Zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbahen më 27 prill

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanoski, sot i shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 27 prill të këtij viti, njëkohësisht me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Republikën e Maqedonisë, nëse shefi i shtetit nuk zgjidhet në raundin e parë më 13 prill.

Vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme Veljanoski e nënshkroi pasi që dje Kuvendi me 117 vota “pro” dhe asnjë kundër dhe abstenim e votoi shpërbërjen e përbërjes aktuale të deputetëve.

“Vendimi për shpërbërjen e zgjedhjeve do t’i parashtrohet Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Republikës së Maqedonisë, si organ për zbatimin e zgjedhjeve, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Drejtësisë”, tha Veljanoski.

Ashtu si edhe herën e kaluar, theksoi ai, para nesh është një proces zgjedhor në të cilin rregullat zgjedhore janë pranuar me pajtueshmëri edhe nga pozita edhe nga opozita që paraqet një përgjegjësi shtesë edhe për njërin dhe për tjetrin dhe detyrim që të njëjtit të respektohen dhe praktikohen gjatë tërë procesit .

“Edhe një herë dua të bëj apel për të gjithë pjesëmarrësit që në procesin e zgjedhjes të presidentit të Republikës së Maqedonisë dhe të deputetëve, të veprojnë në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, të kontribuojnë në krijimin e një atmosfere të qetë dhe demokratike në të cilën çdo qytetar me dinjitet do të realizojë të drejtën e tij të votës sipas bindjes së tij personale”, deklaroi Veljanoski.

I pyetur lidhur me përputhjen e caktuar të afateve kohore për veprimtaritë zgjedhore që mund të ndodhin duke pasur parasysh se njëkohësisht mbahen edhe zgjedhje presidenciale dhe parlamentare, Veljanoski tha se nga dita e sotme të gjitha mëdyshjet lidhur me zbatimin e zgjedhjeve duhet që t’i zgjidhë KSHZ-ja e cila e ka këtë autorizim.

“Mendoj se KSHZ-ja ka kapacitet që ta bëjë këtë dhe ta japë këto informacione për pjesëmarrësit në zgjedhje të jenë të barabartë në paraqitjen e tyre”, tha Trajko Veljanovski. 

Lajme të ngjashme

Back to top button