Gostivar, do riaktivizohet Këshilli Lokal për Preventivë

Kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta realizoi takim me Kryeshefin e Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë, Faredin Zenuni, Komandantin e Stacionit Policor në Gostivar, Naim Aliu si dhe përfaqësues të OSBE-së. 
 
Riaktivizimi i Këshillit Lokal për Preventivë ishte temë kryesore në këtë takim. 

Kryetari Bejta njëherësh edhe kryetar i Këshillit Lokal për Preventivë tha se riaktivizimi i këtij këshilli do të jetë i dobishëm për qytetarët e komunës së Gostivarit, pasi që bashkërisht të gjitha institucionet që bëjnë pjesë në këshill do punojnë në drejtim të zgjidhjes së çështjeve dhe problemeve që i shqetësojnë banorët e Gostivarit. 

“Në qoftë se ne si institucione koordinohemi, dal ngadalë do të kemi zgjidhje të problemeve dhe dukurive shqetësuese për qytetarët e komunës së Gostivarit. Çdo veprim, çdo problem mund të tejkalohet nëse të gjithë bashkë dëshirojmë që punët ti çojmë drejtë”, theksoi në takim kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.     

Ndërkaq Kryeshefi i Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë, Faredin Zenuni tha se qëllimi kryesor i Këshillit Lokal për Preventivë është që qytetarët të jenë të kënaqur dhe sa më pak probleme të ketë terren. Kryeshefi Zenuni kërkoi nga të gjithë qytetarët e komunës së Gostivarit të bashkëpunojnë me policinë dhe për çdo problem rastin ta paraqesin në numrin e telefonit 192 dhe më pas policia do të ndërmerr masa për ta zgjidhur problemin. 

“Në rast se nga e policisë rastet e paraqitura nga qytetarët nuk shqyrtohen, atëherë do të ngihen procedura disiplinore ndaj nëpunësve policor dhe do të kërkohet përgjegjësi”, tha Zenuni. 

Për javën e ardhshme u caktua takimi i parë i Këshillit Lokal për Preventivë, ku pritet të marrim pjesë të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të cilët janë pjesë e këtij këshilli. 

Këshilli Lokal për Preventivë është themeluar që në vitin 2008, por për shkak të neglizhencës së përbërjes së shkuar të komunës së Gostivarit, ky këshill shumë i rëndësishëm nuk ka funksionuar që nga themelimi.  

Lajme të ngjashme

Back to top button