BDI: PDSH-ja kryen shërbimet e partive maqedonase

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)  ka vlerësuar se PDSH me sjelljen e saj cinike edhe një herë sot ka dëshmuar se nuk është parti serioze, e cila mund ta luajë të paktën rolin e opozitës.

“Ky subjekt, assesi nuk arrin të shkëputet nga fjalori i saj vulgar përmes të cilit mendon fyen të gjithë ata që prej vitit 2001, në vazhdimësi janë duke e marrë besimin e shqiptarëve. BDI, për dallim nga PDSH-ja, kurrë nuk është vënë në shërbim të ndonjë partie maqedonase. Ne si subjekt, çdoherë kemi qenë të lidhur me shqiptarët dhe të tillë edhe do të mbetemi”, ka vlerësuar BDI.

Partia ka komentuar qëndrimin e PDSH-së se BDI u bë “mashë e VMRO-së dhe Gruevskit që nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme të pamundësojë integrimin dhe sërish të legjitimohet nëpërmjet politikës antishqiptare”.

BDI thekson se drejtuesit e PDSH-së ishin pikërisht ata që për shkak të kumbarisë me struktura të caktuara të VMRO-së, në vitin 2006 u bënë pjesë e pushtetit pa e marrë votën e shqiptarëve.

“Mirëpo, krerët e PDSH-së e dinë mirë se si përfunduan pas atij turpi. PDSH, tashmë të gjithë e kanë të qartë se përmes kandidimit të funksionarit të saj në zgjedhjet presidenciale, po tenton ta legjitimojë kandidatin maqedonas. Si gjithmonë ne zhvillime të rëndësishme historike PDSH është rreshtuar gabimisht, mbase edhe me instruksione nga qendra të tjera vendimmarrëse ndoshta po ata që e kanë iniciuar edhe themelimin e kësaj partie”, vlerëson BDI.

Partia thekson se nuk do të lëshojë pe nga ideja për një president konsensual ngase në këtë mënyrë Maqedonia mund të funksionojë si shtet.  

Lajme të ngjashme

Back to top button