Anton Berishaj, u.d. i rektorit të Universitetit “Hasan Prishtina”

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës zgjodhi për ushtrues detyre të rektorit Anton Berishajn.

Profesroi i sociologjisë dhe anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Berisha, u zgjodh me 7 vota pro dhe dy kundër të Këshillit Drejtues.

Ushtruesi i sapozgjedhur i detyrës së rektorit të Universitetit “Hasan Prishtina”, Anton Berisha, u lind më 13 korrik 1954 në fshatin Priftën të Malësisë së Tuzit, komuna e Podgoricës. Shkollën e ulët fillore e kreu në Priftën, tetëvjeçaren në Tuz, ndërsa gjimnazin në Ulqin.

Në vitin shkollor 1978/79 u diplomua në Degën e Filozofisë dhe Sociologjisë, në Universitetin e Prishtinës. Një kohë ishte profesor i lëndëve filozofi, sociologji, psikologji në disda shkolla të mesme në Prishtinë e Tuz, ndërsa karrierën universitare e filloi në vitin shkollor 1983/84, së pari asistent i angazhuar, e më vonë ligjërues, fillimisht në lëndët “Sociologji industriale” dhe “Struktura e shoqërisë”, në Degën e Filozofisë dhe Sociologjisë, e më vonë “Sociologji e përgjithshme” në Fakultetin e Mjekësisë.

Më 1983/84 u regjistrua në studimet pasuniversitare në Degën e Sociologjisë të Universitetit të Zagrebit, ku u diplomua në vitin shkollor 1986/87. Në korrik të vitit 1997 po në këtë universitet mbrojtje temën e doktoranturës, me titull: “Ndryshimet familjare në Malësi”.

Në vitin shkollor 1997/98 mori titullin docent për lëndët “Struktura dhe zhvillimi shoqëror” dhe “Sociologjia e përgjithshme II”. Më 2005, u zgjodh profesor i rregullt. Aktualisht ligjëron në bachelor dhe master lëndët “Sociologji e migrimeve”, “Sociologji e religjionit”, “Hyrje në sociologji”, “Sociologji e familjes”, “Struktura e shoqërive bashkëkohore”, “Organizimi dhe zhvillimi shoqëror”, “Puna dhe organizata” dhe “Martesa dhe familja”.

Në dhjetor të vitit 2012 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.Është autor i disa veprave shkencore e monografive si dhe tekstesh shkollore nga fusha e sociologjisë, të botuara në Kosovë e jashtë saj, si dhe e punimesh shkencore./ Koha.net

Lajme të ngjashme

Back to top button