Promovohet libri “Rrëfime tronditëse – femrat e dhunuara gjatë luftës së Kosovës”

Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, promovoi librin: “Rrëfime tronditëse – femrat e dhunuara gjatë luftës së Kosovës” nga autorja Luljeta Selimi.

Me këtë rast fillimisht moderatorja Elmedina Asani theksoi se ky libër po përjeton disa herë promovimin nëpër disa qendra shqiptare dhe botërore, për të sjellë para lexuesve një histori shumë të dhimbshme të një kategorie tepër të ndjeshme të shoqërisë sonë, siç janë femrat e dhunuara gjatë luftës së Kosovës, veçanërisht në vitet 1998-1999. 

Më tej, promotori Albert Hani, theksoi se autorja Luljeta Selimi ka pasur shumë guxim me publikimin e këtyre rrëfimeve tronditëse që ngjallin emocione trishtuese, por edhe na kujtojnë për rolin e femrës /nënës/ si person i cili na dhuron jetë, dhe gjithashtu na len ta kuptojmë paaftësinë e burrave të kuptojnë se edhe gjatë luftërave, ato gra, femra të dhunuara, janë nënat, motrat dhe gjyshet e tyre.    

Autorja e librit, Luljeta Selimi, e cila gjatë kohës së luftës së Kosovës kishte punuar si gazetare, përkthyese dhe aktiviste, tha se ka dëshmi të dokumentuara për mbi 2000 gra të dhunuara kosovare nga forcat serbe, mosha e të cilave sillet nga 14 e deri n atë 44 vjeçare. Për mbi 200 nga to, të cilat janë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe ekonomike, kujdeset shoqata “Jeta në Kastriot” dhe OJQ tjera, për nevojat e tyre elementare.

Promovimin e përshëndetën edhe Shefki Aliti, Qerim Lita, Arsim Sinani dhe shumë të tjerë të pranishëm, të cilët theksuan rëndësinë e këtyre dëshmive, të cilat duhet të jenë prova shumë të rëndësishme për të rifilluar edhe një proces të ri në gjyqet ndërkombëtare, kundër forcave agresore serbe.

Lajme të ngjashme

Back to top button