Shkupi sundoi në derbin shkupjan

Shkupi ka treguar forcën e vërtetë përballë rivalit lokal “Skopje”, duke e mundur këtë të fundit me rezultatin 3:0.

Gjithçka filloi mirë për djelmoshat nga Çairi, të cilët kanosjen e parë e kishin që në minutën e 2-të, kur Bujamin Asani provoi goditjen e tij nga distanca, por që u ndal nga portieri mysafir. Kjo goditje ishte si paralajmërim për golin e parë që u shënua në minutën e 11-të nga ana e sulmuesit Goran Stankovski.

Ky gol solli mjaft gëzim në mesin e armatës së madhe të tifozëve të Shkupit, të cilët vetëm 7 minuta më pas iu gëzuan edhe golit të dytë. Ardian Nuhiu nga e djathta harkoi në zonën kundërshtare deri te Goran Stankovski, i cili me kokë shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e mysafirëve nga Autokomanda.

Bujamin Asani vetëm një minutë më vonë sërish provoi gjuajtjen e tij nga disatnca, por edhe kësaj radhe më i suksesshëm doli të jetë portieri i “Skopjes”.

Deri në mbyllje të pjesës së parë regjistruam edhe dy tentativa të futbollistëve vendas përmes Florent Osmanit dhe Goran Stankovskit, i cili në tre minuta para mbylljes së 45 minutave të para mund të shënonte edhe golin e tretë, në rast se do kishte zgjedhur ndonjë mënyrë tjetër në vend që të lobojë portierin mysafir, Marjan Cvetanovski.

Në këtë mënyrë pjesa e parë u mbyll me dy gola epërsi për “bardhekaltërit” e trajnerit Zekirja Ramadani, të cilët me lojë të sigurt dhe mbizotërim të topit vazhduan edhe në pjesën e dytë.

Në minutën e 57-të Florent Osmani shënoi një gol të bukur nga distanca për të ngritur epërsinë e Shkupit në 3:0, ndërkohë Ardian Nuhiu në minutën e 64-të duhet të kishte vepruar më shepjtë para mbrojtjes mysafire, e cila në momentin e fundit e devijoi topin në rivënie nga këndi. Në fund fitore më se e merituar e Shkupit, skuadër kjo që dëshmoi se bëhet fjalë për një skuadër kompakte dhe mjaft cilësore, e cila me siguri që do të luajë një rol të madh në pjesën e dytë të kampionatit në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë.

Golashënuesi i dysfishtë i ndeshjes, Stankovski është shprehur i kënaqur me lojë, duke thënë se kishte sado pak presion psikik para ndeshjes.

“Gjithçka filloi mbarë dhe përfundi mirë. Ne arritëm shumë shpejtë të shënojmë dhe të gjithë e dinim që deri në fund tani do të kishim lojë edhe më të sigurtë dhe më të qetë. Tani është një situatë shumë më ndryshë se ajo e sezonit vjeshtor, është evidente se kemi një ekip shumë më të fortë dhe se për ne secila ndeshje do të jetë finale dhe se duhet të marrim pikë në të gjitha ndeshjet. Me një qasje si në këtë ndeshje, gjithsesi do të kemi suksese”, ka thënë Stankovski Falë kësaj fitore Shkupi tashmë ka arritur në kuotën e 25 pikëve, duke u barazuar me “Skopjen”.

Lajme të ngjashme

Back to top button