Qorrsokaku politik shqiptar në Maqedoni

Rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Maqedoni me 2011 nxorri në pah dy të vërteta të mëdha. Kjo ishte hera e parë që partitë shqiptare opozitare (PDSH, RDK, DR, BDSH, etj.) morën më shumë vota (121.533) se sa partia shqiptare në pushtet, BDI, në koalicion me Ligën e Boshnjakëve (115.092). Ky rezultat nuk përputhej aspak me parashikimet e sondazheve të bëra, të cilat e nxirrnin BDI-në bindshëm para gjitha partive tjera. Mesazhi kuptohej lehtë, BDI-ja nuk e ka shumicën e elektoratit shqiptar, por as partitë opozitare veç e veç nuk mund ta rrëzojnë BDI-në. Sondazhet janëtë montuara, për ta mashtruar votuesin.

Në një situatë të tillë çelësi i fitores së opozitës është i qartë – bashkëpunimi. Elektorati kërkon ndryshim, por opozita është në pozicion pat. PDSH-ja kontrollon shumicën e elektoratit opozitar, por një pjesë tjetër e madhe e elektoratit të zhgënjyer nga BDI-jadhe gjendja e mjeruar, nuk është e gatshme ta mbështesë as PDSH-në, të paktën jo me këtë udhëheqësi të saj. Është një situatë që kërkon si domosdoshmëri bashkimin e opozitës për ta mundur BDI-në, gjë që ndryshe nga sa thonë sondazhet e montuara, nuk është e pamundur. Dihet se efekti i bashkimit dhe vet ideja e një opozite fituese mund të kishte efektin e ortekut, duke shtuar edhe më shumë mbështetjen e elektoratit për opozitën dhe duke dëmtuar rëndë partinë shqiptare në pushtet. Ky ishte edhe shkaku që RDK-ja aso kohe pranoi bashkëpunimin me PDSH-në, duke lënë mënjanë të gjithë karakteristikat negative të kryetarit të saj. Në atë kohë edhe DR-ja ishte e gatshme t’i bashkëngjitej kësaj nisme, gjë që do të tërhiqte nga pas edhe parti tjera më të vogla. Kjo ishte rruga e vetme e logjikshme për të shënuar fitore. Këtë rrugë kishin ndjekur edhe partitë maqedone. VMRO kishte në koalicion 21 parti tjera, ndërsa LSDM 14 parti tjera.

Por, megjithëse i gjithë elektorati opozitar ishte pro bashkëpunimit, ndodhi përçarja e opozitës shqiptare. Përçarësi ishte vetëm një person – Kryetari i PDSH-së. Ajo që ndodhi nuk kishte asnjë arsye tjetër reale pos kauzës për të cilën ai angazhohet – kauzës personale. Në fakt, tashmë është e qartë se Kryetarit të PDSH-së nuk i ka interesuar asnjëherë kauza kombëtare e as fati i partisë së tij, por vetëm qenja e tij në skenën politike. Kauza kombëtare është vetëm mbulesë për kauzën e tij personale, ndërsa partia e tij PDSH është vetëm mekanizmi për ta mbrojtur kauzën personale. Ai luan vetëm për vetvete dhe qëllimi i vetëm i tij është mbijetesa në skenën politike, për t’i mbrojtur interesat personale. Ai sheh kërcënim tek të gjithë ata që nuk i ka nën obrellën e partisë së vet, prandaj edhe i konsideron kundërshtarë më të rrezikshëm se partinë në pushtet. Kjo logjikë destruktive ka çuar në këtë qorrsokak politik, ku një person e sheh si më pozitive qenjen e tij humbës, por duke mbetur si faktor në skenën politike, se sa fitoren e partisë së tij në një koalicion me të tjerët. Për këdo bashkimi bën fuqinë, ndërsa për të fuqia vjen nga përçarja.

