Ç’nuk do të mësojë publiku nga redaksia, deri sa të bëhet Qeveria

[RECENSION: « Zhurnal mëson » “Tirana dhe Prishtina” Kreu i parlamentit t`i takojë shqiptarëve, dhe Ali Ahmeti të merr postin e kryeparlamentarit!?]

Jo rrallë herë në Maqedoni, në momente kritike politike, siç janë negociatat për formimin e Qeverisë të cilat po zhvillohen aktualisht, mediat përdoren nga politika për të taktizuar politikisht ose për të krijuar pozicione sa më të mira në bisedime. Një pjesë tjetër e mediave, nga ana tjetër, për shkak edhe të jotransparencës së partive politike, futen në labirinthet e spekulimeve dhe lajmeve të pabaza e të pakonfirmuara.  Edhe teksti që po recensojmë mund të shikohet përmes këtyre aspekteve.

« Zhurnal mëson » Tirana dhe Prishtina Kreu i parlamentit t`i takojë shqiptarëve dhe Ali Ahmeti të merr postin e kryeparlamentaritLinku deri te artikulli origjinal:  « Zhurnal mëson » “Tirana dhe Prishtina” Kreu i parlamentit t`i takojë shqiptarëve, dhe Ali Ahmeti të merr postin e kryeparlamentarit!?

Data dhe koha e publikimit: 11/02/2017

Data e Recensionit: 18/02/2017

Recensues: Benjamin Arifi

Teksti nuk ka arritur që të argumentojë as titullin e tij. Kjo, për shkak se është një gjë të zhvillosh takimet në Kuvend sikurse të gjitha partitë e tjera gjatë vizitës së Komisarit evropian Johanes Han, e është diçka krejt tjetër marrja e postit të kryeparlamentarit. Por, të shkojmë me radhë.

Megjithatë burime mirë të informuara të Agjencisë së lajmeve Zhurnal tregojnë se ka indikacione që kreu i parlamentit t`i takojë shqiptarëve dhe këtë post ta merr partia e dytë më e madhe e koalicionit e cila sigurisht që do jetë parti shqiptare e kryesuar nga Ali Ahmeti dhe pikërisht lideri i BDI-së të merr postin e kryeparlamentarit dhe të drejtojë institucionin më të lartë legjislativ në vend.

Për të plasuar një tekst rreth një teme kaq serioze, nuk mjafton një burim anonim, sado “i mirëinformuar” qoftë ai sipas medias që e plason. Si edhe për çdo tekst tjetër, por sidomos për çështje të politikës së nivelit të lartë, informacionet duhen konfirmuar nga burime zyrtare dhe të mbështeten me deklarata kompetente ose dëshmi materiale. Tekstet që përpilohen pa asnjë citat dhe bazohen vetëm në “burime anonime” të papërcaktuara më hollësisht në mënyrë profesionale, janë jashtë rregullave të gazetarisë për informim të publikut.

Kjo për faktin se Tirana dhe Prishtina zyrtare kërkojnë që tashmë Ahmeti takimet me ndërkombëtarët dhe diplomat e krerë të vendeve botërore takimet t`i realizojë pikërisht nga kuvendi e jo në selinë e partisë në Tetovë. Me këtë gjë, BDI dhe faktikisht Ahmeti faktorizohet akoma më shumë në këtë drejtim edhe pse gjithmonë është gjetur si partner nga ndërkombëtarët për tejkalimin e krizave në vend dhe parti e cila gjithmonë ka qenë e orientuar drejt strukturave veriatlantike.

Në përmbajtje ka tentim që ‘teoria’ e shtruar të argumentohet me faktin që lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka zhvilluar takimin me komisarin evropian për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johanes Han në hapësirat e Kuvendit. Por, këtu ka dy gjëra që nuk shkojnë. E para, zhvillimi i takimeve në hapësirat e Kuvendit është normale për një parti parlamentare dhe nuk ka asnjë lidhje me marrjen ose jo të postit të kryeparlamentarit. E dyta, autori me apo pa dashje ka anashkaluar informacionin se përveç BDI-së, të gjitha partitë e tjera parlamentare a kanë pritur Hanin pikërisht në hapësirat e Kuvendit. Rrjedhimisht, një burim anonim dhe një informacion jorelevant, si ky për vendtakimin Han-Ahmeti, nuk mjaftojnë aspak për të argumentuar tekstin, që përpiqet të dëshmojë se Ahmeti është kandidat serioz për kryeparlamentar, edhe atë me insistim të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare.

E pakta që duhej të bëhet në tekst, nëse do të kishte një informacion të tillë, do të ishte verifikimi i informacionit, duke pyetur protagonistët, në këtë rast BDI-në dhe palën tjetër në bisedime. Mund të konsultoheshin edhe njohës të rrethanave politike në Maqedoni, e të sigurohej edhe ndonjë mendim i tretë për këtë çështje. Pa verifikimin e duhur, teksti mbetet vetëm spekulim dhe shumë i varfër në aspektin profesional.

 


Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button