Dita e mësuesit, me rrogë mesatare e kushte teknike minimale!

Pozita e mësuesit, edhe 127 vite pas hapjes së shkollës së parë shqipe, vazhdon të mbetet temë diskutabile si profesion që paguhet pakë dhe që ballafaqohet me shumë sfida.

Nuhi Dardhishta, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar (LASH) ‘Naim Frashëri’, në vend, thotë se problemet teknike, dhe rroga minimale, e bëjnë pozitën e mësuesit më të vështirë se kurrë.

‘Mësuesi sotëm vetëm sa u përket të ardhurave, pagat nuk janë të ulëta por janë mestare, kurse kushtet për mësim i kanë shumë të vështira, sepse në shumë shkolla mungojnë laboratorët për lëndë shkencore, mungojnë mjete tjera, mungojnë tekste shkollore, pastaj struktura e nxënësve është gati se shumica me ndihma sociale dhe ata nuk mjete mësimore, ato nuk mund ti sigurojë as shkolla, as prindi kështu që edhe pse janë profesionalisht të përsosur mësuesit e sotëm pra kanë të mbaruar të gjithë arsim sipëror, por mungojnë objektet shkollore, shumë aspekte teknike u mungojnë për të bërë një mësim të suksesshëm’ tha për Portalb, Dardhishta.

Arijana Kuriu-Grubi, profesoreshë e muzikës Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Shkollën e mesme të muzikës në Shkup, përmend problemin e teksteve shkollore, duke mos anashkaluar edhe përtacinë e nxënësve viteve të fundit.

‘Librat kanë qenë problem kurse tani edhe interneti e shumë rrethana janë më të zhvilluara. Mirpo unë mendoj se gjeneratat e sotme janë shumë më dembele apo ndoshta sepse i kanë kushtet apo nuk di cfarë të them. Pra sfidat e mësuesve tani janë më të lehta për shkak të shumë rrethanave. Unë mendoj se 7 Marsi është dita e hallave të mia dhe nënës time të ndjerë, pra në emrin tim të gjithë arsimdashësve ua uroj ditën e mësuesit 7 Marsin’ theksoi Kuriu-Grubi.

Xhevrije Mustafa, mësuese në Shkollën Fillore ‘Jashar Bej Shkupi’tha se sigurimi i  kushteve nga shkolla në shkollë  dallojnë së pari nga  vendi ku gjendet shkolla qytet apo fshat,  nga  udhëheqësia e shkollës që ajo është tepër  politikisht e theksuar, Mungesa e mjeteve didaktike, mungesa e kabineteve dhe sallave të arsimtarëve, mbingarkesa programore, disperzimi i arsimtarëve për plotësimin e fondit  të orëve,  mungesa e sallave për lexim, mosfunksionimi i kompjuterëve nëpër shkolla, kontrollet e shpeshta nga ana e inspektoratit, mungesa e doracakeve bëjnë që procesi edukativo-mësimor të zhvillohet jo në mënyrë normale.  

‘Mësuesit besoj qe ka ndryshuar ne shume aspekte, më parë mësuesi respektohej dhe kishte personalitet. Ndërsa sot vetëm  një  numër shume i vogël  ia di vlerat mësuesit…. Figura e mësuesit ka ardhur duke u zbehur,duhet ta pranojmë me dhimbje këtë fakt. Në tërësi sistemi shkollor është nën një ngërç. Aq e kane ulur figurën e tyre me këto kurset e famshme’ tha ajo.

Për pozitën e mësuesit, foli edhe arsimtarja e kimisë Shengjyle Mustafa, pranë shkollës ‘Bajram Shabani’ në fshatin Kondovë të Shkupit.

‘Pozita e mësuesit dikur ka qenë në nivel shumë më të lartë, ai është llogaritur si një personalitet i rëndësishëm në shoqëri që ka pasur ndikim të madh si në shkollë ashtu edhe në jetën shoqërore. Sot, disi sikur është zbehur ajo fotografia e mësuesit që ka qenë dikur, e tërë kjo situate është krijuar që pas viteve të 90-ta, do të thotë që pas demokracisë e cila në njëfarë mënyre është keqkuptuar dhe me këtë ka ndryshuar edhe pozita e mësuesit sot. Kanë sfida të shumta, është kohë shumë më e vështirë si për nxënësit, si për prindërit, interesimi është më i ulët. Arsimtarët mundohen të japin maksimumin e tyre por sfidat janë të shumta. Këtu mund të theksoj edhe reformat e reja në arsim për të cilat jo që mendoj se nuk janë me vend, por ato kanë nevojë për një analizë më të detajuar pasi nuk mund të jenë matës për diturinë e nxënësit dhe arsimtarit vetëm testimet eksterne gjatë të cilave nxënësi për një 30 minutësh nuk mund të shprehë atë diturinë që ka akumuluar gjatë tërë vitit’ u shpreh Mustafa.

Më 7 mars të vitit 1887 në Korçë u hap shkolla e parë shqipe. Mësues dhe drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri./Portalb


Lajme të ngjashme

Back to top button