fbpx

Morali Gjerman dhe Drejtoritë e të Hyrave Publike në Maqedoni!

Para disa ditëve lexova një lajm që vinte nga Gjermania, ku thoshte që ish-presidenti i vendit z.Christian Wulff i cili përpara disa viteve u akuzua  për dyshime se përfitoi nga pozita e tij duke marrë një hua me interesa të favorshme për një ndërtim të një shtëpie gjatë kohës që ishte guvernator i Saksonisë së Poshtme, u shpall i pafajshëm nga gjykata e vendit.  Lajmi më tej thoshte që pas akuzave të këtilla Christian Wulff kishte dhënë  dorëheqje të menjëhershme duke ja hapur rrugën përballjes së tij me drejtësinë, dhe pse e kishte ditur shumë mirë që ishte i pafajshëm.

E fillova shkrimin me këtë shembull të hijshëm të demokracisë së vërtetë sepse doja të jap një shembull konkret se si normalisht duhet të reagojnë funksionarët shtetëror kur ata abuzojnë me pozitën që e kanë fituar falë votave të popullit. Para disa javëve një lajm, gjysmë hulumtues, më bëri shumë përshtypje dhe isha e bindur që populli shqiptarë në Maqedoni më në fund do të filloj të kthjellohet se në duar të kujt e ka fatin e vetë. Lajmi në fjalë ishte publikimi i fakteve  që zv.drejtori i të Hyrave Publike të Republikës së Maqedonisë z.Argëtim (Artan) Asani ka një tatim të papaguar ndaj shtetit që kap shifrën diku rreth 10 milion denarë, 8.6 milion denarë ka evazion fiskal prej firmës, ndërsa 265.192 denarë nga tatimet personale, dmth funksionari shtetërorë përveç punës së tij në institucion publik posedon dhe një firmë private??. 

U habita? Jo, aspak. Nuk më tronditi përmbajtja e lajmit, çka mund të pritet tjetër nga pushtetarët tonë, por më habiti mënyra se si u pranua lajmi tek populli im.  Si fillim, lajmi në fjalë u publikua nga disa portale në Prishtinë, sepse asnjë medium nga Maqedonia nuk kishte guximin të publikoj një lajm që “dëmton” zyrtarët shtetërorë me të cilët i kanë lidhjet e ngushta, ose, mos te jem kaq e vrazhdë, frikësohen nga ata funksionarë sepse pikërisht ky person që i ka “borxh” vetvetes, dmth institucionit që udhëheq,  ua sakaton bizneset shqiptarëve me gjoba nga më të ndryshme. E kush nuk do të frikësohej apo jo?

Habia më e madhe më erdhi kur pash që mediumet e vetëquajtura të mirëfillta as nuk e morën mundimin të bëjnë një hulumtim më të gjerë ndaj këtij skandali dhe të mundohen të informojnë qytetarët se në duar të çfarë njerëzve paratë e tyre përfundojnë? Mediumi i vetëm që bëri një analizë të shkurtër ishte një portal Maqedonas të cilët morën guximin të kërkojnë një deklaratë nga personi në fjalë për këtë skandal, e për tu mos u çuditur, përgjigja e tij ishte : “Nuk e di sa kam borxh, sepse disa nga borxhet që kam janë më shumë së një dekadë të vjetra” ! Eh, popull, popull! Jo që z.Asani nuk i shkon ndërmend që duhet të jep dorëheqje për shkelje te ligjit, akuzë publike për korrupsion, konflikt interesi në punë, ai dhe hapur tregon se sa i “fuqishëm është” dhe asgjë nga kjo nuk i bën përshtypje sepse fundja e din që populli i cili e ka zgjedhur ta udhëheq është popull që nuk i intereson kush e sa shumë u vjedh nga paratë e tyre!

Ndoshta do të tingëllojë cinike me fjalën që “të ishte problem vetëm zotëria në fjalë” punët do të ishin shumë kollaj. Problemi madhor qëndron në faktin se sa e sa persona të këtillë kemi ne shqiptarët nëpër pozita shtetërore të cilët abuzojnë dukshëm me parat e taksave tonë, sa e sa pushtetarë tonë luajnë me fatin tonë dhe ne vazhdojmë ti shpërblejmë me votën tonë, me besimin tonë. E di që s’ka përgjigje, sepse është koha të shpallemi si populli më pasiv në botë, si popull që nuk është i zoti të kërkoj drejtësi për fatin e tij, si popull që nuk është në gjendej të vendos se çka është më e mira për vete. Po them popull, s’po them të rinjtë, nga ku normalisht duheshin të rrjedhin iniciativat PËR NDRYSHIM, sepse shkrimi ka hapsirë të limituar dhe s’do ketë vend të mjaftueshëm për tu përshkruar se sa dëm i bën rinia vetës së vetë me këtë pasivitet që i ka kapluar. 

