Tryeza e partive politike shqiptare duhet të funksionojë edhe pa këshillat e Tiranës dhe Prishtinës

Ideja e formimit të Tryezës shqiptare në Platformën shqiptare mbetet ende në letër pasi që nuk ka asnjë takim konkret në frymën e kësaj iniciative. Megjithatë, partitë politike shqiptare në Maqedoni duhet të realizojnë takime të përbashkëta, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin dhe kontaktin ndër-partiak, ngaqë kjo do të dërgonte deri te realizimi i kërkesave shqiptare. Kështu mendojnë njohësit e çështjeve politike në vend, të cilët për Portalb.mk shprehen se shqiptarët nuk duhet të presin thirrje nga Tirana apo Prishtina zyrtare sa herë që duhet të zgjidhin çështjet brenda në shtet.

Profesori universitar, Sefer Tahiri për Portalb.mk u shpreh se e rëndësisë është që tryeza e partive shqiptare të realizohet ndërsa angazhimi i serishëm i Tiranës zyrtare për realizim të së njëjtës nuk duhet të shihet si “ndërhyrje” në çështjet e brendshme të Maqedonisë, por si ndihmesë për to. Profesori megjithatë bën me dije që kjo nuk duhet të nënkuptojë që partitë politike shqiptare dallimet e tyre duhet t’i tejkalojnë gjithmonë nëpërmjet faktorit të jashtëm.

“Është e rëndësishme që tryeza e partive politike shqiptare të zhvillohet si mekanizëm jo-formal, por shumë i rëndësishëm për realizim të Platformës Shqiptare me qëllimin që e njëjta të bëhet pjesë e qeverisjes së ardhshme. Angazhimi i Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për formulim të Platformës Shqiptare nuk do të thotë ndërhyrje në çështjet e brendshme të Maqedonisë, por si detyrim ndaj shqiptarëve të Maqedonisë dhe kontribut në stabilitetin politik si të Maqedonisë por edhe rajonit në përgjithësi. Këshilloj që angazhimet e ardhshme të Ramës dhe Thaçit të bëhen në formë të këshillëdhënies duke i bashkuar partitë politike shqiptare në aktivitetet e tyre politike. Por, kjo nuk do të thotë se partitë politike shqiptare duhet të presin ndërhyrje nga Tirana dhe Prishtina që të realizojnë takime të përbashkëta. Partitë politike shqiptare duhet  të realizojnë kontakte dhe bashkëpunime ndërpartiake, pa inciativë të faktorit shqiptar të jashtëm”, u Tahiri.

Në lidhje me tryezën e partive politike shqiptare gazetari Xhelal Neziri për Portalb.mk thotë se paraqet vërtetësi të asaj që çdonjëra parti politike shqiptare e ka parashtruar si prioritet në platformat e tyre partiake.

“Platforma apo deklarata e partive shqiptare nuk duhet të kuptohet si një ombrellë që do të pamundësoje pluralizmin partiak të shqiptarëve në Maqedoni. Nuk duhet të kuptohet si një rrugë që uniformon mendimin dhe aksionin politik. Pra, nuk duhet pritur që kjo platformë të sjellë njëmendësi por duhet vetëm të ri-konfirmojë vijat e kuqe të subjekteve politike të shqiptarëve të Maqedonisë. E them të ri-konfirmojë pasi ato vija të kuqe janë të konfirmuara në platformat e të gjitha partive ekzistuese. Tani duhet që të njëjtat t’i respektojnë. Në këtë drejtim ka qenë lehtësimi i Tiranës dhe Prishtinës. Ajo që tani bëhet si teatër politik, e që tentohet të involvohet Tirana dhe Prishtina, jo vetëm që mund të interpretohet si përzierje në punët e brendshme të Maqedonisë por edhe si argument për papjekurinë politike të partive shqiptare të këtij shteti. Pas nënshkrimit të platformës është irelevante a do të ulen në tryeza apo sofra folklorike. Ajo që është me rëndësi është të respektohet duke u ruajtur autonomia e çdonjërës parti”, u shpreh gazetari Xhelal Neziri.

Përndryshe, kohë parë në Shkup u realizua takim ndërmjet koalicionit “Aleanca për shqiptarët” dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, nga ku vendosën për formim të komisionit shqyrtues të propozim-ligjit e zyrtarizmit të gjuhës shqipe.

Në këtë takim nuk ishte i pranishëm koalicioni “Lëvizje me Besë” me arsyetimin se ai takim nuk ishte në frymën e Platformës Shqiptare, kurse më vonë nga kjo parti u shprehën se do të bëhen pjesë e tryezës së partive politike shqiptare vetëm në rast se e njëjta thirret nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button