Kievi, Moskës: Pirdhu!

Ndërhyrja e Rusisë në Krime ka shërbyer për të ndezur ndjenjat nacionaliste në Ukrainën perëndimore, teksa qytetarët po zotohen për mobilizim për t’iu kundërvënë rrezikut rus.

Mijëra lule për heronjtë e rënë të revolucionit të Ukrainës ende mbulojnë Sheshin e Pavarësisë në Kiev, por disponimi i triumfit të qetë është shndërruar shpejt në zemërim pas ndërhyrjes së Rusisë në Krime. Teksa mijëra trupa ruse kanë marshuar në Krime javën e kaluar, duke marrë kontrollin e ndërtesave kyçe qeveritare dhe duke izoluar gadishullin nga Ukraina, protestuesit në Maidan kanë mbajtur një tubim të madh të dielën, për të dënuar agresionin rus.

Dmitro Jarosh, udhëheqës i Sektorit të Djathtë ultranacioanlist, i cili ka qenë në front të betejës së dhunshme kundër policisë së vendit kundër trazirave, ka kërcënuar me dërgimin e trupave të tij partizane në Krime për të luftuar kundër rusëve, ka shkruar The Daily Beast, të mërkurën.
Gjetiu në kryeqytetin Kiev, ukrainasit e rëndomtë kanë reaguar me një përzierje të tronditjes dhe të zemërimit nga ndërhyrja ruse në gadishullin e Krimesë, dhe nga aparati i madh propagandistik i Moskës zyrtare, i cili i ka cilësuar protestuesit ukrainas në Maidan si “fashistë” dhe “terroristë”.

“Të gjithë rusët janë armiq të mi tani”, ka thënë një ukrainas, i cili ka vizituar Moskën shpesh për biznes – dhe për kënaqësi – në të kaluarën. “Unë i kam thirrur ata për të diskutuar situatën, por ata mbështesin Putinin. Si mund të besojnë ata se të gjithë në Kiev janë ‘fashistë’?”, ka pyetur ai.

Ukrainasit e tjerë kanë shprehur ndjenja të ngjashme, teksa disa po mendojnë t’i përgjigjen apelit të qeverisë së re për mobilizim të përgjithshëm të qytetarëve për t’iu kundërvënë rrezikut rus.

“Nëse ata marshojnë drejt Donetskut apo pjesëve të tjera të Ukrainës lindore, ne do të çojmë luftën brenda në Rusi”, ka deklaruar një ukrainas tjetër i zemëruar nga provokimet ruse. “Çfarë po mendojnë ata? Se ne do t’i lejojmë ata që të shkelin përmbi trupat tanë?”, është shprehur ai.

Teksa televizioni rus po e njollos revolucionin si “puç fashist” dhe po kërkon që ish-presidenti Viktor Janukoviç të rikthehet në detyrë, televizioni ukrainas ka reaguar me thirrjet e veta të zjarrta për unitet kombëtar. Kanalet më të shikuara televizive tani kanë nga një flamur të vendit sipër, në anën e majtë, me tekstin “Një Ukrainë” nën të. Ato gjithashtu janë duke transmetuar intervista me ukrainas të rëndomtë të origjinave të ndryshme – përfshirë tatarë krimeas dhe rusishtfolës nga kryeqyteti krimeas i Simferopolit – që shprehin dashurinë e tyre për Ukrainën.
Ndërkohë, edhe personalitetet e famshme ukrainase gjithashtu po shfaqen në ekranet televizive të vendit ish-sovjetik për të deklaruar dashurinë e tyre të palëkundur për një Ukrainë të bashkuar.

Ukrainasit gjithmonë e kanë shikuar fqinjin e tyre armiqësor, i cili i ka sunduar ata për mijëra vjet, nëpërmjet një prizmi të mosbesimit dhe një historie të represionit. Besimi i brishtë që është ndërtuar ndërmjet tyre gjatë 20 vjetëve të fundit të pavarësisë është rrënuar shpejt nga agresioni rus në Krime, dhe nga kërcënimet për ta ndarë vendin. Retorika armiqësore e Putinit po shërben vetëm për të forcuar identitetin dhe krenarinë kombëtare të ukrainasve në këto momente kritike.

Lajme të ngjashme

Back to top button