Deputetet flasin për pozitën e femrës shqiptare

Ndonëse femra sot është më e përfaqësuar në jetën politike e shoqërore vetë nevoja e shqyrtimit të pozicionit të saj në shoqëri, dëshmon faktin që ajo akoma nuk gëzon respektin dhe vendin e merituar. Madje nëse këtu kemi parasysh faktin që përfaqësimi i saj garantohet përmes kuotave të ndryshme. Deputetet shqiptare në parlament shprehen se përkundër luftës që bëjnë për të çrrënjosur paragjykimet se femra mund të jetë dhe një deputete, mjeke, gjykatëse apo gazetare e suksesshme, megjithatë shoqëria jonë akoma nuk ka dalë nga petku maskilist. 

“Për të ardhur në këto pozita gruaja shqiptare në Maqedoni ka luftuar shumë, para se gjithash me paragjykimet dhe kufizimet e ndryshme”, thekson për Portalb, deputetja e PDSH-së Merale Ferati.

Sipas Feratit fatkeqësisht kjo betejë akoma nuk ka përfunduar. Akoma shumë luftë duhet bërë për t’i mundur stereotipat, dhe çrrënjosur ekskluzivitetin mashkullor qoftë në familje apo shoqëri. “Por nëse kemi parasysh elementin tradicional të shoqërisë shqiptare në Maqedoni, kjo nënkupton që ka akoma shumë për t’u bërë”, thekson ajo. 

“Politika për barazi gjinore dhe fuqizimin e grave paraqet një nga parimet fundamentale të demokracisë dhe rregullimit shoqëror. Roli i gruas në shoqëri ka qenë dhe mbetet i rëndësishëm në shoqëri. Gratë e ditëve të sotshme janë pjesëmarrëse në vendimmarrje, dinë të menaxhojnë biznese të ndryshme duke mos anashkaluar kujdesin mbi familjen”, thekson deputetja e BDI-së Dëshira Imeri.

“Gjithmonë më kanë penguar këto terme të ndara në gjini, por për fat të keq në shoqërinë tonë nuk mundet ndryshe”, shprehet deputetja e RDK-së, Flamure Demiri Kreci. 

Sipas Krecit edhe pse në shoqërinë tonë gjithçka fillon me “dorën e femrës”, megjithatë ky fakt mohohet nga shoqëria jonë maskiliste. Fatkeqësisht tek ne akoma meshkujt gëzojnë të drejtën absolute për proceset vendimmarrëse madje edhe për fatin e femrës. 

“Të gjitha sfidat dhe vështirësitë i kemi të të njejtës natyrë si meshkujt. Duke filluar prej problemeve në familje, në arsimimin e fëmijëve, në problemet ekonomike, shoqërore etj. Natyra jonë e ndjeshme dhe e brishte është ajo qe ndikon me tepër qe ne femrat i marrim problemet më me shume seriozitet dhe u qasemi për së mbari. Andaj mund të them lirisht se roli ynë është i dyfishtë me atë të meshkujve”, thekson Flamure Demiri Kreci. 

Dëshira Imeri thekson se subjekti që përfaqëson ajo, BDI, është parti politike që çdo herë femrave u ka lënë hapësirë të mjaftueshme për veprim politik në të gjitha strukturat partiake.

Nga ana tjetër deputetja e PDSH-së Merale Ferati, thekson se partia që përfaqëson ajo ne radhët e veta, gruas gjithmonë ia ka siguruar statusin e barabartë. “Kemi punuar në formë permanente që në tërë shoqërinë shqiptare gratë të arsimohen, të emancipohen, pasi kështu ndërtohet një shoqëri e shëndoshë dhe me potencial progresiv. PDSH-ja madje e para ka patur grua ministre, kandidate femër për president të shtetit, nënkryetare të partisë, kryetare te RDSH-se…”

“Edhe unë si Kryetare e forumit të gruas PDSH-së, si anëtare e strukturave më të larta partiake dhe  si deputete jam në funksion  do kisha thënë të misionit në  ngritjen e vetëdijes për rolin konstruktiv dhe kontributin që gruaja mund ta jep në zhvillimin e shoqërisë”, shton deputetja Ferati.

Sipas deputetes Flamure Demiri Krecit, RDK-ja bën përpjekje të shumta për të avancuar pozitën dhe rolin e femrës në shoqëri. Madje sipas Krecit është partia e vetme e cila nxit pjesëmarrjen sa më aktive të femrave në strukturat e saj, trajnon dhe përmes programeve të ndryshme përgatit femrat për të qenë konkurrente në çdo sferë.

Deputetja Merale Ferati sugjeron që shoqëria jonë ka nevojë më shumë se kurrë për pjesëmarrjen aktive të femrave. “Veçanërisht në këto kohë të vështira kur fëmijët shqiptarë rrihen brutalisht, helmohen, u mohohet gjuha, çdo ditë e më shumë varfërohen dhe përjetojnë diskriminime në çdo hap dhe sferë. Çmoj se asnjë shqiptar nuk duhet të qëndroj duarkryq në këtë situatë, aq më pak gratë që janë dhe nëna”, thekson Ferati. 

Me qëllim që të përmirësohet përjashtimi historik i femrave nga jeta publike, në vitin 2005 për herë të parë u vendosën kuotat që garantojnë që pjesëmarrja e femrave në parlament të jetë të paktën 30%. Një gjë e tillë më vonë u aplikua edhe në listat e këshilltarëve në nivel lokal. Megjithatë akoma në shumë segmente ku nuk janë të vendosura kuotat femrat janë të përfaqësuara në nivel shumë të ulët. Sipas hulumtimeve të shumta, femrat madje për punën e njejtë fitojnë më pak se 80% e meshkujve. Femrat gjithashtu diskriminohen edhe në pozitën dhe funksionin që kanë. 75% e posteve udhëheqëse janë të zaptuara nga meshkujt./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button