Ndriçimi publik – e drejtë e garantuar për qytetarët

Ndriçimi publik (ose ndriçimi rrugor) i vendbanimeve është e drejtë e garantuar me ligjet pozitive të Republikës së Maqedonisë të cilat, siç edhe do të mund ta lexoni në vijim të këtij shkrimi, në mënyrë eksplicite obligojnë autoritetet komunale që ta ndërtojnë dhe mirëmbajnë rrjetin e ndriçimit publik.

Padyshim se ekzistimi i ndriçimin publik në gjendje të rregullt është në interes të përbashkët (common interest) pasi përmirëson kualitetin e jetesës së qytetarëve si nga aspekti vizual, ashtu edhe nga aspekti shumë i rëndësishëm i sigurisë. Kualiteti i ndriçimit publik u ndihmon qytetarëve dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion që edhe gjatë natës, e posaçërisht gjatë stinës së dimrit, pak më mirë ti shohin rrugët në mënyrë që ti evitojnë aksidentet e ndryshme nga p.sh. gropat e shumta dhe të rrezikshme nëpër rrugët në gjendje të mjerueshme të komunave tona, ose nga këmbësorët e sidomos fëmijët gjatë rrugëtimit të tyre për në shkollë.

Por në jetën e përditshme, gjithnjë e më rrallë vërejmë aktivitete investuese të komunave në shumë sfera të kompetencës së tyre, përfshi këtu edhe investimet e obligueshme në vendosjen dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik nëpër vendbanime.

Aktiviteteve simbolike të kësaj natyre u bëhet edhe pompozitet mediatik, që është legjitime, por shtrohet pyetja se a duhet që këtë lloj investimi qytetarët ta përjetojnë si dhuratë e autoriteteve lokale ndaj tyre?

Sipas ligjeve ne fuqi, absolutisht jo! Përkundrazi, dihet se qytetarët si konsumatorë paguajnë nga xhepi i tyre për ndriçim publik. Sipas normave të Ligjit për vetëqeverisje lokale ndriçimi publik është në kompetencë të komunave. Nga ana tjetër, në Ligjin për veprimtari komunale potencohet se një ndër veprimtaritë e shumta komunale është edhe vendosja dhe mirëmbajtja e ndriçimit publik, që nënkupton ndërtimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik.

Gjithashtu, edhe sipas Ligjit për taksa komunale, ndriçimi publik është në kompetencë të vetëqeverisjes lokale. Ky ligj shkon më tej duke e trajtuar këtë çështje edhe më detajisht, përkatësisht duke dhënë instruksione precize në lidhje me aspektin financiar të kësaj problematike.

Në këtë drejtim, inkasimin e taksës për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik, nga poseduesit e orëmatësve elektrik e kryen shoqëria tregtare kompetente për shpërndarjen e energjisë elektrike (që për momentin është EVN-ja), e cila sipas këtij ligji shumën e inkasuar e transferon nëpër xhirollogaritë e komunave. Pra, qytetarët u paguajnë komunave për ndriçim publik prandaj prej komunave duhet kërkuar zbatimi sa më gjithëpërfshirës në teren i këtij obligimi ligjor.

Në kontekst të kësaj, mendoj se është e dobishme për qytetarët ta dinë se sipas nenit 6, paragrafit 2 të Ligjit për taksa komunale, nga pagesa taksës komunale për ndriçim publik lirohen poseduesit e orëmatësve elektrik, në vendbanimet ku nuk ka ndriçim publik. Sipas paragrafit 3 të po këtij ligji, këto vendbanime përcaktohen me vendim të këshillit të komunës.

Në këtë drejtim, duke vërejtur neglizhencën e komunave për këtë problematikë, në përfundim të këtij shkrimi dua të theksoj se qytetarët që kanë probleme të kësaj natyre detyrimisht duhet me vetiniciativë të kërkojnë nga komunat realizimin e kësaj të drejte.

Pra, qytetarët të cilët në vendbanimet e tyre nuk kanë ndriçim publik, ose nëse i njëjti është i dëmtuar dhe nuk mirëmbahet, duhet me kërkesa me shkrim tu drejtohen komunave përkatëse ku do kërkohet respektimi i detyrimeve të tyre ligjore karshi qytetarëve, përkatësisht të ndërtojnë dhe mirëmbajnë rrjetin e ndriçimit publik.

Në qoftë se kjo e drejtë nuk u mundësohet nga ana e komunave të tyre, atëherë, në kërkesat e tyre qytetarët kanë të drejtë dhe duhet të kërkojnë që komunat zyrtarisht të dërgojnë shkresa deri te EVN-ja.

Me këto shkresa zyrtare, në përputhje me normat e Ligjit për taksa komunale, komunat do duhej ta informonin EVN për mungesën e ndriçimit publik në rajonet përkatëse dhe njëkohësisht, të kërkojnë të lirohen poseduesit e orëmatësve elektrik nga pagesa e kësaj takse komunale në ato rajone apo vendbanime ku është konstatuar se nuk ka ndriçim publik.

Në të kundërtën, organet kompetente do duhet ta hulumtojnë edhe konfliktin eventual të interesave në trekëndëshin komunë – konsumator – EVN.

Autori është Magjistër i shkencave juridike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button