Fule u përgjigjet akuzave të Berishës: Nuk jam në listën e miqve të tij (VIDEO)

Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule nuk ka preferuar të bëjë replikë me ish-kryeministrin, Sali Berisha sa i takon akuzave të këtij të fundit për “kurth” ndaj Shqipërisë dhe për sjellje antishqiptare. Fule u përgjigje me ironi duke thënë se, ai nuk është në listën e miqve të Berishës në rrjetin social “Facebook”.

“Duket qartë që nuk jam në listën e miqve të Berishës në “Facebook”, por jam mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Kaq mund të them për atë artikull, që për mendimin tim ishte fals dhe i pabazuar”, u shpreh Komisionari për Zgjerimit gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin, Edi Rama. “Fakti që jam akuzuar dhe unë nuk përbën lajm apo jo”, ndërhyri Rama për të zbutur situatën.

I pyetur nëse qarqet nacionaliste do të ndikojnë që Shqipëria të mos marrë statusin kandidat në qershor, Fule u përgjigj se vendimin e kanë në dorë vendet anëtare të BE-së dhe jo nacionalistët. Fule kërkoi qartësimin e pyetjes, dhe në këtë moment ndërhyn Rama duke thënë se kjo është pyetje që i duhet drejtuar atij.

“Kjo është pyetje për mua, nuk është pyetje për komisionerin. Faleminderit shumë për këtë pyetje. Unë i qëndroj pikë për pikë asaj që kam thënë. Sesa do të ndikojnë ata në qershor, kjo mbetet për t’u parë. Por, ajo që është e rëndësishme, është që të shkojmë në qershor, njëlloj si një dhjetor, përballë Këshillit Evropian me detyra të realizuara”, u shpreh Rama.

Kryeministri i Shqipërisë në këtë linjë më tej theksoi: “Ne këtu jemi, për ne rëndësi ka Evropa brenda nesh. Evropa në punësim, Evropa në shërbime, Evropa në institucione, Evropa në bashkëjetesen mes nesh. Kjo është Evropa që duam të ndërtojmë ne, nuk është një udhëtim për të shkuar diku dhe po presim që të na japin biletën. Është një udhëtim brenda nesh.” Fule nga ana e tij në përfundim të kësaj përgjigje të Ramës, ndërhyri duke thënë se vlerësimi për çdo vend vlerësohet në bazë të meritës. Ai tha se pavarësisht sfidave me të cilët përballet BE, zgjerimi vazhdon të mbetet në fokus.

Gjatë deklaratës, Fule u shpreh se, “Shqipëria është në rrugën e duhur” për marrjen e statusit kandidat në qershor. “Vlerësoj punën e bërë. Shqipëria është në rrugën më të mirë për të marrë statusin”, tha ai. “Jam i bindur se Shqipëria ka kapacitet për të trajtuar sfidat e integrimit.” Por, nga ana tjetër komisioneri tha se, konfrontimet mazhorancë-opozitë nuk ndihmojnë në integrimin e vendit në BE dhe se gjithçka do të jetë në dorë të Shqipërisë./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button