Në Maqedoni zhgënjimi, mllefi dhe pakënaqësia janë akumuluar në vazhdimësi. Atë e shpreh rinia, intelektualët, të papunët, bile edhe shumë aktivistë e simpatizantë të partisë shqiptare në pushtet. Por ajo që të bie në sy është mosguximi i tyre për të vepruar. E keqja është se pak nga të zhgënjyerit dhe të pakënaqurit janë të gatshëm të bëjnë diçka për ta ndryshuar gjendjen dhe preferojnë që ndryshimi të vijë vetvetiu, nga qielli. Mirëpo, që ta ndryshosh rezultatin duhet të hysh në fushë e të shënosh gol, sepse nga tribina e stadionit nuk mund të shënohet. Platoni thoshte se një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët. Ky është çmimi që janë të detyruar të paguajnë shqiptarët aktualisht. Tek shqiptarët në Maqedoni, politika nuk ka të njëjtin kuptim si politika në Zvicër apo në Angli, sepse çdo gjë në jetën e tyre, punësimi, përparimi, specializimi, etj., varet nga politika. Megjithatë, rinia shqiptare në Maqedoni kërkon vetëm nga një vend pune në administratë, (pseudo)intelektualët shqiptarë janë të pandjeshëm e heshtin ndaj çdo gjëje negative që ndodh në shoqëri – thjesht nga frika se mos i marr me sy të keq partia dhe nuk marrin pastaj ‘kocin’ që shpresojnë, ndërsa injorantët dhe mafiozët kanë lënë rrugën dhe kanë zënë poste drejtuese. Këtë çorganizim të organizuar më së miri e njohin ata që dijnë ta përdorin premtimin, mashtrimin, friksimin, dënimin dhe blerjen e votave, si mekanizma për të qëndruar në pushtet.
Shumica e shqiptarëve që kanë ambicie të përfshihen në politikë janë njerëz që synojnë përfitimin dhe pasurimin personal përmes kësaj rruge. Janë të paktë ata që politikën e shohin si sakrificë për të ndryshuar gjërat. Sot njerëzit në përgjithësi janë të prirur t’i ofendojnë partitë politike dhe politikanët pa dallim. Kjo është kultura e një mase që e ka humbur orientimin e nuk e sheh kund daljen e vet nga mjerimi ku është zhytur. Megjithëse të gjithë flasin e ankohen, askush nuk jep asnjë zgjidhje si mund të ndryshohen gjërat. Në fakt partitë politike nuk i kanë shpikur shqiptarët dhe kudo në botë kjo është mënyra e organizimit politik të një shoqërie, përmes partive. Në fund të fundit politikanët janë pjesë e popullit dhe çdo popull ka qeverinë që meriton. Kjo do të vazhdojë deri sa njerëzit ta kuptojnëse asgjë nuk do të ndryshojë pa u bërë edhe ata pjesë e ndryshimit, duke bërë dallimin mes partive, politikanëve dhe politikave të mira dhe të  këqija.
Zgjedhjet e fundit lokale treguan një epërsi të partisë shqiptare në pushtet. Megjithatë kjo epërsi e saj është shumë larg epërsisë që i japin asaj sondazhet e montuara të instituteve fantazëm “Pavell Shatev” dhe “Dimitrije Çupovski”, të cilat shërbëjnë si mjete për të krijuar mjegull në opinion. Duke i lënë anash për një moment faktorët që mund të çojnë në interpretime të ndryshme të rezultatit, të dhënat tregojnë se për këshilltarë BDI ka marrë 135.081 vota ndërsa partitë tjera shqiptare 110.491 vota (PDSH 76.019; RDK 28.009 vota; të pavarurit 6.463 vota) ndërsa për Kryetarë komunash, në raundin e parë, BDI ka marrë 136.411 vota, ndërsa partitë tjera shqiptare 112.965 vota (PDSH 82.182; RDK 26.957; të pavarurit 3.826 vota). RDK ka përafërsisht të njejtin rezultat si në 2011, me një ulje të vogël që ka të bëjë me moskonkurimin me kandidatë për kryetar apo lista këshilltarësh në disa komuna si Dibra, Manastiri, Prespa, etj. PDSH nga ana tjetër shtoi vota me kandidatët për kryetarë edhe në komunat me pak shqiptarë ku asnjë parti tjetër shqiptare nuk kishte kandidat si Krushevë, Prespë, Sopishtë, Ohër, Manastir, etj.

