Shqiptarët nga rruga e Krimesë në Shkup solidarizohen me banoret e Krimesë në Ukrainë

Disa qytetarë shqiptarë që lindën dhe jetojnë në rrugën e Krimesë në Shkup- Maqedoni, shfaqin indinjatën e tyre për ndërhyrjet e jashtme në Ukrainë dhe sidomos në rajonin e Krimesë.

Në adresën e Portalb ka ardhur reagimi i tyre i cili është si vijon:

“Ne, disa qytetarë shqiptarë që lindëm dhe jetojmë në rrugën e Krimesë në Shkup- Maqedoni, shfaqim indinjatën tonë për ndërhyrjet e jashtme në Ukrainë dhe sidomos në rajonin e Krimesë e të cilat synojnë tjetërsimin e këtij territori ukrainas ndaj shteteve fqinje. Njëkohësisht shprehim përkrahjen tonë për aspiratat e qytetarëve të Ukrainës për sovranitetin, tërësinë dhe mirëqenien e vendit dhe shtetit të tyre.” thuhet në kumtesën e këtyre banorëve.

Nga ana tjetër “Ujqit e Natës të Maqedonisë”, të njohur si motoçiklistët rebelë, kanë udhëtuar së bashku me çetnikët serbë drejt Ukrainës, për të ndihmuar Rusinë për pushtimin e Krimesë. Prijësi i këtij grupi është Lenin Jovanovski, i cili gjithashtu është edhe kryetar i Federatës së Motociklistëve të Maqedonisë.

Përndryshe në Ukrainë, Këshilli suprem i Krimesë dje solli vendim unanim që gadishulli të shkëputet nga Ukraina dhe t’i bashkangjitet Rusisë.

Për datën 16 mars është caktuar referendum, në të cilin qytetarët e Krimesë duhet të përgjigjen në dy pyetje. E para është nëse janë për bashkangjitje të Krimesë drejt Federatës ruse, ndërsa pyetja e dytë është nëse duhet të kthehet kushtetuta e vitit 1992, sipas së cilës Krimea është pjesë e Ukrainës.

LEXO: Opozita ukrainase kërkon ndihmë më të madhe nga Evropa

 

Lajme të ngjashme

Back to top button