fbpx

Tetovë, do të prishen apo do të legalizohen ndërtimet pa leje?

Ndërtimet pa leje në qytetin e Tetovës, veçanërisht në lagjen te teleferiku, kanë uzurpuar pjesën më të madhe të sipërfaqeve të mbjella me pisha. Kjo lagje njihet si pjesa ku ndërtimet janë në numër më të madh dhe nga sipërfaqet e dikurshme të pyllëzuara thuajse nuk ka mbetur asgjë.

Nga sektori për urbanizëm në komunën e Tetovës, për Portalb deklarojnë se për shkak të dinamikës me të cilën është ndjekur kjo dukuri në të kaluarën është ndërprerë dhënia e lejeve të ndërtimit në lagjen te teleferiku.
Nga sektori për urbanizëm, thonë se përbërja e re e administratës lokale nuk ka dhënë asnjë leje ndërtimi në këtë pjesë të qytetit.

Dukuria e ndërtimeve pa leje të bën përshtypje që në kilometrin e parë të rrugës Tetovë-Kodra e Diellit. Pjesa kodrinore nga ku qyteti mund të vëzhgohet nga lartë, është gërryer për të ngritur ndërtimet pa leje, fare pranë kompleksit historik Teqesë “Harabati Baba” në Tetovë.

Ndërtimet antiligjore me vite të tëra kanë lulëzuar në këtë pjesë të ndjeshme të qytetit.

Nga sektori për urbanizëm në komunën e Tetovës, thonë se i kushtohet një vëmendje e veçantë kësaj pjese të qytetit, por tani ata janë para një akti të kryer për arsye se gjithçka është bërë në të kaluarën. Sipas këtij sektori, komuna do të bëjë legalizimin e këtyre ndërtimeve. Ata kanë paraqitur kërkesa për legalizime dhe vetëm pas mbarimit të procesit të legalizimit do të dihet numri I objekteve të ngritura pa leje ndërtimi.

Lajme të ngjashme

Back to top button