Ajo që e dëmton opozitën dhe e favorizon BDI-në është përçarja e opozitës. Në bazë të numrit të votave në zgjedhjet lokale, bie në sy se në rast të një opozite të bashkuar përparësia e BDI-së është rreth 24.000 vota. Por nëse kësaj shifre i hiqen mbi 7.000 gurbetçarët që erdhën nga perendimi për ta shpëtuar Kërçovën (dhe nuk ka gjasë të vijnë më për ta shpëtuar BDI-në) si edhe mbi 4.000 votat që PEI i merr rregullisht në Strugë (e që tani janë llogaritur si vota të BDI-së për shkak të koalicionimit), del se diferenca reale edhe në zgjedhjet e fundit mes BDI-së dhe partive tjera opozitare shqiptare nuk është më shumë se 12.000 – 13.000 vota. Kjo do të thotë se që ta përmbysësh këtë rezultat të duhen edhe rreth 12.000 votues të rinj ose mund të të mjaftojnë edhe vetëm 6.000-7.000 votues të BDI-së që të votojnë opozitën. Diferenca mes BDI-së dhe partive opozitare shqiptare është e hollë si fija e perit dhe këtë BDI e di mirë, ndaj mundohet ta mbulojë me zhurmë, sondazhe të rrejshme dhe gjoja 150.000 votat e saj. Nëse llogarisim në atmosferën që krijon euforia e fitores së opozitës dhe nxitja e të painteresuarve për të votuar për ndryshim, rënja e mbështetjes ndaj BDI-së për shkak të skandaleve të panumërta gjatë këtij një viti pas zgjedhjeve lokale, shtuar këtu edhe një pjesë jo të vogël të të zhgënjyerve që e votojnë BDI-në duke menduar se ajo do të jetë në pushtet dhe duhet ta kenë një derë hapur për të qarë një hall, rezultati i zgjedhjeve mund të jetë nokautues për BDI-në dhe mund të bëjë që kjo parti të marrë teposhtëzën e PPD-së, duke ditur se ajo që i mban bashkë strukturat e saj është vetëm përfitimi nga të qenit në pushtet dhe asgjë tjetër. Merreni me mend tani se cili do të ishte rezultati i zgjedhjeve nëse PDSH-ja do të kishte në krye dikë tjetër! Se sa të brishtë janë votuesit e BDI-së tregon rasti i këshilltarëve të saj në Studeniçan, 4 nga 6 prej të cilëve votuan pro miratimit të buxhetit të komunës të drejtuar nga PDSH-ja, kuptohet për hir të interesave personale lokale.

Aktualisht duket se kreu i PDSH-së ndjek strategjinë e lodhjes së elektoratit me BDI-në, duke synuar nga ana tjetër margjinalizimin e alternativave tjera. Kështu ai po vazhdon t’i ofrojë popullit opsionin e zgjedhjes së të keqes më të vogël mes dy të këqijave të vetme dhe përderisa Ahmeti po rritet si e keqe në sytë e shqiptarëve, atherë logjika e Kryetarit të PDSH-së thotë se ai do të shihet në sytë e shqiptarëve si e keqja më e vogël. Strategjia e dytë që po del në pah aktualisht nga Kreu i PDSH-së është përsëritja e skenarit të 2006-tës, por tani në rrethana më të favorshme. Jo pak aktivistë të PDSH-së e thonë hapur se ‘fituam nuk fituam ne jemi në qeveri’.Takimet e shpeshta me Shefin e shërbimeve sekrete dhe pranimi për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale, për t’ju dhënë legjitimitet atyre, të bëjnë të dyshosh për vërtetësinë e këtij skenari.

Për t’i krijuar terren këtij skenari hapësira mediatike po mbushet me lajme të pakonfirmuara askund për gjoja mbështetjen për një lëvizje të tillë nga Tirana dhe Prishtina. Paramendoni tani nëse rezultati mes kandidatit të VMRO-së dhe atij të LSDM-së në raundin e parë do të jetë shumë i ngushtë ose për më shumë ai i LSMD-së të jetë në epërsi. E vetmja shpresë e VMRO-së për raundin e dytë për president do të mbeten votat e PDSH-së. A e gjeni dot se çfarë mund t’i kërkojë në këmbim kryetari i PDSH-së atij të VMRO-së?! Ndryshe nga 2006-ta, kësaj mundësie i kanë dhënë legjitimitet edhe vet veprimet e BDI-së. Në fakt nuk ka logjikë që vet të bësh koalicion me Ligën e Boshnjakëve dhe PEI-n (në zgjedhjet e fundit lokale dhe deri në minutën e fundit edhe në ato parlamentare) apo të fitosh qytete shqiptare si Gostivari me votën masive të maqedonëve e pastaj të thirresh në ndarjen e votave në baza etnike!

Aktualisht BDI ka si armë kryesore mekanizmat e pushtetit dhe mediave që i kontrollon. Përndryshe ajo është e rrëzuar për tokë. Pas dështimeve të panumërta dhe moszgjidhjes së pothuajse asnjë çështje madhore asaj i mbetet të ripërsëris argumentet bajate për UT-në, zyrtarizimin e gjuhës shqipe, ish-luftëtarët ose të fus në lojë tema dytësore filozofike si ajo e presidentit kotsensual, duke përfshirë këtu edhe ‘luftën’ imagjinare të koordinuar me VMRO-në, të stilit ne do fitojmë por na duhen kaq e aq deputetë. Këto janë zgjedhje të kërkuara nga VMRO për të marrë një mandate të sigurtë tani dhe për të mos rrezikuar në zgjedhje të rregullta. BDI-ja nuk kishte se ku t’i ik kësaj dëshire të VMRO-së, prandaj duhej të trillonte një arsyetim.

