Edhe një arsye pse na duhet edukimi fetar

Kosova, siç dihet, po vuan nga shumë probleme të natyrave të ndryshme. Përditë e më tepër po shfaqen probleme të reja duke na bërë me dije se ato nuk janë vetëm të natyrës politike dhe ekonomike. Problemet shoqërore duket të jenë edhe më të mëdha. Zhveshja nga kultura tradicionale që kemi pasur, e cila në thelb kishte pikënisje nga feja, po sjell pasoja të rënda.

Lajmet për gjetjen e një foshnje të abortuar në Pejë, të cilën e kishin ngrënë macet, janë lajme trishtuese dhe alarmuese për të ardhmen e këtij vendi. Vlerat kuptimore, botëkuptimi, vlerat shpirtërore dhe morali janë ato që gjithmonë mbajnë gjallë një kulturë njerëzore. Transformimi ynë me këtë shpejtësi nuk do të na shpie askund tjetër përveçse në një humnerë të sigurt. Tashmë nuk kemi të bëjmë më vetëm me çoroditje morale dhe njerëzore por edhe me pasojat e saj. Pra po përballemi me pasojat kriminale të çoroditjes morale. E ky, me sa duket, është vetëm fillimi. Pasojat do të mund të jenë edhe më të mëdha. Gjasat që ato të na përfshijnë të gjithëve, dalëngadalë, janë të mëdha. Muhamedi [alejhi selam] e ngjasonte shoqërinë me anijen. Nëse një pjesë e udhëtarëve hapin një vrimë në anije, e të tjerët nuk i ndalojnë, atëherë që të gjithë do të fundosen së bashku.

Meqë e përjetova shumë rëndë këtë lajm, do të përpiqem që këtë akt të shëmtuar ta trajtoj jo vetëm si dukuri, por si një fakt shtesë se përse kjo shoqëri e jona vërtetë ka nevojë për edukim fetar.

Feja jonë e shtrenjtë gjithmonë i qaset problemeve dhe dukurive nga baza, pra duke vënë në pah rrënjët ose shkaqet e problemit. Andaj para se të ndaloj aktin e shëmtuar të abortit dhe lënien e brezave të ri rrugëve, nën mëshirën e maceve, Islami përkujdeset që lidhjet në mes të njerëzve, respektivisht bashkëshortëve të jenë të shëndosha. Ndaj Islami e bëri martesën të vetmen linjë legjitime dhe të shëndoshë përmes së cilës gjinitë e kundërta mund të akomodojnë nevojat e tyre fiziologjike dhe kështu të ruajnë shëndetin e tyre, por njëherazi edhe llojin njerëzor, pra shtimin në mënyrë legjitime duke u ditur se kush kujt i përket.

Mu për këtë çdo kontakt intim në mes të të dy gjinive jashtë kurorës konsiderohet imoralitet, akt i shëmtuar dhe i dënueshëm në fenë tonë, për të cilin mëkat që të dy vepruesit konsiderohen të ngarkuar me gjynah të madh për të cilin kërkohet pendim i sinqertë dhe i parevokueshëm. Këtu nuk vjen në shprehje dëshira apo vullneti i njeriut, nëse njeriu me vetëdije e bën një akt të këtillë gjynahi është akoma më i madh, e nëse bëhet me imponim atëherë mëkati bie prej të imponuarit dhe dyfishohet mbi imponuesin, detyruesin apo dhunuesin. Prandaj masa e vetme preventive për t’u mbrojtur nga akte të këtilla të shëmtuara është largimi, respektivisht qëndrimi sa më larg imoralitetit. Këtu nuk ka vend shprehja se ka qenë vullnet i dy të rinjve apo ‘bëni dashuri, por mbrohuni nga Sida’, duke përdorë kontraceptivë të ndryshëm apo barëra. Kjo i bie sikur t’u themi të rinjve futuni në zjarr por laguni, ngase do të digjeni më ngadalë respektivisht flakët do t’ju arrijnë paksa me vonesë, edhe pse ato prapë do t’ju arrijnë. E çfarë dobie ka nëse digjesh më shpejt apo me ngadalë kur në të dy rastet je i djegur!

Mu për këtë Kur’ani Fisnik ka trajtuar thelbin e problemit duke potencuar:

“Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe rrugë shumë e keqe.” (Isra: 32)

Pra Kur’ani nuk tha ‘bëni dashuri, por bëjeni atë në mënyrë të mbrojtur’ siç po gënjejnë rininë tonë shumë individë e organizata. A thua vallë mund të mbrohet karburanti nga flakët apo baruti nga ndezja, kur të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, i tillë është edhe vrulli i rinisë. Joshje fiziologjike të pakontrolluara, veçanërisht në këto kohë të vështira, kur nëpër shkollat tona mund të gjesh gjithçka tjetër përveç dijes dhe vetëdijesimit.

Ndaj meqë filluam këtë temë me lajmin e hidhur të abortit në Pejë, nuk dua t’i mbetem borxh lexuesve në lidhje me abortin nga këndvështrimi islam.

