Mbështetja për hyrjen e Maqedonisë në BE bie në 77 përqind

Trendi në rënie shumëvjeçar i mbështetjes për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në Maqedoni vazhdon edhe në vitin 2016-të, por ende është 77 përqind, tregojnë të dhënat e anketës së mendimit publik të realizuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” në bashkëpunim me fondacionin Konrad Adenauer.

Sipas Ivan Damjanovskit nga Instituti për Demokraci, mbështetja fillimisht është falë pritjeve materiale dhe ekonomike të qytetarëve dhe mbetet e lartë.

“Faktor kyç për uljen graduale të mbështetjes për anëtarësim në BE janë implikimet e identitetit të cilat dalin nga kontesti me Greqinë rreth emrit. Bëhet fjalë për energji euroskeptike, sepse nëse hiqet kontesti për emrin atëherë mbështetja sërish kthehet në afër 90 përqind”, deklaroi Damjanovski.

Sipas Zoran Neçevit nga IDSCS, raporti tregon se pjesa më e madhe nga të anketuarit në përgjithësi, rreth 26 përqind vlerësojnë se BE-ja do të ishte aleati më i mirë i huaj i Maqedonisë, ndërsa në vendin e dytë gjendet Rusia me 25 përqind dhe në të tretin është SHBA-ja me 17,5 përqind.

Ai theksoi se interesante është ajo që ekziston dallim i konsiderueshëm mes dy grupeve më të mëdha etnike në Maqedoni lidhur me perceptimet e tyre për aleat më të mirë të jashtëm të Maqedonisë.

SHQIPTARËT
Sipas rezultateve të sondazhit, 32,2% e shqiptarëve konsiderojnë se partneri më i mirë është Bashkimi Evropian, ndërsa 28.3% konsiderojnë se partner më i mirë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas SHBA-ve, me 15.9% e treta renditet Turqia ndërsa e katërta Gjermania me 11.6%. E fundit renditet Rusia e cila shihet si partneri më i mirë i Maqedonisë nga 9% e shqiptarëve. Nëse këto shtete grupohen dhe mblidhen, del që 75.1% e shqiptarëve të Maqedonisë shprehen se shohin njërin prej shteteve përendimore si aleat më të mirë të Maqedonisë.

Në anën tjetër, 29.9 % e maqedonasve konsiderojnë se Rusia është partneri më i mirë i Maqedonisë.

Hulumtimi është zbatuar me anketë telefonike të bërë te 1.100 të anketuarve në nëntor të vitit 2016, ndërsa trendet të cilat komentohen në analizë janë lidhur me hulumtimin metodologjik të njëjtë të zbatuar në vitin 2014. Të dhënat nga hulumtimi janë shfaqur në “Analizë të mendimit publik për procesin e Maqedonisë për inkuadrim drejt Bashkimit Evropian (2014-2016)” dhe “Besueshmëria e Bashkimit Evropian në Maqedoni është sjellë në pyetje”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button