Kur kohët e fundit rajoni vërshohej nga  lajmet që vinin nga Kievi, Tuzla, Prishtina ku popullata, të rinjtë, e tyre ngrenin zërin fuqishëm kundër padrejtësive që përballeshin dhe kërkonin më ne fund të dënohen ata që gënjej vazhdimisht popullin që i voton, që ju jep legjitimitet të vendos në emër të tyre, për fatin e tyre, tek ne transmetoheshin lajme që tregonin se si studentët tonë mbjellin fidanë në dimër, se si të rinjtë anëtarë të partive politik vrapojnë pas aktiviteteve partiake (ngjit flamur, sjell karrige, shpërnda postera) pa kërkuar një platformë konkrete se çka ajo parti politike i ofron mundimit të tyre (apo punësimi në administrata është mjaftueshëm??), hap fan page në facebook për “iniciativa” e mbylli ato kur euforia politike dhe e interesit mbaron ! 
Gjeneratat e vjetra na kanë shumë borxh neve të rinjve në Maqedoni, sepse për nevojat e tyre, për interesat e tyre personale ne kemi ngelur me arsim gjysmak, aspak kualitativ, të radhitur në fund të rang-listave. Jemi ne ata të rinj që kemi më pak mundësi shkollimi e zhvillimi në Evropë nga e gjithë rinia e Ballkanit, bile edhe nga bashkëqytetarët tonë Maqedonas, sepse qeveria e Maqedonisë nuk e shef të arsyeshme të ndaj bursa për studentët Shqiptarë që dëshirojnë të shkollohen jashtë vendit. Jemi ne të rinjtë që na keni verbuar, mashtruar e stërngopur me patriotizëm e folklorizëm të rrejshëm për përfitimet e juaja personale. Jemi ne të rinjtë që jemi aq të përçarë politikisht, që na ky hy politika në jetë sociale e atë profesionale duke mos na lejuar të shohim siç duhet, sepse juve ju duhet dikush të bëj propagandën që ju nuk jeni të zotët ta bëni. Dhe jemi ne të rinjtë që sot, në shekullin 21, ja lejojmë vetes një mashtrim të këtillë. Hallall na qoftë!

Shumë kush do të pajtohet me këtë shkrim, do ta lëviz kokën në shenjë të drejtës duke thënë që kamë të drejt! E kam parë këtë gjest dhe më përpara. Muajt e ardhshme do të kemi zgjedhje pa zgjidhje, përsëri, edhe një herë, përsëri, edhe njëherë. Eufori e madhe do të na kaploj. Muzikë patriotike, fjalime të “mëdha” të liderëve tonë, premtime e premtime e rezultati? Përsëri në pushtet do të vijnë ata që na vjedhin përpara syve, përsëri në pushtet do të vijnë ata që na gënjejnë vazhdimisht, përsëri në pushtet do të vijnë ata që na humbasin mundësit e shkollimit, e punësimit e përparimtar. E s’do të ishte çudi nëse në pushtet do të vinte dhe PPD-ja e vdekur me të cilën të gjithë po tallemi,  sepse kështu si popull pasiv që jemi, asgjë nuk është çudi dhe habi, dhe do të meritojmë më shumë se kurrë që njerëz me shpirt të vjetërsuar ti udhëheqin përsëri të rinjtë. Me falni, jo se pushteti aktual ka ndonjë shpirt te ri e inovativ, por bie fjala.

Ja vendova titullin këtij shkrimi “Morali Gjerman” në nder të funksionimit të drejt të ligjit në ketë shtet duke dhënë shembull e lartpërmendur. “Drejtoritë e të Hyrave Publike” e shkrova shumës sepse e di që gjithë jemi të vetëdijshëm që ekziston vetëm një drejtori e të Hyrave Publike, por fatkeqësisht si zëvendës drejtori i këtij institucioni me skandale që nuk “vërehen” nga askush, ka me qindra. Pjesën e mbetur, besoj e kuptoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button