Aborti sipas Islamit është një krim që kryhet në prapaskenë d.m.th. e ëma vret foshnjën e saj pas perdes, sa është akoma në bark, dhe me kaq përfundon skenari i përgatitur dhe i menduar, ku pjesëmarrës në këtë skenë krimi janë shumë bashkëpunëtorë. Vrasësi me paramendim-e ëma, vrasësi ekzekutues-mjeku apo gjinekologu, dhe vrasësit ndihmës-pra motrat apo stafi asistues gjatë abortimit. Natyrisht, ka raste kur mëkati i abortit është më i vogël, pra kur fetusi është akoma shumë fillestar, i paformuar, i deformuar tejmase apo që paraqet rrezik për të ëmën gjatë lindjes. Apo edhe nëse fetusi është zhvilluar, por jeta e nënës vihet në pikëpyetje dhe mjekët konsiderojnë rrezik për jetën e nënës, dhe njëherazi nuk janë të sigurt për jetën e foshnjës. Pra në këtë rast nuk mund ta rrezikojmë një jetë të sigurt -jetën e së ëmës- për një tjetër të pasigurt -jetën e foshnjës që do të vjen-. Por në këto situata gjithmonë duhet të kihen në konsideratë këshillat e mjekëve të besueshëm dhe profesionalë e po ashtu aborti, nëse kryhet, bëhet me lejen dhe konsultimin e bashkëshortëve duke u treguar atyre rreziqet por edhe pasojat.

Ndërsa krimet që ndodhin, e që ne i quajmë aborte, pavarësisht se ato ndodhin për pikë qejfi, nga mosdëshira për të pasur fëmijë në një fazë të caktuar apo për ‘ta ruajtur fytyrën’ e një të pafytyre, kjo nuk ka dyshim së nuk ka asnjë arsye të vetme, dhe mjerë për të gjithë ata që marrin pjesë në këtë krim të orkestruar. Imagjino, lexues(e) i/e nderuar, duke u munduar ta mbulojnë apo fshehin një krim moral, pra imoralitetin, njerëzit tanë shkojnë drejt një krimi njerëzor sikur që është vrasja e një të pambrojturi, foshnje e porsalindur, pa mëkate, pa asnjë pikë faji por edhe i(e) pa fat që vjen në jetë nga ‘bisha’ të atilla që i quajnë ‘njerëz’ madje nganjëherë edhe me tentativë këta/këto quhen ‘njerëz të moderuar’. Edhe bishat e egra kanë pak mëshirë për të vegjlit e tyre, së paku nuk i braktisin që kafshët tjera të ushqehen me ta, ndërsa ‘bishat’ në formë dykëmbëshe nuk kanë as vetëdije e as mëshirë për këtë kategori të pafajshmish. A thua vallë si do t’i përgjigjen Zotit këta njerëz kur Allahu i Madhërishëm t’i pyes:

“Foshnjat e mbytura për çfarë faji (mëkati) ishin mbytur.” Tekvir: 8-9)

Prandaj sikur që potencuam më lart, Islami i kushton rëndësi tejet të madhe moralit dhe pastërtisë njerëzore. Zoti Fuqiplotë kur na shpjegoi cilësitë e besimtarëve dhe besimtareve të sinqertë(a) vuri në pah pikërisht pastërtinë e tyre shpirtërore dhe morale:

“Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët. Të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit, që i shmangën të kotës (fjalë a punë), që rregullisht e japin zeqatin, dhe të cilët (e të cilat) e ruajnë nderin e vet (sa i përket jetës intime), me përjashtim ndaj grave të veta (me kurorë) dhe ndaj atyre që i kanë në pronësinë e vet, për të cilat nuk janë të qortuar, e kush kërkon (dëfrim) përtej tyre (nga të ndaluarat), të tillët janë ata që e kanë tejkaluar kufijtë…” (Mu’minun: 1-7)

Ndaj morali në Islam është prej çështjeve primare që e bën besimtarin dhe besimtaren të denjë t’i përkasin kësaj feje. Mu për këtë kur e pyetën Muhamedin [alejhi selam]: “Kush do të hyjë më së lehti apo më së shpejti në Xhenet?”, Personi që posedon moralin më të mirë” – u përgjigj ai. Ndërsa në kontekstin e ruajtjes së nderit dhe moralit Muhamedi [alejhi selam] tha:

“Kush më garanton gjuhën e tij/saj (se nuk do të flasë çfarëdo) dhe ruajtjen e nderit, unë do t’ia garantoj Xhenetin.”

E sa fjalë të mëdha e mësime të ndritshme ofroi gjithmonë ai i dashur dhe i nderuar, ah sikur populli im të kuptojë vetëm pak nga nektari dhe thesari i pashtershëm i Muhamedit [alejhi selam]!

Nuk bëhet jeta në tokë, të cilën e  fali Zoti, pa mësimet e Zotit, prandaj a nuk po e shihni o njerëz se ditë e përditë po thellohemi në krime morale e njerëzore si rezultat i largimit nga rruga e Zotit. A nuk do të ishte me mirë që në vend se t’i mësojmë të rinjtë tanë si të çnjerëzohen e të bëjnë ‘dashuri të mbrojtur’, që rezultojnë me foshnje ushqim për mace, t’i edukojmë ata/ato se dashuri e vërtetë është ajo që buron nga shpirti e jo nga epshet. Dashuri e cila nuk shuhet edhe në pleqëri, dashuri që njeriut i sjellë harmoni në këtë jetë dhe lumturi e prehje në botën tjetër. A nuk është rasti i fundit edhe një shkas i mirë për të menduar se Edukimi Fetar do të na ndihmonte t’i kalisim shpirtrat e t’i kultivojmë vlerat e larta të moralit dhe etikës.

O Zot udhëzoje popullin tim, se vërtet ai është një popull që nuk po merr mësim. E deri në shkrimin e radhës, es-selamu alejkum.

Lajme të ngjashme

Back to top button