‘Historia’ e Nita Latifit

Ka prezantuar këngën e re në festivalin ‘Top Fest’. Dhe derisa po bën ‘histori’ përmes “Historisë” së saj, këngëtarja Nita Latifi ka rrëfyer për Tribuna detaje për të rejat artistike dhe pritjen e saj që ka përballë festivalit në Shqipëri…

Muzika ‘live’ është specialiteti i saj. Por, Nita Latifi është njëra prej këngëtareve e cila artistikisht është paraqitur shumë shpesh edhe nëpër festivale të ndryshme në vend e jashtë tij. Ngjashëm ka vepruar edhe me paraqitjen e fundit në ‘Top Fest’, ndërsa projektin të cilin e ka prezantuar në Shqipëri ka theksuar se po pritet në mënyrën më të mirë…

Tribuna: Nita, na trego fillimisht për këngën e re. Si erdhe deri tek ideja, bashkëpunimi e çdo gjë tjetër?
Latifi: Nuk e kam pasur në plan të bashkëpunoj më Enis Preshevën. Ai vetë më ka kontaktuar. Më kishte mbajtur mend nga ‘Top Fest 9’. I kishte pëlqyer shumë zëri dhe stili im. Kështu ai më ka thirrur më ka propozuar materialin dhe unë kur e dëgjova këngën më pëlqeu jashtë mase edhe pse në fillim nuk isha dakord të bëj një baladë. Por kënga më pëlqeu aq shumë saqë thash ‘ok’ edhe me baladë nuk dal nga stili im. Fundi i fundit çdo këngëtar e ka nga një baladë. Dhe kështu vendosa ta këndoj këtë baladë. Unë kam qenë kundër idesë të bëjmë këngë të dhimbshme dashurie. Kjo është një baladë e gëzueshme. Gjithmonë kam pasur dëshirë që ta marr me më shumë pozitivistet punën e artit të muzikës. Më pëlqen të prek tema më pozitive. Por ideja e kësaj këngë ku flet për një dashuri e cila ka përfunduar dhe gjinia (femra) mbetet pak më lart është ndoshta ajo që më ka bërë për vete. Unë jam pak feministe në tekste dhe kjo më ka bërë më shumë për vete. Sepse edhe pse ka përfunduar ajo dashuri ajo nuk po e vajton më gjininë mashkullore. Meqë shumica e baladave paraqesin femrën më të butë, unë vendosa ta bëj të kundërtën. Thash dua ta vajtoj fatin e meshkujve.

S’do të vazhdoj vetëm me festivale…

Tribuna: Duke u nisur nga fakti se kënga është kënduar në dialektin kosovar, a mendon se publiku atje e ka pasur pak të vështirë ta kuptojnë tekstin?
Latifi: Në fakt kjo është pjesa më interesante. I kam thënë vetes nëse dua të trajtoj një temë, atëherë dua të shprehem ashtu siç flas unë në jetën e përditshme. Edhe pse kam qenë e vetëdijshme që nuk do ta kuptojnë në tërësi ndoshta publiku në Shqipëri. Por unë vendosa ta bëjë ashtu siç e ndjeva. Dhe nuk kam besuar që do të ketë kaq sukses në Shqipëri kjo këngë. Kam pasur raste që më kanë shkruar në ‘Facebook’, çfarë po thotë kjo këngë, nuk po e kuptoj në tërësi por po më pëlqen shumë (qeshet). Bile mund të them që më mirë është pritur në Shqipëri sesa tek ne. Atje është promovuar shumë më shumë.

Tribuna: Kush e ka bërë tekstin e këngës?
Latifi: E ka bërë Aida Baraku të cilën e falënderoj shumë, sepse e ka bërë tamam për qejfi.

Tribuna: Po për veshjen tuaj në ‘Top Fest’ kush është përkujdesur?
Latifi: Fustanin ma ka bërë Lia Stublla të cilën po ashtu e falënderoj shumë. Unë derisa e kam punuar këngën mendoja të kem një fustan të tillë më ekstravagant, por jo shumë jashtë stilit tim dhe Lia vërtet ka bërë një punë të mirë.

Tribuna: Me dy këngë je paraqit në Shqipëri, mbase edhe në pamundësi të pjesëmarrjes në ndonjë eveniment këtu. A po mendon edhe më tej të jesh më aktive në Shqipëri, apo ke edhe ndonjë projekt që do ta paraqesësh tek ne në Kosovë?
Latifi: Po normal që do të punoj këtu. Unë jam e këtij vendi. Por festivalet që organizohen në Shqipëri i promovojnë shumë më shumë artistët e rinj sesa tek ne. Më vjen keq që po e them këtë, me gjithë respektim për të gjitha festivalet që bëhen tek ne e që na mbështesin po ashtu. Por ideja ime ka qenë që të dal diku ‘live’, të tregoj vlerën e në të njëjtën kohë të promovoj këngën. Është e dyta herë që mua po më përshtatet shumë ‘Top Fest’, një festival ku mund të promovohesh ‘live’ dhe mund të tregosh që ke aftësi edhe të këndimit edhe të paraqitjes. Për atë edhe më pëlqen shumë ky format. Por kjo nuk do të thotë që do të vazhdojë vetëm me festivale.

Tribuna: Kënga e ‘Top Festit’ a do të bëhet me videoklip?
Latifi: Nuk e di. Po pres edhe pak. Të martën ka dalë kënga dhe të them të drejtën ende nuk e di a do t’ia bashkëngjis edhe videoklipin. Edhe pse po e shoh që është pëlqyer shumë, është bërë ‘share’ dhe gjithandej po kërkohet. Bile më kërkojnë t’iu dërgoj edhe kualitet më të mirë të këngës që ta kenë edhe nëpër telefona. Kjo vërtet po më bën të ndjehem shumë mirë. Por dua të pres edhe pak.

Mbrëmjet ‘live’, shkollë e mirë për këngëtaren

Tribuna: Po ndonjë plan për të reja tjera në treg a ke?
Latifi: Po. Projekti i ardhshëm do të bëhet me videoklip. Unë veç e kam filluar projektin e ardhshëm dhe do të jem shumë e kënaqur nëse edhe ai do të mirëpritet si ky.

Tribuna: Përveç festivaleve dhe projekteve të reja je prezente edhe nëpër mbrëmje muzikore ‘live’. Më trego pak për këtë përvojë?
Latifi: Ideja e muzikës ‘live’ nëpër mbrëmje ka shumë të mira. Unë nga ato kam marrë përvojë shumë të mirë. Më ka ndihmuar të heq tremën, sikletin e skenës pastaj këndimi ‘live’, thjesht mendoj se është një shkollë dhe përvojë shumë e mirë. Publikun e ke shumë afër dhe ti aty mësohesh se si ti argëtosh ata, sepse nëse edhe ti nuk mundohesh e sheh tek ata që nuk janë duke u kënaqur. Dhe kjo të shtynë më shumë që të mundohesh. Andaj them me plot bindje që këndimi nëpër mbrëmje ‘live’ është një shkollë e mirë.

Tribuna: Na trego, nëse do të vini ndryshe, nëse do shkoni në finalen e ‘Top Fest’?
Latifi: Unë pëlqej të eksperimentoj kur performoj ‘live’. Kështu po e shoh të nevojshme që edhe në këngën time të bëj ndonjë eksperiment. Kështu nëse arrij në gjysmë finale dhe finale do të ketë diçka ndryshe. Do të jetë një performancë që do ta jap maksimumin.

 

 

 




Lajme të ngjashme

Back to top button