kush i përjashtoi dhe kush i detyroi të thonë jo? Lufta kundër krimit dhe drogës thonë ata s’kanë lidhje me drogën, krimin, gjykatat e prokurorët, s’ka lidhje me Vettingun por ka lidhje me qeverinë. Ku ka lidhje?”, deklaroi Rama.

Rama tha se mazhoranca është e vendosur t’i hapë rrugë Vettingut, ndonëse opozita prej dy javësh mungon në Parlament, por e ka zhvendosur atë të fundit në çadrën e protestës, shndërruar tashmë sipas demokratëve në Parlamentin e qytetarëve.

Për kryeministrin, pallati i drejtësisë duhet të pastrohet sa më parë, si e vetmja mundësi për t’i hapur rrugë reformave dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

“Këtë aleancë nuk e lëkund asnjë gozhdë. Jemi të vendosur. 90% e shqiptarëve e duan Vettingun. Reforma dhe vettingu janë kyçe në funksion të ekonomisë dhe punësimit. Nëse siguria juridike nuk është 100%, nuk ka asnjë grup investitorësh që vjen të investojë 1 mln dollar në turizëm, për komplekse me 5 yje. Vetëm Vettingu i hap rrugë këtyre investimeve. Vettingu bën një ndarje me thikë brenda për brenda sistemit të drejtësisë. Kush përzihet në krime, jep llogari për krimet. Kush kalon testin, të shërbejë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve”, tha Rama.

Rama shprehu një qëndrim edhe për deklaratat e bëra nga opozita në ditët e protestës. “Janë konsum i kohës dhe mënyrë për të siguruar një vend pune këtu në Parlament”, tha Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button