Po t’shoh përmas

“Profesor”, iu drejtua studenti mentorit te i cili po e përgatiste temën e magjistraturës, në fillim të viteve 2000, “desha t’ju pyes diçka, pasi ishte ulur në karrigen përballë profesorit në kabinetin ku zakonisht i mbante konsultimet, kurse profesori  i hoqi syzet, e largoi me dorën e djathtë grumbullin e letrave të tij plot shënime.

“Urdhëro”, ia ktheu profesori, “po të dëgjoj” .

“Desha t’ju pyes, profesor, për barabarësinë e gjuhëve”…

“Çfarë deshe të pyesësh për barabarësinë e gjuhëve”?

“A është zyrtare edhe gjuha jonë, sipas  Marrëveshjes së Ohrit”?

“Është, po si jo”.  Profesori, pastaj i përmendi të gjitha dispozitat, të gjitha nenet, të gjitha konventat e ku ta di se sa dokumente të tjera ku me shkrim sigurohet barabarësia e gjuhëve, duke u ndalur në atë pjesë të marrëveshjes e cila thotë se çdo gjuhë të cilën e flasin mbi njëzet për qind të qytetarëve të një  komune, të vendit etj. kanë të drejtë ta përdorin me shkrim e me gojë dhe në gjuhën e tyre t’i bëjnë të gjitha komunikimet zyrtare, po ashtu, me shkrim e me gojë.

“Ne jemi mbi njëzet për qind, profesor”.

“Po jemi”…

Studentit i shkëlqenin sytë.  Ai e ngriti kryet, u ra pak me dorë flokëve të gjatë që i lëvareshin mbi ballë dhe i qiti në anë të djathtë.

“Në qoftë ashtu”, tha studenti, “atëherë”…

“Çka, atëherë”? e ndërpreu profesori.

“Profesor, ma merr mendja se nuk paska pengesa që unë magjistraturën ta shkruaj në gjuhën shqipe dhe në gjuhën shqipe, kuptohet, edhe ta mbroj”.

“Si mendon”? pyeti profesori i cili s’e kishte pritur këtë ecuri të bisedës me studentin e tij. “Si mendon në gjuhën shqipe”?… Profesori u gjet ngushtë. Magjistratura të shkruhet në gjuhën shqipe?… Kjo s’i kishte shkuar ndërmend… Ai kishte bërë mjaft vite pune dhe ndonëse shpeshherë me kolegë e shokë kishte folur për këtë temë nuk kishte menduar për nisjen e një praktike të tillë, të të shkruarit dhe të mbrojtjes së magjistraturave në gjuhën shqipe.
Profesori ia pranoi vetes se studenti e zuri ngushtë. Vetë ishte ai, profesori, që i foli gjerë e gjatë për barabarësitë e gjuhëve në këtë vend, mirëpo atij s’i kishte shkuar ndërmend ana praktike e kësaj çështjeje. I zënë ngushtë, profesorit iu kujtua, dekani që do ta shikonte shtrembër, iu kujtua rektori që do t’i hidhërohej, reagimet që i merrte me mend të Këshillit të arsimtarëve. E gjithë kjo situatë, të gjitha këto rrethana rrinin pezull mbi kokën e tij. Më në fund i shkoi ndërmend edhe ajo fjala e urtë popullore që thotë: “Si e lype – gjete”. Me një fjalë e qortonte veten: çfarë m’u desh mua të flas për barabarësinë e gjuhëve, çfarë? Profesori e humbi ndjenjën për kohën dhe dy a tre minuta qëndroi ashtu pa fjalë, me sy të drejtuar nga dritarja, ku nuk e vërente fare se pranvera po i çonte lajmëtarët e parë të saj, bulëzat në degën e një kaçube në parkun e fakultetit, të cilat sa nuk kishin plasur si gjethe.  Nga kjo gjendje amullie e largoi një zhurmë në korridor. Studentët që kalonin kah  kabineti i tij qeshën në grup, kur u gjetën te dera e tij. Ku ta dish se pse. Profesori atëherë iu drejtua studentit: “Ku e patëm fjalën”?

“Profesor”, tha studenti,  “unë e di se kjo do të jetë hera e parë… Megjithatë mendoj se  dikush duhet ta hapë shtegun, dikush duhet ta bëjë hapin e parë, madje, më lejoni të them: dikush duhet ta zhvillojë këtë luftë”…

“Pajtohem”, ia ktheu profesori studentit. “Por, dëgjo,  këtë hap do ta bësh ti. T’i do ta hapësh këtë shteg, kjo do të jetë lufta jote. Se kështu do të kalitesh, do të forcohesh dhe do të fitosh përvojë. Kurse mua do të më kesh prapa”.

Studenti u ngrit e doli, duke e përshëndetur profesorin, i cili mbeti në kabinet duke ndjerë një hidhëti në gojë. Tash profesorit iu kthye ajo ndjenja e moçme nga e kaluara komuniste kur dilte nga mbledhjet e dikurshme të organizatës partiake në të cilat i bënin një vërejtje të vogël, por që në fakt ajo vërejtje ishte një mesazh që donte të thoshte: mblidhi mendtë! Profesori e vuri në lëvizje shiritin e mendimeve, i krahasoi ato kohëra të shkuara me të sotmen: i doli se edhe sot nuk kishin ndryshuar gjërat. Edhe sot ishte problem të ngresh iniciativa si kjo që kërkonte studenti prej tij e që lidhen me gjuhën shqipe. Ndryshimi ishte se sot presioni do të vinte më i madh nga publiku ose nga partitë shqiptare dhe e gjithë kjo t’ia ngjitë etiketën e të shiturit që do t’i kushtonte shumë.

Ndërkaq studenti doli i pakënaqur. Unë ta bëjë luftën, profesori do të më qëndruaka prapa! Studenti e lëvizi kokën në shenjë habie me profesorin e tij që aq shumë u kishte folur për vlerat e patriotizmimit. Duke u larguar studenti nisi ta këndonte ngadalë këngën:

Ma i madhi n’vend edhe pikë
Sa t’dush jepi gaz
Po t’shoh përmas
Po t’shoh përmas…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button