Incidentet, tentimet e fundit të dëshpëruara të VMRO-së, kujdes nga provokimet

Incidente dhe trazira do të priten, pasi që kjo është mënyra e vetme dëshpëruese e VMRO-DPMNE-së për të krijuar probleme. Apelohet të ruhet gjakftohtësia dhe të mos reagohet në provokimet që do të pasojnë në periudhën në vijim, posaçërisht pas refuzimit të presidentit Gjorge Ivanov, të mos ia jep mandatin liderit të opozitës, Zoran Zaev, shkruan analiza e NovaTv dhe Portalb.mk.

Lajmi në gjuhën maqedonase është në këtë link.

Protestat e fundit në Shkup, “Për Maqedoni të përbashkët” filluan të bëhen të dhunshme, me ç’rast u sulmuan disa gazetarë nga protestuesit të cilët janë përkrahës të VMRO-DPMNE-së. Gjithashtu u raportua për një incident, ku një nxënës përfundoj në spital në gjendje të rëndë, si dhe sulmi i vajzës shkupjane me mbulesë. Më herët, u paraqitën disa shtabe të thyera të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, kafeneja Izlet, ndërsa “Komitët”, tifozët e klubit futbollistik “Vardari” kanë rrahur disa kosovarë pas përfundimit të ndeshjes se sotme me Shkëndijën e Tetovës.

Nga protesta të këtilla nesër do turpërohen të gjithë aktorët e manipuluar

Analisti politik Albert Hani thotë për Portalb.mk se nëse shqiptarëve dhe maqedonasve ju duhej njëmendësi, sot nuk do kishte ndryshime ne mandatet e deputetëve por do thelloheshe autokracia dhe diktatura e ushqyer ende më tej nga nacionalizmi dhe kuazi-patriotizmi.

“Skenar i parë edhe më parë. Kryesisht i dedikuar luftës për pushtet. Nëse shqiptarëve dhe maqedonasve ju duhej njëmendësi,  sot nuk do kishte ndryshime ne mandatet e deputetëve por do thelloheshe autokracia dhe diktatura e ushqyer ende më tej nga nacionalizmi dhe kuazi-patriotizmi i rrejshëm. Në zgjedhjet e kaluara, populli kërkoj që partitë politike të ndalohen së ushqyeri nga urrejtja ndëretnike dhe ndër-fetare, por të nisin ta përdorin atë diverzitet për ta luftuar të keqen e shtetit dhe të sjellin prosperitet. Siç duket politikanët nuk kanë inteligjencë të mjaftueshme të nisin procese pajtimi dhe qytetërimi, për shkak se më lehtë e kanë që prapë ta frikësojnë popullin nga njëri tjetri dhe të fitojnë pushtet”, tha Hani për Portalb.

Ai shtoi se e keqja në këtë hapa është se rinia po njolloset dhe infektohet me urrejtje patologjike e cila me vone nuk mund të shërohet lehtë.

“Nga protesta të këtilla nesër do turpërohen të gjithë aktorët e manipuluar, ashtu siç ka qenë me shumë protesta kundër shkollimit të shqiptarëve, decentralizimit, simboleve etnike dhe fetare etj.  Protesta që nga këndvështrimi i sotëm duken si infantile. E keqja në këtë hapa është se rinia po njolloset dhe infektohet me urrejtje patologjike e cila me vone nuk mund të shërohet lehtë”, shtoi Hani.

VMRO nuk ka potencial për destabilizim serioz të vendit, por incidentet dhe trazirat priten

Kryetari i OJQ CIVIL, Xhabir Deralla thotë për Portalb.mk se VMRO nuk ka potencial për destabilizim serioz, mirëpo që pritet të ketë incidente dhe trazira.

“VMRO DPMNE nuk ka potencial për destabilizim serioz të vendit, por incidente dhe trazira mund të priten pasi që bëhet fjalë për një strukturë në largim e cila ka një konto krimesh në llogari të saj dhe gjithsesi do të mundohet t’i ikë përgjegjësisë të cilat po i shohim shpesh nëpërmjet fakteve. E dimë që nuk janë as të vegjël e as naiv dhe meritojnë dënim me burg”, tha për Portalb, Deralla.

Ai shtoi se këto do të jenë manovrat e fundit të VMRO-së.

“Këto janë tentime të dëshpëruara të fundit dhe dhuna në kuptimin e fjalës dhe bëhet fjalë për një situatë serioze dramatike por nuk mendoj se VMRO DPMNE ka kapacitet të krijojë destabilizim serioz kurse incidente serioze dhe trazira, ato po, mund t’i krijojë dhe nuk përjashtohen eskalimet e situatës por edhe një herë potencoj se nuk do të jenë ashtu siç i paramendojnë dirigjentët e këtyre rasteve. Ata janë të sosur dhe nuk kanë më hapësirë, këto janë manovrat e fundit të tyre”, shtoi Deralla.

