Maqedoni, ja se çfarë përmban ligji i ri i gjuhës shqipe që BDI i dha dritë jeshile

Draft-ligji i përgatitur nga partitë politike, me miratimin e së cilës lejohet përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet shtetërore në Maqedoni, përmban çështjet të cilat janë në kuadër të rregullores së deritanishme kushtetuese, kurse për të gjitha çështjet e tjera që kërkojnë ndryshim të Kushtetutës do të duhet formim i mazhorancës parlamentare. Këtë e bëri të ditur për Portalb, eksperti juridik Osman Kadriu, i cili njëherit ishte edhe përpilues i këtij draft-ligji, njofton Portalb.mk.

“Pasi Lidhja Social Demokrate në Maqedoni propozoi nene për zyrtarizim të gjuhës shqipe, unë si ekspert i konsultuar nga partia shqiptare, BDI dhe LR-PDSH, kemi përgatitur draft-ligj me miratimin e së cilit do të zyrtarizohet gjuha shqipe. Të gjitha konsultimet janë bërë me tendencë që të arrihet emëruesi i  përbashkët i draft-ligjit të propozuar nga LSDM dhe nga dy partitë politike shqiptare. Duhet të potencojë se të gjitha këto kanë për synim avancimin e gjuhës shqipe, por në kuadër të Kushtetutës së Maqedonisë me qëllim që edhe për një kohë të gjatë  të mos ketë ndryshime në të, pasi për ato duhet 2/3 e mazhorancës parlamentare”, u shpreh profesori Osman Kadriu.

Se cilat do të jenë ndryshimet që parashihen me miratimin e ligjit për gjuhën shqipe, eksperti Osman Kadriu tregon më të rëndësishmet.

“Katër ndryshime më të mëdha që parashihen me dispozitat e deritanishme kushtetuese e më saktësisht me Amendamentin 5 të Marrëveshjes së Ohrit janë:

  1. Kryesuesit të seancës plenare, nëse ai është shqiptar do ti mundësohet ta udhëheqë seancën në gjuhën shqipe.
  2. Anëtarët e Qeverisë, ministrat, anëtarët e emëruar nga Parlamenti ose Qeveria që janë funksionar dhe të cilët do të marrin pjesë në punën e Qeverisë që i takojnë përkatësisë kombëtare shqiptare do të kenë të drejtë të përdorin gjuhën shqipe përgjatë punës së tyre.
  3. Si ndryshim i tretë nga jurispodenca përfshihet edhe ligji i noterisë, me anë të së cilit do të mundësohet zbatim i gjuhës shqipe në noteri. Me draftin-ligjin e ri parashikohet se në ato nivele në të cilat vepron noteria, dhe noteri është shqiptar ku kemi palë poashtu shqiptare, noteri do të obligohet që aktet e lëshuara dhe të marra nga ai (siç janë: vërtetimi i deklaratave, vërtetimi i kontratave, përpjesëtimi i pasurisë trashëgimore, përpjesëtimi i patundshmërisë) të lëshohen si në gjuhën maqedonase por edhe në gjuhën shqipe, por kjo gjithmonë me kërkesë të palës shqiptare.
  4. Gjithashtu parashihet formim i agjencisë e cila do të ketë kompetenca të veçanta të mbikëqyrë mënyrën e zbatimit të gjuhës shqipe në institucione.  Kjo përkrahet fuqishëm edhe nga LSDM-ja”, u shpreh profesori Osman Kadriu.

Më saktë, se çfarë ndryshime parasheh draft-ligji i gjuhës shqipe, nga zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, na u bë e ditur se do të kemi ndryshime në të gjitha sferat shtetërore. Ndryshime fillojnë që nga procedurat parlamentare e gjyqësore e deri te shenjat e komunikacionit.

“Me draft-ligjin e gjuhës shqipe parashihet zbatim i gjuhës shqipe si në nivel lokal edhe ato shtetëror. Parashihet të kemi përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha mbishkrimet institucionale, në procedura gjyqësore dhe administrative, po ashtu, me miratim të ligjit të gjuhës shqipe nëse kryesuesi i Parlamentit do të jetë shqiptar, të njëjtit do ti mundësohet që seancën parlamentare ta udhëheqë në gjuhën shqipe. Krahas kësaj, në draft-ligjin e gjuhës shqipe parashihet edhe vënia e shenjave të komunikacionit në gjuhën shqipe”, u shpreh për Portalb, Bujar Osmani.

Përndryshe, dje Kryesia e Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim i ka dhënë dritë jeshile draft-ligjit i cili mundëson zyrtarizim të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë.

Gjatë përgatitjes së draft ligjit, përveç partive politike, BDI, LR-PDSH dhe LSDM, kanë marrë pjesë edhe ekspert të kushtetutës, ndër to edhe profesori Osman Kadriu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button