Për Ancelottin, Ronaldo e jo Messi, ylli i Botërorit

Eshtë pritur me habi të madhe sondazhi i realizuar nga La Gazzetta dello Sport, teksa pyeste 20 trajnerë të ndryshëm, shumica të kampionatit italian në lidhje me parashikimet dhe pritshmëritë nga Botërori i Brazilit.

Në fakt shumica e përgjigjeve të dhëna prej tyre ndoshta nuk kanë qënë një surprizë e madhe, por ai që ka habitur më shumë ishte pa dyshim tekniku i Realit të Madridit. Carlo Ancelotti kur u pyet nga e përditshmja prestigjioze italiane se cilin shikon si yll të Kampionatit Botëror, dha çuditërisht emrin e yllit të Barcelonës, Leo Messi.

Te skuadra madrilene dikush mund të jetë ndjerë keq nga kjo përgjigje e Ancelottit dhe po kështu edhe te kombëtarja italiane mund të ketë patur komente mes lojtarëve, transmeton Supersport.

Por pas gati 3 ditësh, La Gazzetta dello Sport reagon dhe sqaron se në përpunimin e të dhënave nga sondazhi është bërë një gabim, që mund ta ketë futur në telashe trajnerin e Los Blancos.

Në numrin e fundit të gazetës italiane është publikuar një sqarim i shkurtër ku thuhet se Ancelotti e pëlqen argjentinasin e Barçës si lojtar, por në të vërtetë ai ka votuar për portugezin Cristiano Ronaldo si yllin që do të shkëlqejë në Botërorin e Brazilit.

Pas këtij korrigjimi, La Gazzetta dello Sport në fund kërkoi ndjesë për të gjitha keqkuptimet që mund të kenë lindur nga devijimi që i është bërë votës së Ancelottit.

Lajme të ngjashme

Back to top button