USHT-ja dhe Agjencia për Ushqim nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Agjencia për Ushqim dhe Veterinari – Shkup kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për rregullimin e të drejtave dhe obligimeve të ndërsjella për mësimin praktik. Marrëveshjen në fjalë e kanë nënshkruar Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Dejan Runtevski. 

Me këtë rast, Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti theksoi se të diplomuarit në studimet profesionale të ciklit të parë, nga ana e studentëve të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit do të mund ta kryejnë mësimin praktikë në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari në Shkup, ndërsa Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit – Gostivar, obligohet që të ofrojë program për mësimin praktik të studentëve.

“Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit-Gostivar, i Universitetit Shtetëror të Tetovës, obligohet të ofrojë program për mësimin praktik të studentëve të ciklit të parë, si dhe një listë të studentëve të cilët në vitin akademik 2013/2014 do ta zhvillojnë mësimin praktik.  Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit – Gostivar, i Universitetit Shtetëror të Tetovës, obligohet që Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari – Shkup t’i dorëzojë dosje komplete për secilin student –praktikant me këto të dhëna: Programi studimor në të cilin është regjistruar studenti; Program të lëndës mësimore në të cilën studenti do ta zhvillojë mësimin praktik; Secili student të dorëzojë ditar për regjistrimin e programit të realizuar të mësimit praktik, për ciklin e parë të studimeve”, tha Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti.

Sipas marrëveshjes mësimi praktik do të realizohet sipas programeve të lëndëve në të cilat janë përcaktuar përmbajtjet dhe fondi i orëve për mësimin praktik. Ndërsa Agjencia për Ushqim dhe Veterinari – Shkup, obligohet që ta mundësojë realizimin e ushtrimeve praktike për studentët e ciklit të parë të studimeve profesionale dhe atë të zhvillohen në mënyrë kualitative dhe pa pengesa. Kjo agjenci po ashtu obligohet të caktojë person i cili do të jetë përgjegjës për evidencë dhe kontroll të kualitetit dhe realizimin e mësimit praktik në të gjitha lëndët e programit studimor. 

Lajme të ngjashme

Back to top button