Memorandum bashkëpunimi me “Normak” për investime në zonën e Tetovë

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sot realizoi një takim me përfaqësues të Grupacionit NORMAK Ivestment, shoqëri e cila menaxhon Zonën Teknologjike Industriale Zhvillimore në Tetovë.

Normak dhe OEMVP u dakorduan që të rrisin dhe përforcojnë bashkëpunimin e ndërsjellë me qellim të mbështetjes së biznesit, zhvillimit ekonomik të rajonit të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe krijimin e vendeve të reja të punës, duke krijuar kushte atraktive për Investime në Zonën Teknologjike Industriale Zhvillimore në Tetovë, nga ana e anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore.

 Kryetari i OEMVP, Menderes Kuçi në fjalimin e tij mes tjerash tha se Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore edhe deri më tani ka bashkëpunuar, por që ky memorandum sot edhe zyrtarizon këtë bashkëpunim duke paraqitur një vullnet reciprok të lirë për intensifikimin e bashkëpunimit, zhvillimit ekonomik të rajonit dhe uljen e papunësisë. 

Kryetari i OEMVP-së siguroi se në mënyrë aktive do të promovon mundësitë për investime në zonën ekonomike të Tetovës, si dhe mbështetjen dhe identifikimin e partneriteteve potenciale me kompani lokale nga radhët e anëtarëve të OEMVP-së dhe më gjerë. Sipas tij, OEMVP do të vepron si një mekanizëm për lobim dhe promovim të legjislacionit pozitiv për zhvillim ekonomik, inkuadrimin e masave të posaçme ekonomike, me qëllim të përmirësimit të klimës së përgjithshme ekonomike, dhe në veçanti krijimit të kushteve më të favorshme për investim në Zonën e Tetovës.

  Nga NORMAK, i përfaqësuar nga kryetari z. Aki Etemi, thanë se  do të angazhohen në identifikimin dhe krijimin e mundësive për partneritet të investitorëve të huaj me kompanitë anëtare të OEMVP-së me qëllim të shfrytëzimit të mundësive që ofrojnë në kuadër të Zonës Ekonomike në Tetovë. Normak do të kontribuojë në mënyre aktive në inkuadrimin e kompanive anëtare të OEMVP-së në rrjetin e furnitorëve të kompanive që kanë kapacitete prodhuese në kuadër të zonës ekonomike në Tetovë.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi, edhe kompania Dauti Komerc si një ndër investitorët në këtë zonë, ka nënshkruar marrëveshje  bashkëpunimi me Grupacionin Normak.

Lajme të ngjashme

Back to top button