Eksplodimi i gjyqësisë

Deri sa ne presim me javë të tëra BDI ti japë dhjetë nënshkrimet legjendare në mënyrë që Zoran Zaev të marë mandatin për të formuar qeverinë, gjyqësia në Maqedoni tërrësisht mori flakë dhe u dogj. Në qoftë se më parë kishim nje gjyqësi me standarde të dyfishta dhe laramani në vendimet e veta, tani e tutje më nuk do të kemi gjyqesi fare, të paktën për një periudhë të caktuar. Të gjithë gjyqtarët që shprehën çfarëdolloj qëndrimi kundër klanit që tërrësisht kontrollon pushtetin në Maqedoni, me vetëm një vendim të “thjeshtë” për ripozicionim të gjyqtarëve në Gjykatën penale Shkupi 1, u degrduan nga pozitat e tyre dhe u ripozicionuan në pozita shumë më të ulta dhe më pak të rëndësishme, si për shembull në sektorin e kundërvajtjeve.
Në grupin e këtyre gjyqtarëve ishin pikë së pari ata gjyqtarë që patën guximin të japin vendime në favor të kërkesave të Prokurorisë Publike Speciale (PPS). Në grupin e gjyqtarëve të degraduar u gjend edhe gjyqatarja që i dha PPS vendimin për të hyrë në ndërtesën e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim. Dhe normalisht, në të njejtin grup u gjendën edhe gjyqtarët të cilët patën guximin të nënshkruajnë peticionin kundër ish-kryetarit të Gjykatës Shkupi 1, Pançevski.

Nga ana tjetër gjyqtarët “besnikë” që me mish e me shpirt e mbrojtën pushtetin nga të gjitha “sulmet” e PPS, u shpërblyen me përparim në vendet e tyre të punës dhe me pozita më të mira, që të vazhdojnë ta kryejnë me përkushtim edhe më të madh misionin e tyre të shpërndarjes së padrejtësisë në vend të drejtësisë, me të cilën qëmoti nuk janë takuar, bile ia kanë harruar edhe fytyrën.

Dhe tani, si pasojë e ripozicionimit të fundit në Gjykatën penale Shkupi 1, ne nuk kemi më fare gjyqësi. Sepse gjurmët e ndonjë farë gjyqësie që mund të kishte ekzistuar ose ishte në lindje e sipër u zhdukën me një veprim të vetëm, në një ditë, dhe pa shumë bujë. Sepse buja kryesore ende bëhet atje, tek selia e partisë që duhet të japë nënshkrimet që e gjithë kjo situatë të ndryshojë. Ndërsa fakti që gjyqësia në Maqedoni u zhduk tërësisht si me shkop magjik, nuk i bën shumë përshtypje politikanëve që shikojnë të bindin popullin se cili prej tyre është më patriot se tjetri.

Sa për sqarim, bëhet fjalë për të njëjtin gjykatë e cila duhet ti zbardhë gjer në fund rastet si Monstra, Lagjja e Trimave, Sopoti, Brodeci. E pamë si u soll gjyqtarja në seancën e djeshme ku i akuzuar ishte ish kryeministri dhe kryetar I VMRO-DPMNE Gruevski në rastin e ngritur për dhunën e ushtruar në komunën Qendrë ku viktima ishte kryetari i kësaj komune, Zhernovski. Gjyqtarja dënoi me gjithësej 4000 euro prokuroret special sepse e paskan prishur rendin në gjykatë dhe qenkan sjellur në mënyrë të pahijshme me gjyqtaren, e cila paraprakisht nuk I kishte dhënë fjalë prokuores Fatime Fetai. Mund paramendojmë se si do të sillet kjo gjyqtare ose ndonjë koleg/e i/e saj kur një ditë prokurorja Fetai do të prezantojë para saj rastin Monstra ose Sopot? Nuk do te jetë një pamje e mire, dhe atëherë përsëri do ankohemi për padrejtësi ndaj shqiptarëve, për anim të gjykatës, për diskriminim etnik, për procese të montuara, etj. etj.

Pavarësia e gjykatës nuk është luks në një shtet por është domosdoshmëri. Çdo formë e sulmit ndaj këtij parimi, nuk është thjesht një sulm i zakonshëm ndaj një personi, por është grushtshtet ndaj institucionit kryesor që duhet të kontrollojë pushtetin në një shoqëri normale demokratike. Pa pavarësine e tij gjyqësori kot që eksiston, ai në atë rast është vetëm hije e pushtetit të cilin e mbron duke mos e zbatuar ligjin. Pa pavarësi të gjyqësorit, nuk ka drejtësi në një vend. Ndërsa pa sundimin e së drejtës, shteti funksionon si despoti dhe jo si demokraci. Në despoti njerëzit janë robër të pushtetarëve. Robëria nuk mund të arsyetohet në asnjë gjuhë dhe me asnjë politikë e aq më pak mund të quhet patriotizëm. Prandaj, kujdes o përfaqësues të popullit se si e shprehni patriotizmin tuaj dhe për çfarë angazhoheni. Duke humbur kohë të çmuar mundësoni që gjyqësia tërësisht të eksplodojë në ajër dhe drejtësia të zhduket një herë e përgjithmonë nga ky vend dhe të mos jetë aty kur do të na duhet neve.

Ajo që ishte shumë interesante pas seancës gjyqësore ku i akuzuar u paraqit Nikolla Gruevski, ishte deklarata e tij për mediat, ku ai e shpalli këtë seancë për shfaqje teatrale dhe u largua nga vendi i ngjarjes, për të dhënë më vonë një deklaratë tërësisht arrogante ku thotë që ai dhe VMRO-DPMNE do qëndrojnë deri në fund në vijën mbrojtëse të atdheut, me qëllim që ta mbrojnë të njëjtin nga defaktorizimi i popullit maqedonas që votoi për VMRO-DPMNE. Shumë interesant është fakti si nuk u kujtua Gruevski të jetë kaq patriot kur vetë negocioi për javë të tëra me shqiptarët, shfrytëzoi të gjitha mjetet, dhe një version shumë të përparuar të ligjit për përdorimin e gjuhëve si ofertë si dhe ofroi 8 pozicione ministrash duke përfshire edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Ku e kishte patriotizmin Gruevski kur ua ofroi “shqiptarëve të mallkuar” pozitën e mbrojtësit kryesor të rendit dhe sigurisë në vend? Apo atëherë patriotizmi i tij nuk ishte prioritet, sepse i njëjti bëhet prioritet vetëm kur dikush tjetër negocion për të krijuar qeveri, ndërsa kriminelëve të kapur në krimin e tyre dalengadalë u rrëshqet toka nën këmbë? Përse nuk flet Gruevski për defaktorizimin që me javë të tëra u mundua t’ua bëjë 600.000 qytetarëve që votuan për ndryshime në këtë vend? Apo vetëm defaktorizimi VMRO-së është problematic dhe jo edhe I të tjerëve?

Drejtësia do të vijë një ditë, dhe do e zbulojë kriminalitetin që fshihet aq bukur nën petkun e patriotizmit. Dhe atëherë, të gjithë ne do të mësojmë se gjithçka që shfaqet si patriotizëm nuk është vërtet patriotizëm. Ashtu si që tani më kemi mësuar që nuk është flori gjithçka që shkëlqen.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button