Bashkëpunimi i RDK-së me PDSH-në duhet të jetë një çështje e mbyllur një herë e mire, përderisa ajo ka në krye personin e njëjtë destruktiv. Sa i takon lajmeve për gjoja takime BDI-RDK në to nuk ka asgjë të vërtetë. Mirëpo është mendimi im se megjithëse nuk mund të këtë bashkim apo koalicionim BDI-RDK e as fushatë të përbashkët BDI-RDK, mendoj se sërish ekziston hapësirë për një marrëveshje për dalje me lista të përbashkëta për deputetë BDI-RDK dhe kjo mund të ndodh vetëm në rast se ajo do të ishte në interes të të dy palëve. Raporti i RDK-së me BDI-në është përkeqësuar sidomos vitin e fundit për shkak të veprimeve primitive hakmarrëse të një njeriu të lig dhe të kompleksuar që mllefin dhe komplekset e grumbulluara në katër vitet e humbjes së i tij i ka shfryrë marrëzisht ndaj kundërshtarëve të punësuar në komunën e Gostivarit. Megjithatë, mendoj se kjo çështje aktualisht duhet lënë anash sepse ajo do të marrë epilogun e saj në zgjedhjet e pas tre viteve.Elektorati i RDK-së, pikë së pari në Gostivar, duhet ta kuptojë se faktorizimi i RDK-së dhe forcimi i saj janë më të rëndësishme se humbja e energjisë me një njeriu të ngarkuar negativisht në shpirt. Në fund të fundit RDK dhe BDI ishin kundërshtar në zgjedhjet lokale dhe loja e ndyrë që PDSH-ja bëri me interesat opozitare në ato zgjedhje, sidomos në Gostivar, i ka lënë asaj në dorë një faturë, çmimin e së cilës duhet ta paguajë.

Sado që BDI është përgjegjëse për degradimin e përfaqësimit të shqiptarëve dhe dështime të mëdha e të panumërta, e kaluar e PDSH-së në pushtet gjithashtu nuk mbahet mend për asgjë të mirë tek shqiptarët. Kush mbase ka harruar mund ta rifreksojë kujtesën me shkrimin e Bardhyl Mamutit ku ai i numëron një nga një premtimet që PDSH bëri para ardhjes në pushtet dhe që nuk realizoi kurrë asgjë sa ishte në pushtet http://ina-online.net/opinione/17767.html
Dalja eventuale me lista të përbashkëta BDI-RDK do të kishte efekt pozitiv në fillimin e ndryshimit të disa rrethanave politike në Maqedoni dhe kjo do të ishte shumë më pozitive se zgjatja edhe më tej e status quo-së pa rrugëdalje në skenën politike shqiptare në Maqedoni. Kjo pikë së pari do të ishte goditje e rëndë për pjesën destruktive të politikës shqiptare në Maqedoni e cila për interesat e saj personale po e mban peng jo vetëm opozitën shqiptare por edhe shqiptarët në përgjithësi, kjo do të rriste numrin e deputetëve shqiptarë në parlament duke faktorizuar edhe RDK-në dhe mund të nxiste reformimin edhe të BDI-së duke favorizuar njerëzit më idealist brenda saj, të lënë në hije. Megjithatë, një marrëveshje e tillë nuk ka gjasë të ndodhë nëse nuk është në interes dypalësh, bazuar në votat e marra në zgjedhje, sepse RDK, dhe mendoj edhe shqiptarët, nuk kanë ndër mend vetëm të rrisin numrin e deputetëve të BDI-së që nuk hapin gojën në parlament. Sot vështirë se di dikush t’i thotë emrat e gjysmës së 15 deputetëve të saj.

Në të kundërt, sa më i ngushtë rezultati, aq më me peshë do të jetë roli i RDK-së. Katër vjet më parë PS në Shqipëri synonte që përmes ndryshimeve në kodin zgjedhor, të pranuar edhe nga PD, të pamundësonte ekzistencën e LSI-së, apo të forcave tjerë të treta të pavarura, jashtë dy koalicioneve të mëdha. Ajo që ndodhi më pas ishte një humbje e papritur e saj, nga e cila vet PS (por edhe PD) nxorri mësimin se kush bashkëpunonte me partinë e tretë (LSI-në) ishte fituesi. RDK-ja edhe vet i ka të sigurtë dy deputetë në zonën 6 dhe me pak fat mund të marrë edhe një të tretë nga diaspora. Sido që të jetë, RDK-ja do vazhdojë të mbetet faktor në skenën politike dhe do të nxjerrë patjetër listat e saj për deputetë edhe në zonat 1, 2 dhe 5, për të cilat ka të interesuar dhe mund të ketë edhe befasi në rezultat. Deputetët e RDK-së të modelit të Izet Zeqirit do të jenë mësim i mirë për të gjithë se si përfaqësohen interesat e shqiptarëve në parlament.

Dr. Artan Dika
(analiza është mendim personal i autorit dhe jo qëndrim partiak i RDK-së)

Lajme të ngjashme

Back to top button