Loja e rrezikshme e Gruevskit që përzien dhe Kishën

Bllagoja Markovski, kryetar i Forumit Ballkanik për Siguri thotë që deklarata e Nikolla Gruevskit ditë më pare “për mbrojtje të Maqedonisë” nuk është naive dhe thekson se e njëjta mund të jetë e rrezikshme, pasi që dërgon porosi deri te anëtarësia e partisë.

“Ajo është e rrezikshme nga aspekti i daljes në rrugë, daljeve masive, protestave dhe aktiviteteve të ndryshme radikale të strukturave brenda partisë dhe nga ai aspekt mund të vijë deri te ndonjë gjendje të caktuar të destabilizmit të sigurisë së Maqedonisë”, deklaroi Markovski.

I rrezikshëm është edhe fakti që Kreu i Kishës Ortodokse e Maqedonisë nëpërmjet një kumtese dërgon porosi që të ruhet pozita kushtetuese e gjuhës maqedonase në territorin e Maqedonisë në pajtueshmëri me Kushtetutën, si dhe karakteri unitar i shtetit.

“Para dy vitesh Maqedonia kishte probleme  serioze politike që duhej ta shtynte kishën ortodokse që të prononcohet. Por Kisha ortodokse vepron vetëm në momente të caktuara kur duhet ti mbrojë interesat e strukturës  qeveritare” deklaroi për Alsat-M, Zoran Bojarovski, gazetar.

Grubi: Rrëfimet për ndarje, federalizim, kantonizim dhe ndryshime kushtetuese, janë përralla për fëmijë!

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, pas vendimit të djeshë të presidentit, Gjorge Ivanov, për mosdhënie të mandatit, thotë se “është i vetëdishëm që vendimi i Ivanovit në esencë nuk ka të bëjë me Deklaratën e përbashkët shqiptare”.

1. Deklarata e hartua në Shkup nga subjektet shqiptare
2. Deklarata rrjedh eksluzivisht nga programet zgjedhore të partive parlamentare
3. Roli i vetëm i Tiranës dhe Prishtinës ka qenë lehtësimi logjistik i mbajtjes së takimit pas hartimit të Deklaratës për arsye të refuzimit të një subjekti politik që të takohemi bashkë në Shkup.
4. Ligji për gjuhën është në përputhje me kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit si dhe konventat ndërkombëtare.
5. Debatin për simbolet kombëtare e kanë hapur vet partitë maqedonase dhe vetvetiu nuk nënkupton ndryshim sepse e para nevojitet shumicë 2/3 plus Badinter, por edhe konsensus shoqëror.
6. Rezoluta për krimet mbi shqiptarët përfshin edhe krimet ndaj maqedonasve që kanë qenë viktimë e shekullit të kaluar.
7. Më shumë para për komunat përforcon pushtetin lokal dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
8. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është obligim ligjor dhe kushtetues
9. Sundimi i së drejtës është zotim i të gjitha partive politike, shqiptare e maqedonase
10. Përfshirja e shqiptarëve në tejkalimin e çështjeve të hapura me fqinjtë është një vlerë e shtuar dhe moment i marrjes së përgjegjësisë formale nga partitë tona.
11. Integrimi në NATO dhe BE është gjithashtu ind përbashkues i komuniteteve në vend dhe prioritet i të gjithë neve. Prandaj, rrëfimet për ndarje, federalizim, kantonizim, ndryshim të rendit kushtetues, janë përralla për fëmijë!

Aleanca për Shqiptarët: kujdes nga frazat manipulative të një pushteti rrënjësisht të korruptuar dhe mafioz

“Raportimet e tipit “na morën shtetin”, “do ta ndajnë Maqedoninë”, “nuk e japim flamurin”, “erdhi koha e hakmarrjes”, nuk janë derivat i Platformës së përbashkët të partive politike shqiptare, por janë fraza manipulative të një pushteti rrënjësisht të korruptuar dhe mafioz, që ka për qëllim varfërimin e mëtejshëm të qytetarëve të saj dhe eksploatimin e plotë ekonomik. Apelojmë të gjithë mediat, ato shqiptare dhe maqedonase, të bojkotojnë eksponentët “qytetar” dhe “analistët” të cilët janë të njohur për opinionin si ksenofob, albanofob, racist dhe nxitës të urrejtjes ndër-etnike me qëllim pamundësimin për ti kontribuuar përshkallëzimit të situatës.” thuhet në reagimin e APSH.

Shilegov: Në Maqedoni nuk ka krizë ndëretnike, por ka bandë kriminele

“Në Maqedoni nuk kemi krizë politike. Në Maqedoni nuk kemi as krizë ndëretnike, por as interetnike. Nuk do ta shesë, shkatërrojë, ndajë, kantonizojë ose federalizojë shtetin, popullin, historinë dhe gjuhën”, thotë deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov.

Sipas tij, përkundrazi, vetëm stabiliteti në shtet është në dobi për një Maqedoni të sigurt.

Kjo storje është realizuar me anë të bashkëpunimit ndërmjet NOVA TV dhe Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button