Mustafa thotë se Serbisë po i konvenon të mbajë peng mosformimin e Asociacionit

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Isa Mustafa, ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me, siç thuhet në njoftimin zyrtar për media, angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të biseduar me ministrat dhe deputetët e Listës Serbe, në mënyrë që të hartohet statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ashtu siç është e paraparë me Marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel dhe vendimin e nxjerr nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, transmeton Koha.net.

“Dëshiroj t’ju njoftoj që ne kemi pasur disa aktivitete së bashku edhe me zëvendëskryeministrin Kuçi veçmas dhe me ministren për Dialog, sa i përket plotësimit të detyrimeve që Kosova i ka për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Si kryeministër, kam tentuar tri herë t’i thërras përfaqësuesit e Listës Serbe në zyrën time, deputetë të kësaj liste, ministrat dhe ekipin menaxhues, e cila rezulton mbi bazën e Marrëveshjes që është nënshkruar në Bruksel, për të filluar procesin e hartimit të statutit, ashtu siç është paraparë me këto marrëveshje dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe për të proceduar me këto çështje, me këtë obligim, i cili është obligim yni”, ka thënë Mustafa në mbledhjen e Qeverisë.

Mustafa ka shtuar tutje se është vlerësuar mbi bazën e këtyre marrëveshjeve, “se statuti duhet të hartohet dhe punët duhet të bëhen në Kosovë, këtu, sepse ne kemi marrë përgjegjësinë për atë”.

“Kemi pritur dhe presim që përfaqësuesit serbë të kyçen në këtë proces, sepse është një proces i cili gjeneron nga një marrëveshje që ne e kemi arrit në Bruksel. Dëshiroj edhe njëherë në Qeveri të theksoj gatishmërinë tonë që ne në çdo moment të punojmë në këtë proces, të punojmë mbi bazën e marrëveshjeve, mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të sigurojmë edhe Brukselin, edhe partnerët tanë të tjerë, se ne jemi të gatshëm që ta përmbushim këtë detyrim që e kemi marrë. Detyrimet i përmbushim në partneritet të plotë me Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri ka thënë se janë të interesuar që të krijojnë kushte që përfaqësuesit serbë në Kuvend, si deputetë, të kthehen në Kuvend, të punojnë, edhe ata në Qeveri të punojnë.

“Por natyrisht se mbetet përgjegjësi e tyre dhe po ashtu është problem edhe i ndikimit të Serbisë që ata po e prolongojnë këtë. Në qoftë se kjo vazhdon të prolongohet në këtë formë, kjo tregon se ata nuk janë të interesuar shumë për këtë çështje që e hapin para nesh, por interesimi për me mbajt peng këtë çështje, si duket është më tepër i Serbisë, por nuk është në asnjë rast interesim i Kosovës, sepse jemi në gjendje që në çdo moment të përmbushim detyrimet tona, ashtu siç i kemi marrë në Bruksel dhe ashtu siç i kemi nënshkruar marrëveshjet dhe siç kanë vendosur organet më të larta kushtetuese në Kosovë”, tha kryeministri Mustafa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button