Fjalori i Gruevskit do të nxit tensione!

Përfaqësuesit e shoqërisë civile dënojnë fjalorin nxitës të kryeministrit Gruevski, në konventën e partisë, i cili i bëri thirrje elektoratit maqedonas që të mobilizohet me qëllim që të relativizojë ndikim dhe kushtëzimet e shqiptarëve. 

Profesorja dhe ekspertja për të drejtat e njeriut Mirjana Najçevksa, vlerëson se megjithatë fjalimi i Gruevskit paraqet lojë politike. “Nuk ka asgjë përmbajtësore apo reale në këtë fjalim, përveç qëllimit që t’i shërbejë zgjedhjeve, të bëhet mobilizimi i trupit votues rreth pikës së vetme rreth të cilës mund të mobilizohet ai, identitetit dhe ndjenjave nacionaliste”. 

“Pasi as VMRO DPMNE dhe as BDI si parti në pushtet nuk arritën t’i përmbushin premtimet që ua dhanë qytetarëve, sikurse përmirësimin e standardit jetësor si dhe anëtarësimin në organizatat euro-atlantike, ata janë të detyruar që sërish të luajnë në kartën e përkatësisë etnike dhe secili nga to tani do të bëj fjalime të tilla, pamflete të cilat do të duhet të kenë për qëllim mobilizim të trupit të tyre votues. Absolutisht nuk ka asgjë reale në atë që e thotë Gruevski, madje mendoj se kemi të bëjmë me një marrëveshje paraprake mes VMRO dhe BDI-së që të ndjekin këtë linjë nacionaliste”, vlerëson Najçveska për Portalb. 

Najçevska nuk përjashton mundësinë për nxitjen e tensione në këtë periudhe parazgjedhjore pasi siç thekson ajo, vetëm në valën e tensioneve ndëretnike mund të vozitet treni zgjedhor i VMRO DPMNE-së por edhe BDI-së. Pasi pavarësisht asaj që e shkruajnë në programet e tyre, dhe plasojnë si fotografi të vërtetë për opsionin e tyre politike, në fund mbeten vetëm përkatësia etnike dhe nacionalizmi si elementet e vetme rreth të cilave mund ti grumbullojnë qytetarët.    

Nga ana tjetër Xhabir Deralla, nga OJQ ‘Civil’ vlerëson se  Gruevski por edhe partia e tij, që kush erdhën në pushtet por edhe tani refuzojnë të pranojnë realitetin e plotë të Maqedonisë, në veçanti karakterin multikulturor të saj. “Prandaj, strategjia e tyre bazohet në shovinizëm dhe diskriminim në të gjitha bazat, përfshi edhe përkatësinë etnike të qytetarëve. Tonet nacionaliste gjatë proceseve zgjedhore në vitet e fundit i vendos pikërisht ai, i cili i imponon marrëdhëniet ndëretnike si tema dominuese në zgjedhje”, vlerëson Deralla për Portalb. 
Sipas Derallës, Gruevski nxit urrejtjen dhe dhunën entike, pasi për të paraqet një mjet të mirë, që edhe pas përfundimit të proceseve zgjedhore, të mund të manipulojë opinion me qëllim që të zhvendos vëmendjen nga problemet me të cilat ballafaqohet vendit. 

Enisa Bajrami nga Instituti Alternativa Liberale, thekson se fatkeqësisht politikanët në vend vazhdojnë të përdorin metodat e njëjta në çdo periudhë parazgjedhje: mbjellje të frikës dhe urrejtje ndaj palës tjetër si dhe ndezjen e ndjenjave nacionaliste. 

“Fjalori i Gruevskit, këto ditë nuk dallon shumë nga thirrjet që bënte vetëm një vit më parë gjatë zgjedhjeve lokale, kur thoshte se Maqedonia i takon vetëm maqedonasve dhe se shqiptarët duhet të shkojnë në Shqipëri. Një fjalor i tillë nxitës pa dyshim që i sjell atij më shumë votues, por nga ana tjetër i dëmton marrëdhëniet mes maqedonasve dhe shqiptarë të cilat edhe ashtu qëndrojnë mbi këmbë të ‘qelqta’”, shton Bajrami, për Portalb. 

Përfaqësuesit e shoqërisë civile u bëjnë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë gjak ftohtë ndaj thirrjeve nacionaliste të politikanëve të cilët si qëllim të vetëm kanë sigurimin e sa më shumë votave në zgjedhje, pa mbajtur llogari për dëmin që i shkaktojnë proceseve politike e demokratike të vendit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button