Çfarë presidenti i duhet Maqedonisë?

Përderisa Maqedonia është një shtet multietnik, edhe presidenti i saj duhet të përfaqësojë vendin si të tillë dhe duhet të zgjidhet një përfaqësues i denjë i qytetarëve të Maqedonisë.

Kushtetuta e Maqedonisë e definon presidentin si organ i cili përfaqëson Republikën dhe si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Maqedonisë.  

Analistët vlerësojnë se presidenti duhet t’i përfaqësojë të gjithë, dhe nuk ka rëndësi përzgjedhja e tij përderisa ai nuk shndërrohet në një servil politik si që është bërë presidenti aktual Ivanov i cili sërish kërkon votën e popullit.

Presidenti aktual nuk ka marrë mundimin as ueb faqen ta përkthejë në shqip! LEXO: Sa shqiptarë ka kabineti i Ivanovit?

Analisti Mersel Bilalli vlerëson se presidenti duhet të jetë gjithëpërkrahës jo nga partitë politike por nga vetë qytetarët.

“Është e rëndësishme që presidenti të jetë konsensual, që do të thotë gjithë përkrahës por jo nga partitë politike po nga vetë qytetarët, pasi bëhet fjalë një figurë që duhet të jetë në krye të një shteti dhe ta përfaqësoj atë në mënyrë të denjë”, tha për Portalb, Bilalli.

Ai shtoi se fuqia që mban presidenti sipas kushtetutës është e dobët, mirëpo ai ka një përgjegjësi të madhe morale ndaj shoqërisë.

“Me kushtetutën e Maqedonisë, presidenti mban shumë pak kompetenca, mirëpo ai është faktor koheziv që mbron parimet dhe moralin shoqëror, dhe në këtë mënyrë ai afron njerëzit pa marrë parasysh nacionaliteti, feje apo cilës rasë i takojnë”, theksoi Bilalli.

Sipas tij me këtë që po bën VMRO-ja lidhur më zgjedhjet presidenciale, krijon një përçarje ndëretnike ngase presidenti duhet t’i përfaqësojë të gjithë e jo vetëm maqedonasit.

Nga ana tjetër, analisti maqedonas Lubomir Frçkoski vlerëson se nuk është e rëndësishme se presidenti të jetë konsenzual, ajo që është me rëndësi është që ai të mos jetë frikacak dhe ta balancojë qeverisjen.

“Sipas mendimit tim nuk ka rëndësi së a është presidenti konsenzual apo e propozon vetëm një parti, kompetencat janë të njëjta, e rëndësishme është që ai të bëj frikësohet nga Qeveria dhe të balancojë atë me fuqinë që ka”, tha për Portalb, Frçkoski.

Ai shtoi se presidenti duhet të jetë i njëjtë për të gjithë qytetarët dhe të mbrojë të drejtat e njeriut, e jo të anojë për ndonjë parti politike dhe të bëhet thjesht një servil i tyre.

“Presidenti së pari duhet të mbrojë të drejtat e njeriut dhe të kundërshtojë Qeverinë nëse ato shkelen. Nuk duhet të bëjë anime politike sepse në atë mënyrë ai do të hesht për parregullsitë dhe në këtë mënyrë shndërrohet në një servil politik siç ishte ky i fundit”, theksoi Frçkoski. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button