fbpx

Maqedoni, gazetaria hulumtuese – mision i pamundur

Broshura e ‘gazetarisë së bazuar në të dhëna’, e përkthyer në gjuhën maqedonase në botim të Qendrës për zhvillim të mediumeve, do të kontribuojë për zhvillimin e gazetarisë hulumtuese në Maqedoni, që për fat të keq thuajse nuk ekziston në këtë shtet. Me këto fjali u promovua sot në Shkup broshura në fjalë, nga autorët Xhonatan Grej, Liljana Bunegru dhe Lusi Çejmbers e cila konsiderohet një nga librat më të mira të gazetarisë hulumtuese, botim i Fondacionit “Njohuri të hapura” dhe Qendrës Evropiane për gazetari.

Dejan Georgievski nga Qendra për zhvillim të mediumeve tha se në Maqedoni gazetarët dita-ditës janë duke ngecur në përdorimin e të dhënave të sakta si element bazë i gazetarisë.

“Gazetarët nuk duhet ta kenë qëllim vetëm raportimin e shpejtë duke mos çarë kokën nëse japin informata të pavërtetuara dhe të pasakta. Ata duhet të kujdesen të dhënat që i prezantojnë të jenë të verifikuara” tha ai.

Violeta Gligoroska nga Fondacioni Shoqëri e Hapur Maqedoni i cili e ka mbështetur financiarisht botimin e librit, tha se raportet e institucioneve relevante botërore që ndjekin punë e mediave vazhdimisht shkruajnë për mungesë të profesionalizmit në sferën e gazetarisë.

“Vendosëm ta mbështesim përkthimin e këtij libri pasi duhet dhe mundet tu ndihmojë gazetarëve në Maqedoni, për ata pak që merren me gazetari hulumtuese dhe për ata që dëshirojnë të merren me këtë lloj gazetarie ” tha Gligoroska.

Gazetarja Sashka Cvetkovska e cila ka punuar në projektin hulumtues “Media Pedia” për ta zbuluar kush i posedon portalet në Maqedoni tha se është shumë e vështirë të sigurohen të dhëna për ndonjë firmë në vend pasi që duhet shumë para për dallim nga vendet evropiane.
“Të dhënat e Regjistrit Qendror në Maqedoni janë me para dhe është thuajse 4 herë më shtrenjtë te ne për të marrë një dokument nga ky institucion se sa në shumicën e vendeve Evropiane. Për shembull nëse dëshironi të merrni komplet të dhëna për një firmë do t’ju duhen thuajse 100 euro, ndërsa kur bëni hulumtim për ndonjë korrupsion duhet së paku 5 kompani ti hulumtoni prandaj them se ju duhen shumë para për të kryer hulumtimet e tilla. Duhet patjetër që të ulen çmimet shumë të larta të Regjistrit Qendror” tha Cvetkovska.

Broshura në version elektronik gjendet në ueb faqen e QZHM. /Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button