Çejku: Zgjedhjet, sfidë për të ardhmen evropiane

Ish-Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku deklaroi se zgjedhjet e reja presidenciale dhe parlamentare janë, veç tjerash edhe një sfidë për demokracinë dhe stabilitetin politiko-social të vendit.

“Këto zgjedhje duhet të shërbejnë si mjet për kapërcimin e dallimeve, që lidhen kryesisht me nivelin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, dialogun ndëretnik dhe zgjidhjen e çështjes së emrit. Këto zgjedhje do të reflektojnë kapacitetet e vendit për integrimin e tij të brendshëm”, theksoi për agjencinë e lajmeve INA, ish-ambasadori Çejku.

I pyetur për qëndrimet e fundit të klasës politike shqiptare dhe sjelljen e tyre, zoti Çejku tha se, përveç faktit që ju uron suksese të gjithë atyre që do të përfshihen në këtë garë elektorale, bën apel për më shumë bashkëpunim mes këtyre partive, kandidatëve dhe shtabeve zgjedhore respektive.

“Pavarësisht pozicioneve që kanë parti të caktuara në raport me zgjedhjen e presidentit, partitë shqiptare, kryesisht BDI dhe PDSH, si dy partitë më të mëdha, duhet të intensifikojnë dialogun mes tyre, duke iu dhënë mundësi gjithë votuesve të shprehin lirisht vullnetin e tyre politik”, deklaroi për INA, diplomati Çejku, duke shtuar se ekziston një bazë dhe përvojë për një klimë pozitive të marrëdhënieve të këtyre partive në kohë fushate elektorale.

Sipas tij, Marrëveshja e datës 5 maj e vitit 2011 për zgjedhjet parlamentare, të cilën e nënshkruan Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi në prezencën e ish-Ambasadorit të SHBA-ve, Philip Reeker, të BE-së, Peter Sorensen dhe Ambasadorit të Shqipërisë, si atëherë edhe tani duhet të shërbejë si platformë për komunikim mes partive politike.

“Kam besim në lidershipin politik të shqiptarëve në Maqedoni dhe se ata do të dinë tregojnë pjekuri, përgjegjshmëri dhe vizion për një të ardhme më të mirë për mbështetësit e tyre dhe për gjithë vendin. Interesi i shqiptarëve dhe perspektiva euro-atlantike e Maqedonisë, duhet të udhëheqin frymën e përgjithshme të fushatës së këtyre zgjedhjeve, për të realizuar gjithashtu edhe pritshmërinë që kanë miqtë e Maqedonisë lidhur me këto zgjedhje”, deklaroi ish-Ambasadori shqiptar në Shkup, Arben Çejku.

Ai apeloi që institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, duhet të sigurojnë një proces fer dhe demokratik, duke i kthyer këto votime në një urë për të kaluar në një kapitull të ri demokratik. (INA)

Lajme të ngjashme

Back to top button